1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përparësitë e sistemit të ri zgjedhor në Shqipëri

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga maxhoritar-proporcional në rajonal-proporcional është thelbi i reformës zgjedhore të kryer në Shqipëri. Krahas këtij ndryshimi reforma përfshin edhe hartimin e Kodit të ri Elektoral.

Votues ne Shqiperi

Fenomeni i Dushkut u shfaq nga zbrazëtitë e sistemit maxhoritar-proporcional

Ajo që presin votuesit nga aplikimi i sistemit të ri zgjedhor është në radhë të parë respektimi i vullnetit të tyre i shprehur përmes votës. Sistemi maxhoritar-proporcional me të cilin ishin zhvilluar të gjitha zgjedhjet e kaluara parlamentare në Shqipëri lejonte që ky vullnet të shtrembërohej dhe rezultati të kontestohej nga pala humbëse.

Ristani: Sistemi maxhoritar-proporcional kishte zbrazëti ligjore

Arben Ristani, kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë për DW-në se pikërisht shmangia e ndryshimit të verdiktit të zgjedhësve përbën avantazhin kryesor, që ofron sistemi i ri zgjedhor. "Sistemi i kaluar, maxhoritar-proporcional kishte zbrazëti ligjore dhe për pasojë mundësinë për t'i hapur dritën e gjelbër korrektimit të rezultatit të zgjedhjeve, vërtet pa shkelur në thelb ligjin, por duke e shkelur frymën e tij. Duke përfituar nga këto zbrazëti partitë përdorën atë që njihet si "sistemi apo fenomeni i Dushkut" për shkak të vendit, ku u aplikua për herë të parë, në Dushk, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, ku korrigjua rezultati i votimit duke ndërhyrë në rezultatin në proporcional, pra në votën për partitë dhe jo në atë maxhoritar, për kandidatët për deputet," - shpjegon Arben Ristani.

Selia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Selia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Si në një zinxhir ku njëra hallkë sjell tjetrën ashtu edhe respektimi i vullnetit të zgjedhësve sjell një rezultat tjetër pozitiv, për të cilin elektorati është shumë i ndjeshëm: cilësinë e parlamentit që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. "Sistemi maxhoritar-proporcional i detyronte forcat politike të futura në garë të zgjidhnin kandidatë jo me cilësi të larta intelektuale, pasi u duhej që ata të merrnin me çdo kusht votën në zonat ku do të kandidonin. Me sistemin e ri, rajonal-proporcional, nuk votohet më për kandidatin, por për partinë. Kjo u jep mundësi forcave politike që të zgjedhin deputetët e ardhshëm në bazë të të dhënave të tyre më cilësore intelektuale. Prandaj sistemi i ri do të sjellë një parlament më cilësor," - argumenton kryetari i KQZ-së.

Mbikqyrje me kamera elektronike

Një avantazh tjetër kundrejt zgjedhjeve të mëparshme përbën edhe administrimi i sivjetshëm i procesit zgjedhor. Për herë të parë gjithë procesi zgjedhor do të ndiqet nga kamera elektronike.

"Vendet e numërimit të votave do të vëzhgohen me kamera elektronike. Kjo do të sjellë si pasojë lehtësi në menaxhimin e zgjedhjeve dhe gjithashtu shtim të transparencës, pasi partitë do të kenë mundësi të kenë në formë elektronike materialin që del si pasojë e filmimit të çdo vote që numërohet," - thotë Arben Ristani.

Kume: Shumë e rëndësishme është që pala humbëse ta pranojë humbjen

Aplikimi i sistemit të ri zgjedhor, atij maxhoritar proporcional, në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit përkon edhe me një stad të ri të procesit integrues euro-atlantik të Shqipërisë. Ky stad e bën të domosdoshëm cilësimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të lira, të ndershme dhe konform standardeve ndërkombëtare.

Në asnjë nga zgjedhjet e deritanishme parlamentare që janë zhvilluar në Shqipëri nuk ka ndodhur që pala humbëse ta pranojë humbjen

Në asnjë nga zgjedhjet e deritanishme parlamentare që janë zhvilluar në Shqipëri nuk ka ndodhur që pala humbëse ta pranojë humbjen

Për Kristaq Kumen, ekspert i sistemeve zgjedhore, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shumë e rëndësishme është që pala humbëse ta pranojë humbjen, gjë që deri tani nuk ka ndodhur në asnjë nga zgjedhjet e deritanishme parlamentare që janë zhvilluar në Shqipëri.

"Jemi në kushte të ndryshme nga ato në të cilat janë zhvilluar proceset e mëparshmë zgjedhore. Jo vetëm se kemi një sistem tjetër zgjedhor, por sepse Shqipëria është sot anëtare e NATO-s. Të qenurit anëtare i krijon presion mjaft të fortë klasës politike që ajo të pranojë rezultatin e këtij procesi zgjedhor. Presim që pala humbëse ta pranojë humbjen," - vë në dukje Kristaq Kume.

30% e kandidatëve gra dhe vajza

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga maxhoritar-proporcional ne rajonal-proporcional është thelbi i reformës zgjedhore të kryer vitin e kaluar në Shqipëri. Por krahas këtij ndryshimi reforma përfshin edhe hartimin e Kodit të ri Elektoral. Një nga risitë e tij, që përmbush kërkesat e elektoratit dhe i përgjigjet nivelit të sotëm të shoqërisë është perspektiva gjinore. Kodi i ri i detyron me ligj partitë që 30% e kandidatëve të propozuar prej tyre për deputetë të jenë gra dhe vajza. Kjo risi sjell me vete një ndryshim domethënës të peizazhit politik të parlamentit të ardhshëm të Shqipërisë: nga 140 deputetë gjithsej ai pritet të ketë 42 femra.

Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 26.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hxdh
  • Data 26.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hxdh