1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përpara me procesin e integrimit të Ballkanit perëndimor, Evropën pa barriera, dhe nxitjen e fqinjëve lindorë: Prioritetet e Çekisë gjatë presidencës

Intervistë me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Karel Shvarcenberg (Schwarzenberg )lidhur me prioritetet e Çekisë gjatë Presidencës së BE-së.

default

Logoja e presidencës çeke të BE-së

DW: Çekia merr presidencën e radhës në Bashkimin Evropian. Zoti Ministër i Jashtëm, cilat janë qëllimet që ju synoni të arrini në gjashtë muajt në vazhdim?

Shvarcenberg: Qëllimet që ne kishim përcaktuar fillimisht janë tashmë të njohura. Së pari është nxitja e fqinjëve tanë lindorë, së dyti të ecim përpara me procesin e integrimit të Ballkanit perëndimor dhe së treti një Evropë pa barriera. Një Evropë liberale, një Evropë që nuk mbyllet në vetvete, por që përballet me sfidat e reja të kohës. Por siç i ka ndodhur tashmë edhe Presidencave të mëparshme aktiviteti i Presidencës sonë do të ndikohet dhe varet nga ngjarje të tjera. Kriza ekonomike nuk është më në horizont, por ka prekur thellë Evropën. Kam frikë se përballimi i kësaj krize do të zerë një pjesë të mirë të punës së Presidencës dhe ne duhet që të konfrontohemi me këtë. Ka gjithashtu edhe probleme politike të jashtme etnike që po shfaqen këcënuese në horizont. Shkurt dhe qartë mund të përcaktohen shumë synime në fillim të Presidencës, por jeta dikton të tjera. Unë besoj se edhe Presidenca franceze nuk e mendoi në fillim të mandatit se preokupimi kryesor i saj do të ishte konflikti në Kaukaz dhe fillimi i krizës ekonomike.

Ministri i jashtëm çek, Karel Shvarcenberg

Ministri i jashtëm çek, Karel Shvarcenberg

DW: Në temat në veçanti unë do të dëshëroja të kthehesha edhe një herë. Por mua më intereson gjithashtu e ardhmja e Traktatit të Lisbonës. Çekia është njëra nga dy vendet që akoma nuk ka dhënë aprovimin e saj.

Shvarcenberg: Kjo është për fat të keq e drejtë. Kjo tashmë është e vonuar. Së pari ndodhi për arsye të procesit në Gjykatën Kushtetuese për shkak të konflikteve në parlament. Unë besoj se kjo do të realizohet brenda gjashtë muajve në vazhdim.

DW: Presidenti çek, Vaclav Klaus është një kundërshtar i vendosur i traktatit të reformës dhe përveç kësaj ai ka thënë se Presidenca e BE-së është një gjë fare e parëndësishme. Unë do të dëshiroja t´ju pyesja Juve se si punoni dhe jetoni me një President të tillë që është kaq përbuzës kundrejt Bashkimit Evropian?

Shvarcenberg: Shikoni, unë nuk jetoj me të. Sigurisht mua më duhet të punoj herë pas here me të me një respekt të imponuar kundrejt postit të kreut të shtetit, me të cilin unë kam tashmë pikëpamje të ndryshme. Presidenti e di që unë jam i një mendimi shumë ndryshe. Këtë e di edhe unë për të. Ne kemi patur deri tani dy vjet kohë për t´u mësuar me këtë gjendje. Politika e jashtme përcaktohet nga qeveria dhe jo nga Presidenti. Nga ana tjetër unë dua të konstatoj se faktorë të tillë si moti, krerët e shtetit apo rrethin farefisnor njeriu nuk mund t´i zgjedhë. Njeriu i ka ato dhe i duhet të mësohet.

DW: Zoti Shvarcenberg, nga Franca vijnë zëra tashmë zyrtarë që venë në dyshim nëse Çekia do të jetë në gjendje të udhëheqë Bashkimin Evropian në këto kohë krize. A ju ka lënduar Juve ky mendim që vjen nga rrethi i Presidentit francez?

Shvarcenberg: Jo, aspak. Unë nuk mund të prekem kaq lehtë. Unë kam parë dhe përjetuar shumë ngjarje në jetën time. Eshtë e rëndësishme të shihet nëse dyshime të tilla do të jenë të argumentuara në fund të mandatit të Presidencës sonë. Unë jam në dijeni se edhe vende të tjera të vogla janë detyruar të dëgjojnë shprehje të ngjashme dyshimi për suksesin e Presidencës në fillim të mandatit të tyre. Interpretimi im ështe se kemi të bëjmë me një disput politik që shoqëron një Presidencë. Unë nuk e marr aspak seriozisht një gjë të tillë.

DW: Ju vetë e keni quajtur një herë plot vlerësim presidentin francez Nikolas Sarkozy po citoj si "shpirtin e trazirës në politikë". Sa i kënaqur jeni Ju me këtë trazirë që ka sjellë në BE Franca pas gjashtë muajve në Presidencë?

Shvarcenberg: Në tërësi unë mendoj se ne duhet t´i jemi shumë mirënjohës Presidencës franceze. Ka hapa të veçantë, mendime të veçanta, prej të cilave unë nuk isha entuziast. Por duhet thënë se ndërhyrja energjike e Sarkozy-së në konfliktin në Kaukaz ishte një veprim për të cilin Evropa duhet t´i jetë atij mirënjohës. Gjithashtu edhe përpjekjet për të bërë diçka për krizën ekonomike janë për t´u vlerësuar. Ne duhet të shikojmë nëse janë të drejta masat që ai ka parashikuar të marrë. Del jashtë kompetencave të mija në fushën ekonomike për të thënë se çfarë do të ishte ideale. Por sidoqoftë është një Presidencë që vepron, që është aktive.

DW: Kriza ekonomike nuk ishte akoma e dukshme, kur Franca mori Presidencën dhe Ju do të trashëgoni këtë problem kur të merrni kolltukun e drejtuesit të Bashkimit Evropian. Cilat janë parashikimet Tuaja? Sa të rënda do të jenë pasojat e kësaj krize?

Shvarcenberg: Unë mendoj kjo është diçka që ne duhet ta marrim shumë shumë seriozisht dhe me të cilën ne duhet të përballemi në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por kjo nuk duhet të thotë se ne duhet të biem në panik, dhe këtë dua që ta theksoj fort. Ky do të ishte gabimi më i madh dhe rruga e gabuar. Ne duhet që t´i përmbahemi rregullave të sprovuara të ekonomisë dhe financave pa i abandonuar ato në panik e sipër. Ne duhet të jemi koshientë se masat urgjente janë ndonjëherë të domosdoshme. Nëse unë sot thyej këmbën unë duhet të pranoj se për një farë kohe do të duhet të lëviz me këmbën e futur në allçi. Por ne të gjithë e dimë se nëse këtë allçi do ta mbajmë për një kohë të gjatë atëhere muskujt tanë do të dobësohen ose edhe atrofizohen dhe nga kjo njeriu mund të ketë edhe pasoja. Pra siç e thashë të gjitha këto masa urgjente, rregullime dhe çdo masë tjetër duhen aplikuar me shumë kujdes. Mbi të gjitha jo të vendosen në një kohë pa afat dhe e rëndësishme është që të jenë të përcaktuara qartë qëllimet e këtyre masave për kapërcimin e krizës.

DW: Tema e dytë e rëndësishme: raporti kundrejt fqinjëve në Evropën Lindore. Çfarë do të thotë kjo konkretisht? A duhet që vende të tilla si Moldavia apo Ukraina të udhëhiqen drejt një anëtarësimi për në Bashkimin Evropian?

Shvarcenberg: Oh, një gjë e tillë do të zgjasë shumë, shumë dhe kam frikë se do të kërkojë shumë, shumë kohë. Por mendoj se është në interesin tonë që një perspektivë e tillë të mbetet e hapur. Ky është një motor reformues dhe është një motivacion i vërtetë. Nëse kjo prek vendet perëndimore ose nëse kjo prek edhe këto vende mbetet sidoqoftë motivacioni më i fortë për të ndërmarrë reformat e domosdoshme. Dhe këto reforma janë gjithashtu në interesin tonë të madh. Ne harrojmë këtu gjithmonë në këto lloj diskutimesh se ajo që ne bëjmë në këto vende nuk është një veprimtari bamirësije, nuk është një veprimtari vetëm në favor të këtyre vendeve dhe shteteve, por ne mënjanojmë vështirësi që në mënyrë të paevitueshme do të konfrontohemi në një moment të caktuar.

DW: Çfarë roli luan Rusia në këtë koncept? Është ajo thjesht një furnizuese strategjike e energjisë apo bën pjesë Rusia, bën pjesë Moska, edhe në këtë koncept të partneritetit politik?

Shvarcenberg: Rusia është dhe mbetet një botë më vehte me të cilën ne duhet të kërkojmë të kemi marrëdhënie të shëndosha dhe mbi bazën e partneritetit. Kjo nuk është një gjë shumë e thjeshtë, sepse disa zhvillime në Rusi si për shembull kthimi në një sistem autoritar janë shqetësuese për ne. Kjo nuk ndryshon asgjë në faktin se Rusia është jo vetëm një furnizues energjie, por ne duhet që të kërkojmë dhe zhvillojmë vazhdimisht dialogun me të si në diskutimet për sigurinë ashtu edhe në elementet e panumërt të politikës botërore si një partner i domosdoshëm. Jo gjithmonë është një gjë e tillë natyrshëm e qartë dhe në këtë proces ne duhet të ruajmë principet tona. Megjithatë një bisedë më Rusinë është gjithmonë e dobishme dhe gjithnjë e domosdoshme.

  • Data 01.01.2009
  • Autor Christian Trippe
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GPJP
  • Data 01.01.2009
  • Autor Christian Trippe
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GPJP