1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përpara, deri në normalizim, është ende një rrugë e gjatë - koment i DW

Ashtu si pritej, parlamenti i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës si "shtet të pavarur, demokratik dhe të lirë". Me mbështetje krahësh nga SHBA dhe BE kërkesa për pavarësi e shqiptarëve të Kosovës nuk njohu më ndal.

default

Verica Spasovska, drejtuese e programeve për Evropën Qendrore dhe Juglindore

"Qetësi dhe reagime të matura", ky është reagimi i parë i përmbajtur nga Berlini. Ka shumë arsye, që ministri i jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer u kërkon të sillen në mënyrë të arsyeshme të gjitha forcave të prekura në rajon. Sepse brohorimat e gëzimit në Prishtinë nuk mund të të bëjnë të besosh se me pavarësinë e Kosovës të gjitha problemet e Ballkanit u zgjidhën. Në të vërtetë shumë prej tyre fillojnë tani.

Me pavarësinë nuk vijnë automatikisht investuesit e huaj

Në radhë të parë, ka shumë gjasa që shpresat fluturuese të disa qytetarëve të Kosovës, se me pavarësinë në Kosovë do të shkojnë automatikisht në mënyrë masive investues të huaj, të mos plotësohen kaq shpejt. Shumë më tepër, një embargo e mundshme ekonomike e qeverisë serbe- ndërprerja e dërgimit të energjisë dhe të ushqimeve, të lidhjeve të internetit dhe të telefonave si dhe furnizimit me ujë- mund ta përkeqësojë fillimisht edhe më tepër përditshmërinë e njerëzve në Kosovë. Pa mbështetje bujare nga BE vendi nuk do të mund të shlodhet nga agonia shumëvjeçare ekonomike. Por përballë përvojave me ndihmat e kaluara ekonomike në shuma miliardash, ka pak gjasa që këto ndihma të zgjidhin punë shpejt dhe të çojnë në një rritje të vrullshme ekonomike.

A do të arrijë bashkësia ndërkombëtare të ndërtojë një shtet me të vërtetë demokratik kosovar?

Shumë më e komplikuar se gjendja ekonomike është megjithatë çështja, nëse do të arrijë bashkësia ndërkombëtare të ndërtojë një shtet me të vërtetë demokratik, i cili të jetë në gjendje të integrojë të gjithë qytetarët. Sepse ka shumë mundësi që 120 mijë serbët që jetojnë në Kosovë, me mbështetjen e qeverisë së Beogradit të refuzojnë bashkëpunimin me qeverinë e Prishtinës dhe të ndërtojnë struktura paralele. Në rastin më të keq, si në Qipron e Veriut mund të krijohet një "konflikt i ngrirë".

Për koalicionin e brishtë në Beograd, shpallja e pavarësisë së Kosovës është sërish një provim i vështirë. Sepse kryeministri nacional-konservator Kostunica ka deklaruar që në rast të njohjes së Kosovës nga shtetet evropiane do të refuzojë të gjitha marrëveshjet që mund ta afrojnë Serbinë me BE. Përkundrazi, presidenti Tadic nuk dëshiron të heqë dorë nga qëndrimi i tij proevropian. Njëkohësisht, Partia Radikale Serbe e forcon pozicionin e saj si fraksioni më i fuqishëm në parlament. Më e vonta në zgjedhjet komunale në maj, Serbia mund të ndodhet para çështjes vendimtare të drejtimit: midis rrugës për në BE dhe afrimit me Rusinë.

Hapi i diskutueshëm drejt pavarësisë shërben si fitil i ri edhe për forcat centrifugale në republikat fqinje, si në entitetin serb në Bosnjë-Hercegovinë. Vërtet që serbët e Bosnjës nuk pritet të kërkojnë zyrtarisht bashkimin me Serbinë- presioni ndërkombëtar është shumë i madh- por duke pasur si referencë Kosovën ata do të përpiqen edhe në të ardhmen herë pas here të provojnë masën, në të cilën mund t'i bllokojnë organet qendrore në Sarajevë.

Bosnja tregon kufijtë e një "pavarësie të kontrolluar"

Vështrimi drejt Bosnjës, e cila ndodhet prej dhjetë vjetësh nën kontroll ndërkombëtar tregon shumë qartë se ku janë kufijtë e një "pavarësie të kontrolluar". Që tani ka që pyesin nën zë se për sa kohë do ta durojnë shqiptarët e Kosovës gjysmëprotektoratin e diktuar nga BE? Një lloj qetësimi është në këtë kuadër prania e mbi 16 mijë ushtarëve të NATO-s, të cilët duhet të jenë në gjendje të pengojnë përleshje të dhunshme.

Por BE, pjesa më e madhe e të cilit do ta njohë Kosovën nga pikëpamja diplomatike, e ka të qartë se paqtimi i Ballkanit është një detyrë gjigante. Një rrugëdalje nga dilema ka me sa duket vetëm atje, ku kufijtë nacionalë do të luajnë dikur një rol vetëm të dorës së dytë: vetëm kur si Kosova, ashtu edhe Serbia të jenë bërë anëtarë të BE, mund të qetësohet Ballkani në plan afatgjatë. Deri atje është ende një rrugë e gjatë.

  • Data 17.02.2008
  • Autor Verica Spasovska
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D8vT
  • Data 17.02.2008
  • Autor Verica Spasovska
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/D8vT