1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Përmasë e re e dhunës në Siri - kush fshihet pas sulmeve vetëvrasëse?

Sulmet vetëvrasëse kanë tronditur Damaskun të premten. Si pasojë e dy sulmeve vetëvrasëse u vranë në Damask dhjetëra persona. Ndërkohë që janë plagosur mbi 100 të tjerë.

Sulmet në Damask

Sulmet në Damask

Televizioni shtetëror i Sirisë tregonte trupa të pajetë dhe ngutjen e ekipeve për shpëtimin e të plagosurve të premten(23.12.). Mund të shiheshin edhe godina të shkatërruara. Televizioni njofton se përveç viktimave civile kishte edhe ushtarë të vrarë. Sulmet vetëvrasëse ishin të drejtuara kundër godinave të forcave siriane të sigurisë dhe shërbimit sekret në kryeqytet. Përfaqësues të qeverisë thonë se përgjegjësinë për këto sulme e mban rrjeti terrorist Al Kaida.

Dëshmitarët okularë njoftojnë se shpërthimet në Damask kanë qenë shumë të fuqishme dhe janë dëgjuar në tërë qytetin. Forcat e sigurisë kanë bllokuar rrugët rreth vendit të ngjarjes. Shumë persona janë arrestuar.

Sulmet i përgjigjen regjimit

Sulmet në Damask

Kush qëndron pas sulmeve - regjimi apo rrjetet terroriste?

Sulmet me bomba ndodhën në kohën kur në Damask po qëndron një paramision i Ligës Arabe për përgatitjen e misionit të vëzhguesve. Prej fillimit të protestave kundër regjimit autoritar të presidentit Baschar al Assad në mars të këtij viti, Siria ka akuzuar shpesh grupet terroriste dhe bandat e kriminelëve për trazira në vend.

Kristin Hellberg, e cila për vite të tëra ka raportuar nga Damasku për Deutsche Wellen dhe media e tjera gjermane, thotë se është e mundur që pas këtyre sulmeve të qëndrojë vetë regjimi i Assadit. "Ajo që po ndodh tani është pikërisht ajo që regjimi do t'ua paraqesë vëzhguesve: se regjimi po lufton kundër terrorizmit në rritje. Pas atyre që kemi parë muajt e kaluar, këtij regjimi nuk mund t'i besohet asgjë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes paqësore me Ligën Arabe nga e hëna (19.12.) ka shpërthyer një valë e re dhune me mbi 250 të vrarë", pohon ajo.

Hellberg ka përshtypjen se regjimi ka shfrytëzuar javët e kaluara për të forcuar aksionet kundër demonstruesve dhe aktivistëve nga "Armata e lirë e Sirisë". Kombet e Bashkuara njofojnë se prej fillimit të protestave në Siri janë vrarë mbi 5.000 njerëz. Dyshohet se numri i viktimave gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm do të rritet.

Frika nga lufta e gjatë qytetare

Ushtarët në rrugë.

Dhuna e forcave të sigurisë nuk ka të ndalur

Avi Primor, ish-ambasador i Izraelit në Gjermani, pohon se në Siri mund të shpërthejë një luftë e gjatë dhe e përgjakshme qytetare. Ai thotë se numri i mbështetësve të Assadit është i madh: „Një pjesë e madhe e popullatës siriane e mbështet presidentin. Ka shumë minoritete në Siri, të cilat qëndrojnë pas Assadit."

Shkallëzimi më i ri i dhunës mund të ketë efekte shtesë tek minoritetet apo të krishterët. Ndaj është e mundur që ato të më shumë të mbështesin Assadin. Ndërkohë që njerëzit në Siri janë duke vuajtur dhe pasojat e sanksioneve të vendosura nga amerikanët edhe evropianët. Njerëzit nuk kanë ngrohje. "Pjesërisht as në Damask nuk ka energji elektrike, e të mos flasim për qytetet tjera", thotë Kristin Hellberg.

Kjo pakënaqësi i shkon në favor regjimit, sepse ai e bën përgjegjës faktorin ndërkombëtar për gjendjen. Kjo strategji jep fryte tek shumë sirianë të pavendosur. Në këtë mënyrë ata vendosin të mbajnë anën e Assadit, shpjegon Hellberg.

Autor: Thomas Kohlmann/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi