1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përmbysje politike në Greqi

Zgjedhjet në Greqi sollën përmbysje të thellë të sistemit politik, pasi sistemi dypartiak u shemb, e majta u afirmua si forca e dytë politike dhe ultra e djathta hyri në parlamentin shtatëpartiak.

Në foto, Andonis Samaras

Në foto, Andonis Samaras

Në qoftë se synimi i zgjedhjeve të parakohshme të 6 majit në Greqi ishte siç pretendonte kreu konservator Andonis Samaras, që i shkaktoi me insistimin e tij, një mandat i ri popullor për një qeveri stabile për të nxjerrë vendin nga kriza, rezultati i tyre është në rastin më të mirë shumë larg tij. Dy partitë e sistemit tradicional dypartiak, PASOK-u dhe Demokracia e Re, që pësuan disfatë historike sipas analistëve, respektivisht me 13.2 % dhe 18.9%, jo veç por as bashkë nuk munden të sigurojnë shumicën e 151 vendeve në parlament, pavarësisht favorizimit të partisë së parë prej ligjit elektoral me 50 vende shtesë. "Përmbysje ishte mesazhi që dërgoi shoqëria. Nuk ishte përmbysje thjesht përsa i përket përqindjes së dy partive, që kapen kuota të ulëta historike, por përmbysje në lidhje me funksionimin e demokracisë në këtë vend që hap një faqe të re, me koalicione qeveritare dhe kulturë të re politike", i thotë DW-së analisti grek, Fotis Papulias.

E majta afirmohet si forcë alternative pushteti

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Ana tjetër e përmbysjes –pse jo kryesorja- ishte afirmimi i partisë së majtë SIRIZA, që guxoi të dalë dhe me program si forcë alternative pushteti, si forca e dytë politike duke lënë mjaft pas socialistët e Papandreut dhe pasuesit të tij Venizellos që paguan koston e memorandumeve të troikës dhe politikave të kursimeve të rrepta. "Mendoj se për të majtën është shansi i saj historik dhe nuk nënkuptoj thjesht nevojën që të bëhet një forcë qeverisëse apo një forcë potenciale pushteti. Është shansi i saj historik që të thellojë përmbysjen e raporteve që e kanë mbajtur vendin peng të sistemit dypartiak dhe pse jo të shndërrohet dhe në një përspektivë të qartë pushteti", thekson analisti grek që njëkohësisht e quan "njollë për demokracinë" hyrjen e organizatës raciste dhe naziste me 7% ose 21 vende në parlament.

E majta kundër marrëveshjes së kreditimit dhe memorandumit

Në foto, Aleksis Cipras

Në foto, Aleksis Cipras

Vetë kreu i partisë së majtë Siriza, Aleksis Cipras, foli për një "mesazh të fuqishëm përmbysjeje si në Greqi po kështu edhe në Evropë kundër memorandumeve të barbarizmit" dhe premtoi se do të punojë për një "qeveri të majtë". "I vetmi angazhimi ynë në këto momente është se do të nderojmë mandatin që na jep populli dhe do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë me qëllim që vendi të përftojë qeveri që do të denoncojë marrëveshjen e kredituese të vasalitetit dhe do të shfuqizojë memorandumin e falimentimit", deklaroi Cipras që fillimisht, siç sqaroi, do tu drejtohet forcave të majta për të formuar qeveri.

Votë shprese dhe jo thjesht votë revolte

Pamje nga procesi i votimit

Pamje nga procesi i votimit

Votues që folën dhe në mikrofonin e DW-së do të dëshmonin se vota e tyre nuk ishte thjesht votë revolte për kursin e ndjekur, por ishte votë shprese. "Duhet të kemi përmbysje që të kemi diçka tjetër. Nuk mund të vazhdojmë deri në vitin 2050 me këtë gjendje, me varfërim të përditshëm dhe pa shpresë për të nesërmen", i thotë DW-së avokati Panajotis Jeorgakopullos, duke kërkuar për këtë në radhë të parë të vijnë në skenën politike parti dhe njerëz të rinj me vizion dhe vullnet për të shpëtuar vendin nga katastrofa. "Ishin zgjedhje vendimtare, me shumë dilema", do t'i thotë DW-së edhe votuesja e minoritetit grek Kristina Çikolla që si shumë bashkatdhetarë të saj në këto zgjedhje kishte edhe merakun e kandidatëve të tij, pesë në numër, që luftonin për të hyrë në parlament. "Se erdhi ora që të ndryshojë Greqia, por të kemi edhe ne prezencën tonë në parlament", thotë Kristina që pret dhe "satisfaksion të dytë, fitoren e kandidatëve të rinj dhe jo të emrave të vjetër" në fletëvotimet e partive.

Ose qeveri shumëpartiake ose zgjedhje të reja

Në foto, Evangelos Venizelos

Në foto, Evangelos Venizelos

Problemi jetik dhe praktik është si do të qeveriset vendi dhe si do të sigurojë livrimin e kësteve të kredisë prej trojkës që vjen këtë javë në Athinë me kërkesën për reforma dhe stabilitet. Ky ishte edhe graviteti i deklaratave të kreut të socialistëve, Evangjellos Venizellos, i cili theksoi nevojën e krijimit të një "qeverie të unitetit kombëtar". "Ne do të ndërmarrim nismën në atë drejtim duke premtuar një kuadër që lejon së pari që vendi të ketë stabilitet politik dhe orientim të qartë evropian", tha Venizellos duke i drejtuar ftesë të hapur edhe një herë Samaras-it i cili në vazhdim nga ana e tij foli për "qeveri të shpëtimit kombëtar". "Sot bëj këtë propozim të hapur ndaj të gjitha forcave që pranojnë kursin evropian të vendit dhe nevojën e ndryshimit të politikës ekonomike", tha Samaras, i cili edhe një herë kërkoi ndryshimin e memorandumit dhe hyrjen e vendit në orbitën e zhvillimit.

Samaras merr sot i pari mandatin e formimit të qeverisë, që në rast dështimi do tu kalojë me radhë dy liderëve të tjerë Cipras dhe Venizellos. Mbetet të shihet nëse do të zgjidhet "fjalëkryqi" i vështirë grek apo në krye të 14 ditëve do të kemi shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Autor: Niko Anagnosti / Athinë

Redaktoi: Esat Ahmeti