1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përpjekjet e Turqisë për anëtarësim në BE dhe homoseksualiteti në ushtrinë e saj

Meshkujt homoseksualë turq nuk pranohen në ushtri, nëqoftëse vërtetojnë prirjen e tyre seksuale, që në Turqi konsiderohet sëmundje. Ky qëndrim bie ndesh me respektimin që i bëhet në BE prirjes seksuale.

default

Pamje simbolike

Ushtria turke e monitoron në mënyrë strikte zbatimin e rekrutimit të përgjithshëm. Çdo turk duhet të shërbejë në ushtri për një periudhë midis 6 dhe 18 muajsh, përjashtim nuk bëhet për askënd. Në kazerma shkojnë për kontroll para mobilizimit që prej aktorëve popullorë të filmave dhe baballarëve të familjeve të mëdha, edhe njerëz me të meta. Me përjashtim: të homoseksualëve. Ushtria turke thotë se homoseksualiteti është një sëmundje serioze mendore.

Çfarë sjellin përpjekjet për anëtarësim në BE?

Homoseksualët detyrohen me të gjitha mënyrat që t'i bindin doktorët e ushtrisë se nuk janë "simulantë", të cilët thjesht duan t'i bëjnë bisht ushtrisë. Sipas revistës gjermane "Der Spiegel", situata është tejet absurde. Sepse ky qëndrim ndaj homoseksualëve është krejtësisht i papranueshëm në shekullin e 21-të, dhe kjo në një vend që kërkon të anëtarësohet në BE.

Qeveria myslimane-konservatore e kryeministrit Erdogan mund të përballet nga ky shkak me një kërkesë të pakëndshme në këtë drejtim prej Brukselit. Kjo pasi madje edhe ministrja turke e Familjes, Selma Aline Cavafy, e mbrojti pozicionin e ushtarakëve, se homoseksualiteti është një sëmundje mendore. Dhe me këtë ajo nuk është larg opinionit të shumë turqve.

Ushtar turk me flamur. Homoseksualiteti shihet si një sëmundje mendore në ushtrinë turke

Ushtar turk me flamur. Homoseksualiteti shihet si një sëmundje mendore në ushtrinë turke

Me pudër dhe fund

Gazetari i revistës "Der Spiegel", Maximilian Pop tregon në faqet e kësaj reviste historinë e habitshme të një homoseksuali turk. Kur e thirrën për në ushtri, Adnani vrau mendjen si të vepronte. Po ta fshihte orientimin e tij seksual, ekzistonte rreziku që ta zbulonin, ta dënonin e terrorizonin, edhe ta përdhunonin. Po ta pranonte që ishte homoseksual do të ishte shumë e vështirë të gjente ndonjëherë punë, me shënimin në librezën ushtarake "devijime seksuale".

Adnani më në fund ia pranoi komisionit se ishte homoseksual, por që prej këtij momenti nisën vuajtjet e tij. Fillimisht e dërguan dy javë në psikiatrinë ushtarake, ku u detyrua t'u ekspozohej kontrolleve mjekësore poshtëruese. Pastaj ai u detyrua të sillte fotografi për të provuar orientimin e tij seksual. Për këtë ai u detyrua të fotografohej me partnerin e tij gjatë aktit seksual dhe t'ia ofronte materialin konfirmues komisionit.

Der Spiegel Logo

Der Spiegel Logo Presse Deutschland

Hapi i fundit ishte dalja sërish para komisionit, i shoqëruar këtë herë nga avokatja. Ai veproi siç e kishte mësuar avokatja: rrojti mjekrën, gjoksin dhe këmbët. Ai vuri buzëkuq, pudër në faqe dhe veshi fund - për t'u pritur me një buzëqeshje tallëse nga komisioni...

Absurditete turke

Ushtria turke e kundërshton faktin se kërkon videofilma ose fotografi nga rekrutët që thonë se janë homoseksualë. Por një sondazh i organizatës së homoseksualëve me qendër në Stamboll, Lambda, konfirmon se rreth një e treta e të pyeturve tregoi që gjatë kontrollit mjekësor u kishin kërkuar me detyrim elementë të tillë personalë. Në Ankara thuhet se meshkuj homoseksualë, që punojnë si prostituta ofrojnë shërbimet e tyre për meshkuj që duan t'i bëjnë bisht shërbimit ushtarak. Si rezultat i të gjithë kësaj, ushtria turke ndërkohë posedon koleksionin më të pasur të filmave pornografikë me meshkuj homoseksualë në të gjithë vendin - thotë jo pa ironi një avokate.

AG/Sun/AA/Spi/Aud/Pp

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 04.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PxsE
  • Data 04.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PxsE