1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë, dhjetra të lënduar

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi, thonë se opozita në Kosovë tentoi që më dhunë ta marrë pushtetin.

Dhjetra protestues dhe dhjetra policë të lënduar, e dëme të konsiderueshme materiale, ky është bilanci i ditës së sotme gjatë protestës në Prishtinë. Disa mijëra qytetarë protestuan sërish para qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, që të shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq dhe kundër qasjes së qeverisë ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepca që gjenden në veri të Kosovës. Protesta u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u mbështet edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Protestuesit mbanin pankarta të shumta kundër qeverisë, ndër to edhe “Trepca është e Jona”, e “Jabllanoviq Jashtë”.

Policia përdor gaz lotësjellës

Qindra forca të policisë duke vendosur edhe pengesa metalike, kishin rrethuar objektin e qeverisë së Kosovës për të parandaluar ndonjë dhunë të mundshme si ajo që u manifestua të shtunën, kur protestuesit demoluan xhamat e qeverisë dhe disa lokale afariste aty përreth. Protestuesit disa herë tentuan të kalojnë kordonet e policisë, mirëpo, policia përdori gasin lotësjellës dhe topa uji dhe nuk lejoi protetsuesit që t'i afrohen objektit të qeverisë. Pati disa policë të lëndruar nga gurët që hudheshin në drejtim të policisë, ndërsa, konfirmohet edhe për rreth 30 protestues që kanë marrë lëndime. Zyrtarë nga Qendra Klinike Universitare, thonë se personat që kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër klinike, asnjëri nga ta nuk është në rrezik për jetën. Ndërkohë, policia konfirmon për 35 polic të lënduar dhe rreth 30 qytetar.

Në një komunikatë për media policia e Kosovës njoftoi se "rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët, duke hedhur gjësende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t'i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme". Për orë të tëra sheshet kryesore të Prishtinës u shndërruan në arenë përleshjesh ndërmjet policisë dhe protestuesve. Protestuesit hodhën edhe” koktej-molotov”, në drejtim të policisë.

Asnjë reagim ndaj kërkesave të protestuesve

Protesta e ditës së martë me (27.01) pason protestën e së shtunës, e cila përfundoi me dhunë dhe me një “ultimatum” të protestuesve për qeverinë e Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Aleksander Jabllanoviq dhe të procedojë në parlament ligjin e veçantë për kompleksin metalurgjik Trepça që e shndërron atë në ndërmarrje publike. Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur kërkesave të parashtruara.

Isa Mustafa

Isa Mustafa

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministri, Hashim Thaci, thanë se “opozita ka keqpërdorur ndjenjat e një pjese të qytetarëve për qëllimet e saj politike dhe protestat sipas tyre nuk kishin për qëllim shkarkimin e ministrit Jabllanovic. “Kjo kërkesë ishte vetëm pretekst”. Veprime të tilla të dhunshme, sipas tyre janë sulm ndaj institucioneve, forcave të rendit, si dhe ndaj pasurisë publike e private.

"Opozita duhet të sillet sipas votës së qytetarëve dhe jo të sillet dhunshëm dhe me dhunë të provojnë të marrin pushtetin. Sot, ka pasur dhunë, është sulmuar policia e Kosovës, institucionet e saj dhe prona publike e private", tha kryeministri Isa Mustafa.

Në të njëtën linjë, u shpreh edhe zëvëndëskryeministri i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, i cili tha se “dhuna e sotme ishte e planifikuar, ishte brutale e drejtuar kundër policisë dhe institucioneve”. Sipas, Thacit, protestat kishin objektiva politike që u drejtuan nga opozita.

"Nuk do të dorëzohemi përballë dhunës. Një veprim i tillë, ishte tentim për të marrë pushtetin me dhunë”, tha zëvëndëskryeministri, Hashim Thaci.

Gjuhë kërcënuese

Të dy udhëheqësit politikë, Isa Mustafa dhe Hashim Thaci, partitë e të cilëve përbëjnë qeverinë, thonë se “Gjuha kërcënuese e përdorur sot në protestë nga organizatorët e saj është e papranueshme dhe ne i dënojmë aktet e tilla nxitëse”.

“Po ashtu, manipulimi me nxënës përmes këshillave të nxënësve dhe organizimi i tyre në protestë është manipulim i skajshëm dhe tërësisht i papranueshëm për Qeverinë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekuri dhe maturi politike dhe qytetare, si dhe për tolerancë, gjë që e ka karakterizuar gjithnjë popullin tonë. Qeveria dënon dhunën e ushtruar ndaj Policisë së Kosovës, duke i falënderuar policët e Kosovës për profesionalizmin e treguar edhe gjatë kësaj proteste”, thuhej në reagimin e paraditës së qeverisë së Kosovës.

Skenat kaotike dhe të dhunshme plotësisht të papranueshme

Skenat kaotike dhe të dhunshme në rrugët e Prishtinës, janë plotësisht të papranueshme edhe për presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila bëri thirrje për qetësi dhe rivendosje të rendit në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit si dhe për reflektim.

“Ju bëj thirrje protestuesve të mbetur në rrugët e qytetit të Prishtinës që të shpërndahen në mënyrë të qetë dhe të mos vazhdojnë përplasjen me Policinë e Kosovës, një institucion përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe të ligjit dhe për sigurinë e secilit qytetar të vendit. Ajo është Policia jonë. Udhëheqësit politikë të të gjitha partive në vend, përfshirë pozitën dhe opozitën, të rinisin dialogun ndërmjet vete dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke e ndërprerë këtë cikël të dhunës në rrugë. Kërkoj gjithashtu nga liderët politikë të vendit nga i gjithë spektri politik, të distancohen nga aktet e dhunës që po e dëmtojnë rëndë shtetin tonë të ri”, thotë në reagimin e saj presidentja Jahjaga.

Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

“E konsideroj të papranueshme dhunën ndaj Policisë së Kosovës dhe dëmtimin e pronës publike e private nga protestuesit në protestat e sotme. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme dhe e garantuar me Kushtetutën e vendit, por kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe dhuna e sotme në sheshet e Prishtinës prish rëndë rendin dhe ligjin dhe cenon seriozisht sigurinë e qytetarëve”.

Zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra më e mirë për të tejkaluar situatat e krijuara dhe duhet të veprojmë bashkërisht në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes.

Partitë politike opozitare e kanë dënuar si thonë “dhunën e ushtruar të policisë ndaj protetuesve”, duke mos qartësuar nëse do të vazhdohet me protesta të tjera apo jo.