1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Përpjekje të përqendruara për një qëllim minimal

Edhe pse konferenca e Londrës për Afganistanin karakterizohej nga një masë e madhe realiste, në të pati edhe shumë përfytyrime larg realitetit.

default

Koha e iluzioneve ka kaluar, këtë e dëshmoi qartë konferenca në Londër. Ka kohë që ëndërra për një të ardhme të ndritur për Afganistanin, e cila ishte shumë e fuqishme pas rrëzimit të talibanëve, është shuar. Korrupsioni, prodhimi i drogës dhe talibanët nuk do të zhduken kurrë tërësisht, me këtë fakt janë pajtuar edhe vendet donatore. Kjo ka ndryshuar fokusin, madje mund të thuhet se e ka mprehur atë. Kështu që nuk do të vazhdojnë gjatë eksperimentet dhe në mënyrë të pakontrolluar të derdhen të holla sa andej-këtej. Mundësisht shpejt bashkësia ndërkombëtare dëshiron të hedhë bazat e stabilitetit në Afganistan për t'i dhënë fund njëherë e mirë ankthit të një misioni me shumë humbje.

Me para dhe armë pritet të krijohet një fundament shoqëror, i cili do t'i garantojë Perëndimit paqe dhe afganëve një masë minimale qetësie dhe përparimi ekonomik. Për këtë konsensus minimal bashkësia ndërkombëtare prezanton krejt çka ka për të ofruar. Më shumë ushtarë, më shumë shkollim, më shumë ndihma për zhvillim - kjo është receta. Nuk është ndonjë gjellë e re, por do të gatuhet me përbërës të rinj. Qeverisë afgane i ofrohet një shans i fundit përndryshe ditët e saj si përfituese e donacioneve të majme janë të numëruara. Dhe trupat e Natos duan që që nga viti 2011 të dalin nga rrethi vicioz i dhunës dhe i kundërdhunës - për këtë do të jenë në luftë edhe njëherë gjatë këtij viti 130 mijë ushtarët e huaj në Afganistan.


Qeveria gjermane e ndjek këtë kurs me përkushtim dhe "strategjia e re" e saj bazohet në realizimin e premtimeve të vjetra. Në Berlin ka kohë që flitet për më shumë shkollim të policisë, po ashtu edhe për ndihma më të mëdha civile. Edhe misioni i ushtrisë gjermane do të jetë përpara një provimi të vërtetë: vetëm përmes rigrupimeve në kontigjentin gjerman do të ketë shumë kapacitete të lira për trajnimin e ushtarëve afganë, çka hedh një dritë interesante mbi efektivitetin e misionit të deritanishëm.

Përqëndrimi i sërishëm tek objektivat thelbësore bën pjesë në rezultatet pozitive të konferencës ndërkombëtare të Londrës për Afganistanin. Nëse mjetet e zgjedhura do të sjellin sukesin e dëshiruar, mund të shihet me dyshim. Para së gjithash riintegrimi i talibanëve dhe pasuesve të tyre - që ishte një ndër temat kryesore në Londër - është për njohësit e mirë të Afganistanit një detyrë pothuajse e pamundur.

As vullneti i madh nuk mund ta fshehë faktin që Perëndimi nuk mund t'i zgjidhë problemet e Afganistanit. Me konferencën e Londrës vendet donatore i japin vetes guxim dhe qetësojnë opinionin kritik. Por dihet që bashkësia ndërkombëtare nuk ka ndonjë "plan B" për Afganistanin.

Autor: Nina Werkhäuser
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 29.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LlQl
  • Data 29.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LlQl