1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Përpjekje për një rezolutë për Sirinë në KS

Rusia nuk pranoi as projekt-rezolutën e re për Sirinë në Këshillin e Sigurimit. Teksti i rezolutës i hartuar nga vende arabe dhe europiane kërkon dorëheqjen e presidentit Assad.

Protesta të opozitës në qytetin Homs në Siri

OKB në kërkim të rezolutës për dhënien fund dhunës në Siri

Sipas vullnetit të arabëve dhe të Perëndimit, projekt-rezoluta për Sirinë e paraqitur në OKB nga Maroku duhej të miratohej shpejt nga Këshilli i Sigurimit. Por ata i kanë bërë llogaritë pa dy fuqitë me të drejtë vetoje, Kinën dhe Rusinë, të cilat në të kaluarën kanë bllokuar çdo kritikë ndaj aleates së tyre, Sirisë.

Rusia bllokon

Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin

Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin

Projekt-rezoluta e re pason vendimet e Lidhjes Arabe të fundjavës së kaluar (21./22.1.). Kjo ofensivë e përbashkët e arabëve dhe e shteteve perëndimore duhet të verë sërish në lëvizje negociatat në Këshillin e Sigurimit për një rezolutë të përbashkët, thotë ambasadori gjerman në OKB Peter Wittig: "Prej tyre ne shpresojmë një trysni për të vepruar edhe ndaj atyre që deri tani kanë qenë skeptikë ndaj një rezolute të tillë. Ne po krijojmë ura. Ne duam që Këshilli i Sigurimit të gjejë një bazë të përbashkët që ta vërë nën kontroll krizën në Siri duke dhënë një mesazh të qartë."

Rezoluta kërkon t'i jepet fund menjëherë dhunës në Siri. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara më shumë se 5.600 vetë kanë humbur jetën atje gjatë dhjetë muajve të fundit, ndër ta 384 fëmijë. Rezoluta krahas reformave dhe lirimit të të burgosurve politikë kërkon edhe që gradualisht presidenti Assad të tërhiqet nga pushteti. Pikërisht kjo kërkesë është molla e sherrit.

Që përpara takimit të Këshillit të Sigurimit Rusia kishte bërë të qartë se nuk do ta miratonte në asnjë mënyrë ndryshimin e regjimit në Siri. Ajo gjithashtu nuk është dakord me embargon e armëve apo sanksionet. Rusët sapo i kanë shitur Damaskut avionë luftarakë në vlerë prej 427 milionë eurosh. Veç kësaj ata kanë një bazë të rëndësishme ushtarake në Siri.

Negociatat do të vazhdojnë

Peter Wittig, ambasadori gjerman në OKB

Peter Wittig, ambasadori gjerman në OKB

Pavarësisht dallimeve të mëdha në qëndrim, ambasadori francez në OKB Gerard Araud e konsideron të mundshme një rezolutë të përbashkët. Negociatat do të vazhdojnë aq kohë sa të 15 anëtarët e këshillit ta miratojnë tekstin, tha francezi pas takimit të posaçëm të instancës më të lartë të OKB-së.

Trysni shtesë në Këshillin e Sigurimit pritet të vijë të martën (31.1.) nga sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Nabil al Arabi dhe i ngarkuari për Sirinë, kryeministri i Katarit Xhasim al-Thani.

„Ne shpresojmë që javën e ardhshme informacionet e dy përfaqësuesve të Lidhjes Arabe të sjellin dinamikë të re në këtë çështje", u shpreh ambasadori gjerman në OKB Wittig.

Rezultati i votimit në KS i hapur

Projekt-rezoluta e re nuk parashikon dënime konkrete por jep mundësinë për marrjen e "masave të mëtejshme". Në dokument shprehimisht nuk pranohet mundësia e dhunës nga jashtë si në rastin e Libisë. Një lëshim i bërë ky për rusët, për t'i nxitur që të paktën të abstenojnë. Javën e ardhshme do të votohet sërish për projekt-rezolutën.

„Rezultati i votimit është i hapur. Unë shpresoj që Rusia ta shfrytëzojë shansin për të gjetur një qëndrim më pozitiv. Jam optimist se kjo mund të arrihet", deklaroi ambasadori gjerman Peter Wittig.

Në sfondin e vazhdimit të gjakderdhjes në Siri trysnia po shtohet edhe ndaj Rusisë. Për shkak të zgjedhjeve së shpejti në Rusi, Putin vazhdon t'i përmbahet kursit të tij antiperëndimor dhe po e shtyn gjithnjë e më shumë miratimin e një rezolute të përbashkët për Sirinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Autor: Claudia Sarre / E. Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

DW.COM