1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përpjekje e re për luftimin e korrupsionit në Rumani

Parlamenti rumun ndërmerr sot (13.8.) një përpjekje të re për t'i hapur rrugën fillimit të një procesi hetimor për korrupsion ndaj ish-kryeministrit Adrian Nastase dhe ish-ministrit të transportit Miron Mitrea.

Ish-kryeministri rumun Adrian Nastase

Ish-kryeministri rumun Adrian Nastase

Rasti i ish-kryeministrit, Adrian Nastase, duket se po bëhet thelbësor sa i takon luftës kundër korrupsionit në Rumani. Nastase vazhdon të konsiderohet si një polikan, i cili pushtetin e vet në krye të qeverisë rumune e bazonte në ndikimin personal, korrupsionin dhe shantazhin politik. Deri sot drejtësia nuk ka pasur asnjë mundësi që t'i vërtetonte ndonjë faj politikanit social-demokrat apo të arrinte të merrte ndonjë vendim, sepse deri tani nismat e saj janë bllokuar me taktika të ndryshme zvarritjeje.

Edhe pse prokuroria arriti të ngrinte një herë padijë, Gjykata e Lartë e Rumanisë ia riktheu asaj çështjen për shkak të një vendimi të çuditshëm të Gjykatës Kushtetuese. Zyra për luftimin e korrupsionit DNA e rifilloi sërish çështjen, por tani ajo ka ngecur në vend për shkak të debateve për imunitetin e Nastases si deputet.

Gjykata Kushtetuese vendosi që para se të kryhen hetime për politikanët e nivelit të lartë duhet vendimi i parlamentit. BE-ja mendon se kjo është një përpjekje e re për ta dobësuar luftën kundër korrupsionit në nivelin më të lartë. Eurodeputeti gjerman Markus Ferber (CSU) tha për DW:

"Ky është një interpretim krejtësisht i gabuar i imunitetit parlamentar në luftë kundër korrupsionit. Madje do të ishte në favor të deputetit që akuzohet që të ketë mundësi të dëshmojë pafajësinë. Jam i zhgënjyer për atë që po ndodh aktualisht në Rumani."

Megjithë kritikat masive nga Brukseli dhe Strasburgu si dhe nga shtypi rumun dhe evropian parlamenti rumun deri tani ka votuar gjithmonë në mbrojtje të politikanëve si Adrian Nastase apo ish-ministrit të transportit Miron Mitrea, duke mos e lejuar drejtësinë të hetojë.

Kështu edhe më 24 qershor, kur do të votohej për vazhdimin ose jo të hetimeve ndaj Nastases dhe Mitreas. Për shkak të mungesës së shumë deputetëve në votim, ky u shpall i pavlefshëm. Socialdemokratët e Nastases sulmuan me atë rast si zyrën për luftimin e korrupsionit DNA ashtu edhe ministren e drejtësisë Monica Macovei. Nastase e quajti veten viktimë të një fushate kundër tij dhe kritikoi ashpër edhe presidentin Traian Basescu, i cili sipas tij nuk ka për qëllim të luftojë korrupsionin apo të përmirësojë jetën e rumunëve, por të dëmtojë sistematikisht kundërshtarët e vet politikë edhe me ndihmën e prokurorëve që i ka emëruar vetë.

Pas dështimit të votimit në qershor presidenti Basescu u bëri thirrje deputetëve që ta përsërisin votimin në një sesncë të posaçme gjatë pushimeve verore. Pas kritikave të ashpra të BE-së që u shpreh madje edhe për një bllokadë që po i bënte parlamenti drejtësisë, deputetët e pranuan organizimin e një seance të tillë. Për rifillimin e hetimeve ndaj Nastases dhe Mitreas janë të nevojshme dy të tretat e votave. Por edhe pse askush nuk mund të thotë se si do të shkojë votimi, një gjë është e qartë. Qeveria e kryeministrit aktual Calin Popescu Tariceanu emëroi para dy ditësh një shef të ri në krye të zyrës për luftimin e korrupsionit. Mandati i prokurorit të angazhuar në këtë çështje Daniel Morar mori fund dhe atij nuk iu zgjat mandati.

  • Data 12.08.2008
  • Autor Horatiu Pepine
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Evrs
  • Data 12.08.2008
  • Autor Horatiu Pepine
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Evrs