1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Përpjekje për të riparuar marrëdhëniet në Ankara

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden shkon të premten në Turqi. Atmosfera ndërmjet Uashingtonit dhre Ankarasë është e tensionuar, pas mosmarrëvëshjeve të hapura mbi konfliktin në Siri.

Dihet që Joe Biden thotë nganjëherë gjëra, të cilat politikanët e tjerë preferojnë t'i mbajnë për vete. Dhe për presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dihet se në shumicën e rasteve ai është i ndjeshëm ndaj kritikave. Prandaj nuk qe çudi, që Biden me deklaratat e tij në fillim të tetorit zëmëroi kreun e shtetit turk. Biden pohoi se Erdogan i kishte thënë, se ka qenë gabim për t'u mundësuar luftëtarëve islamikë kalimin në Siri përmes kufirit turk. Për këtë Erdogan kërkoi që Biden t'i kërkojë falje, gjë që ai e bëri.

Ky debat tregon qëndrimet e ndryshme të Turqisë dhe SHBA-së lidhur me politikën ndaj sirisë. Uashingtoni ka filluar luftën kundër milicëve xhihadistë të "Shtetit Islamik" (IS) në Siri dhe në Irak dhe bombardon nga ajri pozicionet e IS në qytetin Kobane në Sirinë veriore, direkt në kufirin me Turqinë. Por qëndrimi i Ankarasë është se bashkësia ndërkombëtare duhet të përqëndrohet në rrëzimin e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad.

Furnizimi i kurdëve me armë

Luftime në Kobane

Luftime në Kobane

Nisur nga këto qëndrime të kundërta javët e fundit Erdogan akuzoi SHBA se me operacionin në Kobane mbështesin një organizatë terroriste, partinë e kurdëve PYD, e cila lufton kundër IS atje, një degë e rebelëve kurdë të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK). SHBA e furnizoi PYD me armë, megjithëse Erdogan e kishte kundërshtuar një gjë të tillë.

Tani Biden gjatë vizitës së tij në Ankara do të përpiqet për afrimin e pikëpamjeve. Sipas politologut Behlul Ozkan, ekspert për politikën e jashtme turke në Universitetin Marmara të Stambollit, do të jetë shumë e vështirë për të kapërcyer dallimet. "SHBA duan ta heqin qafe IS", thotë Ozkan në bisedë me DW. Synimi turk për rrëzimin e Asadit nuk është një nga prioritetet e Uashingtonit. Megjithatë të dyja palët do të përpiqen për të gjetur zona të përbashkëta të interesave.

Përfaqësuesit e qeverisë turke njoftuan ditët para vizitës së zëvendëspresidentit amerikan se Uashingtoni po afrohet me pozicionin turk. Ai ka marrë sinjale të forta në këtë drejtim, tha kryeministri turk Ahmet Davutoglu pas një bisede me presidendtin e SHBA-së Barack Obama në kuadër të takimit të G2 në Australi.

Situata në qytetin verior sirian të Aleppos i bën më urgjente përpjekjet për t'i dhënë fund kontradiktave turko-amerikane. Pas tërheqjes nga Aleppo të ushtrisë së rebelëve FSA, të mbështetur nga perëndimi, qyteti ndodhet pak para marrjes nga forcat qeveritare siriane. Ekziston mundësia që një valë e re refugjatësh të arrijë në Turqi, e cila ndodhet vetëm 60 kilometra larg.

"Nuk ka plane amerikane për rrëzimin e Asadit"

Ferhat Pirincci, politolog në universitetin Uludag në Bursa në veriperëndim të Turqisë, duke patur parasysh situatën në Siri sheh nevojën që SHBA të ndryshojnë qëndrimin. Për të luftuar IS, Obamës i duhen trupa tokësore aleate në terren, tha Pirincci në intervistë DW. Prandaj Shtetet e Bashkuara duhet të jenë aktivë, në mënyrë që të fitojnë besueshmëri në këtë çështje.

Refugjatë në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë

Refugjatë në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë

Asli Aydintasbas, kolumnist i gazetës së Stambollit "Milliyet", i këshillon politikanët turq, që të mos kenë iluzione se Uashingtoni do të ndryshojë politikën e tij në Siri dhe të ndërmarrë veprime kundër Asadit. Edhe pse zyrtarët e SHBA e dënojnë presidentin sirian me fjalë të ashpra, ashtu si kolegët e tyre turq, thotë Aydintasbas për DW: "Por kjo nuk do të thotë asgjë. Nuk ka plane për përmbysjen e Asadin." Për Shtetet e Bashkuara lufta kundër milicisë terroriste IS mbetet objektivi kryesor në Siri.

Sipas vlerësimit të Aydintasbas SHBA mund të ishin të gatshme për të bashkëpunuar me Turqinë për të parandaluar një tjetër katastrofë humanitare në Siri, sikur Aleppo të binte. Por që të shohësh këtu një gatishmëri të SHBA për të luftuar Assadin, është e gabuar.