1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përpjekje e presidentes për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë

Në Kosovë të enjten më 02.10 zhvillohet seanca e radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Deri tash nuk duket se ka zgjidhje të ngërcit politik, që ka përfshirë Kosovën tash e tre muaj.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sapo u kthye nga vizita e saj në SHBA-së takoi në Prishtinë me datën 29.09. një nga një udhëheqësit e subjekteve politike parlamentare, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të dalë nga ngërci politik, që po vazhdon në Kosovë tash e më shumë se tre muaj.

Arbër Vllahiu, këshilltar i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, tha se presidentja zgjidhjen e ngërçit politik e sheh vetëm tek deputetët e Kuvendit të Kosovës. “Këto takime janë zhvilluar në suazën e takimeve drejt lehtësimit të gjetjes së zgjidhjes së ngërçit politik. Nuk mund të flasim për afate kohore, por ka pasur kërkesa që zgjidhja të bëhet sa më herët, në mënyrë që me themelimin e institucioneve të fillohet edhe me kryerjen e obligimeve, që i kanë ato, si në nivelin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, tha Arbër Vllahiu.

“I gjithë spektri politik është i vetëdijshëm që duhet të ketë zgjidhje. Ata edhe në faza më kritike kanë ditur të bashkëpunojnë dhe besojmë që po ata mund të gjejnë zgjidhje, në mënyrë që të ecim tutje drejt formimit të institucioneve. Ne kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe roli i presidentes është gjithmonë kushtetues. Zgjidhja është në mesin e liderëve, prandaj zgjidhja duhet të gjendet në këtë mes”, thotë Arbër Vllahiu.

Seanca e radhës, kur do të provohet të zgjidhet kryetari i Kuvendit, do të mbahet këtë të enjte me datën 02.10. Në seancën e fundit dështoi të zgjidhet kryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, e cila në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese vetëm kjo parti sipas PDK-së, ka të drejtë ta propozojë kryetarin e Kuvendit. Profesori Arsim Bajrami kandidat i PDK-së për kryetar Kuvendi në seancën e fundit mori vetëm 44 nga 120 deputetë, sa ka parlamenti i Kosovës. PDK megjithatë nuk pranon të heqë dorë nga e drejta e saj për të zgjedhur kryetarin e parlamentit në bazë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të tetë qershorit, që doli partia e parë. Ndërkaq partitë në koalicion LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, thonë se ata e kanë shumicën në parlament dhe nga radhët e tyre duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit, meqenëse Partia Demokratike e Kosovës dështoi dy herë radhazi ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Hajredin Kuci, tha pas takimit që krerët e kësaj partie zhvilluan me presidenten Jahjaga, se partia e tij do të jetë konstruktive në procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Por ai përsëriti se zgjidhja duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të respektojë vullnetin e votuesve të shprehur në zgjedhjet e 8 qershorit.

"Besoj që të gjitha palët do të respektojnë rezultatet e 8 qershorit, do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe zgjidhja do të jetë me legjitimitet demokratik dhe legalitet institucional", tha Hajredin Kuçi.

“Ne do të jemi konstruktiv dhe mendojmë që zgjedhjet duhet të jenë zgjidhja e fundit. Megjithatë nëse do të jetë e nevojshme, për zgjedhje ne jemi të gatshëm”, ka thënë Kuçi.

Ndërkohë Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Isa Mustafa, pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga tha se koalicioni V-LAN, e shprehu edhe një herë qëndrimin se zgjidhja duhet të gjendet në Kuvend, me vullnetin e shumicës. Koalicioni V-LAN përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe lëvizja Vetvendosje.

“Me kërkesë të presidentes patëm një takim, ku shprehëm qëndrimin tonë se zgjidhja duhet të gjendet në Kuvend me vullnetin e shumicës, zgjidhje të cilën tanimë ne e kemi ofruar. Përsëritëm qëndrimin që t'u mundësohet deputetëve që vetë ta bëjnë zgjidhjen”, tha lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Presidentja Atifete Jahjaga takoi edhe udhëheqësit e Listës “Srbska”, të cilët deri tash disa herë janë deklaruar se ata do ta votojnë kandidatin për kryetar parlamenti, që ka shumicën në kuvend.

Përfaqësuesit e Listës Serbe pas takimit me presidenten Atifete Jahjaga thanë se deputetët e tyre në vazhdimin e seancës konstituive të enjten do të pranonin që të votonin kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, vetëm nëse kjo e fundit arrin t'i sigurojë të paktën 52 vota tjera.

Lideri përfaqësues i deputetëve të Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, tha se “ne jemi për zgjidhje të ngërçit politik dhe nuk do të paraqesim pengesë për këtë”.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 8 qershor, mirëpo akoma nuk është përmbyllur konstituimi i Kuvendit, që do t'i hapë rrugë edhe krijimit të qeverisë së re. Partitë politike akoma nuk po gjejnë zgjidhje për kryetarin e kuvendit, ndërsa sfida tjetër edhe më e madhe sipas analistëve do të jetë ajo për krijimin e qeverisë.