1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Përpjekje e re për ndalimin e partisë ekstremiste të djathtë NPD

Kërkesa për ndalimin e kësaj partie në vitin 2003 dështoi, por përfaqësuesit e landeve gjermane janë optimistë se këtë herë kërkesa do të ketë sukses.

Partia ekstremiste e djathtë NPD (Partia Nacional-Demokratike e Gjermanisë) shfrytëzon çdo mundësi për të mobilizuar anëtarët e saj kundër të huajve, kundër emigracionit dhe për idetë e djathta. NPD organizoi së fundi protesta para një strehimoreje për azilantët, organizon aksione kundër të huajve dhe sulmon si në internet dhe në aktivitete të tjera publike demokracinë parlamentare.

Për shkak të këtyre incidenteve përfaqësuesit e landeve gjermane mendojnë se NPD është antikushtetuese dhe kërkojnë që kjo parti, e cila aktualisht është e përfaqësuar në dy nga parlamentet e kandeve gjermane, të nxirret jashtë ligjit.

Të martën (03.12.) kërkesa do të diskutohet për herë të fundit në konferencën e ministrave të Brendshëm të landeve, dhe do t'i kalojë më pas Gjykatës Federale Kushtetuese në Karlsruhe. Përfaqësuesit e landeve gjermane janë optimistë se këtë herë kërkesa do të ketë sukses.

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CDU) nuk mendon kështu. Dhe edhe qeveria federale dhe Bundestagu nuk i janë bashkuar kërkesës për ndalimin e kësaj partie.

Bundesinnenminister Hans-Peter Friedrich am 6.11.2013

Hans-Peter Friedrich

Edhe Claudia Luzar nuk beson se kërkesa për ndalim do të ketë sukses. Politologia e Universitetit të Shkencave të Aplikuara Dortmund i ka lexuar 244 faqet e kërkesës dhe thotë se: "Në kërkesë nuk ka ndonjë gjë të re dhe besoj se ajo do të jetë e paefektshme."

Përpjekja e dytë

Kërkesa për ndalimin e kësaj partie në vitin 2003 dështoi, sepse u mor vesh se në radhët e kësaj partie dhe në drejtimin e saj kishin depërtuar agjentë të policisë dhe të Entit për Mbrojtjen Kushtetuese. Këta njerëz që paguheshin për të vjelë informacione, kishin edhe ndikim në drejtimin e partisë. Për këtë shkak Gjykata Kushtetuese Gjermane e ndërpreu procesin, e iniciuar nga qeveria e Gerhard Schrëder (SPD).

Tani me sa duket në radhët e NPD-së nuk duhet të ketë më "informantë" dhe gjitha informacionet janë mbledhur pa ndihmën e tyre.

NPD financohet prej taksave

Nëse këtë herë procesi do të dështojë përsëri kjo do të jetë me pasoja shkatërruese, thotë Patrick Gensing në një intervistë për DW. Gensing merret prej më shumë se dhjetë vjetësh me dhunën ekstremiste të djathtë dhe drejton blogun publikative.org. që ka fituar edhe titullin e DW-së BOBS-Award. "Pas dështimit para dhjetë vjetësh NPD është bërë edhe vërtetë me e fortë, sepse ju krijua ndjenja se është e pathyeshme." - thotë Patrick Gensing. Megjithë rrezikun që procesi të dështojë, ai e përshëndet nismën e landeve federale, sepse kjo parti financohet në pjesën më të madhe nga taksat dhe në rast se ndalohet si parti, atëhere nuk mund të përfitojë prej të ardhurave nga taksat.

Edhe Matthias Wërsching që punon pranë një qendre këshëllimore kundër ekstremizimit të djathtë në Berlin dëshiron që NPD të nxirret sa më shpejtë jashtë ligjit, që të mos marrë më para prej shtetit.

Për ndalimin mungon presioni nga shoqëria

Edhe pse të gjithë janë të mendimit se NPD është ekstremiste e djathtë dhe antikushtetuese presioni nga partitë dhe nga shoqëria nuk është tepër i madh.

Edhe Claudia Luzar mendon se nxjerrja nga ligji nuk ka shumë kuptim, sepse në një rast të tillë "funksionarët e kësaj partie do të hidhen në ilegalitet dhe ne nuk mund ta kontroollojmë më atë. Problemi i dhunës ekstremiste të djathtë nuk zgjidhet me këtë rrugë." Sipas Luzar mungojnë projektet afatgjata kundër ekstremiszimit të djathtë. Ajo mendon që policia, organet ligjore, OJQ-të dhe shkencëtarët duhet të punojnë së bashku për t'iu kundërvënë më mirë dhunës ekstremiste të djathtë.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17262632,00.html