1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përmes dialogut kushte më të mira për serbët në Kosovë

Dialogu Prishtinë - Beograd pritet të rinisë në shtator. Zyrtarisht nuk janë të bërë të ditura temat e bisedimeve. Burime jozyrtare flasin për zgjidhjen e konfliktit në kalimet kufitare përmes përdorimit të dy vulave.

Bisedimet Kosovë-Serbi pritet të rinisin në shtator. Në foto kryetarja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri

Bisedimet Kosovë-Serbi pritet të rinisin në shtator. Në foto kryetarja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri

Njohësit e rrethanave politike në Kosovë kanë mendime të ndryshme për rrjedhën e vazhdimit të dialogut pas aksionit policor në veri dhe futjes së masave tregtare të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Rangjel Nojkiq, kryetar i Komitetit kosovar të Lëvizjes Serbe të Ripërtërijes (SPO) është optimist dhe pret përparime në vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pavarësisht asaj se çfarë ka ndodhur javët e kaluara në veri. Nëse do të ndahet Prishtina më e kënaqur apo Beogradi, kjo është një çështje tjetër, por sipas tij këto bisedime me siguri që do të çojnë drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për serbët në mbarë Kosovën.

Rangjel Nojkiq, kryetar i Komitetit kosovar të Lëvizjes Serbe të Ripërtërijes (SPO)

Rangjel Nojkiq, kryetar i Komitetit kosovar të Lëvizjes Serbe të Ripërtërijes (SPO)

"Unë në fakt angazhohem që problemi i veriut të zgjidhet së bashku me problemet e serbëve në Kosovën qendrore dhe që kjo të jetë një zgjidhje unike. Mendoj se ishte një gabim i Beogradit, i cili deri tani, në periudhën e fundit, ka treguar më shumë interesim për veriun se sa për atë se çfarë po ndodh në Kosovën qendrore."

Vazhdimi i dialogut nuk do të sjellë ndonjë dobi të madhe?

Nga ana tjetër Agron Bajrami, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës i gazetës "Koha Ditore" vlerëson se vazhdimi i dialogut "nuk do të sjellë ndonjë dobi të madhe". Nuk ka asnjë përparim të vërtetë në jetën e përditshme edhe pse është thënë se është arritur marrëveshje për disa çështje. "Dialogun e shoh më shumë si një performancë, e cila u nevojitet të gjithëve që të duken bukur, por në thelb nuk ka asnjë zhvillim pozitiv", thotë Bajrami.

Ai vlerëson që qeveria në Prishtinë tash do të jetë në pozicion më të mirë pasi "në sipërfaqe kanë dalë të gjitha ato që kanë ndodhur në veri në vitet e pasluftës", ndërsa Nojkiqi beson që në përparësi është "bashkësia ndërkombëtare, e cila ka mekanizmat që të çojë deri në fund këtë proces."

Analisti Agron Bajrami

Analisti Agron Bajrami

Dallime për futjen në përdorim të dy vulave

Bashkëbiseduesit tanë kanë mendime të ndryshme për idenë e futjes në përdorim të dy vulave doganore, në njërën prej të cilave do të shkruante "Dogana e Kosovës" apo "Dogana Pejë, Mitrovicë, Prishtinë" dhe në tjetrën "UNMIK - Shërbimi Doganor i Kosovës", apo "EULEX - Shërbimi Doganor i Kosovës".

"Problemi do të zgjidhet në Bruksel në praninë e bashkësisë ndërkombëtare. Sipas të gjitha gjasave do të gjendet një zgjidhje otpimale e tretë", vlerëson Nojkiqi. Ndërkaq sipas Agron Bajramit kjo është "një lojë e Beogradit në mënyrë që të mos arrihet asnjë marrëveshje". "Nuk e di pse Beogradin do ta pengonte vula e tanishme. Në të nuk shkruan Republika e Kosovës, por është vetëm vulë e doganës së Kosovës."


Përsa i përket idesë për një status special të veriut të Kosovës, Nojkiqi vlerëson se ngjarjet tek Zubin Potoku dhe Zveçani diktojnë zgjidhje parciale të problemit - gjë që për Nojkiqin është e gabuar. "Nëse do të vinte puna deri tek një status special për veriun apo tek ndonjë ndarje, atëherë kjo do të ishte katastrofale për serbët nga kjo anë e Ibrit. Unë shpresoj që puna nuk do të vijë deri tek një zgjidhje e tillë", sqaron Rangjel Nojkiqi.

Autor: Refki Alija / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi