1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përleshje e armatosur mes policisë dhe një grupi në Kumanovë

Të shtëna armësh dhe shpërthime të fuqishme janë regjistruar rreth orës pesë të mëngjesit të diës së shtunë (09.05) në lagjen e Trimave në Kumanovë të Maqedonisë.

Zëdhënësi i policisë së Maqedonisë, Ivo Kotevski në konferencën e parë të shtypit, dha detaje për aksionin policor. Sipas informacioneve operative, të cilat i ka pasur policia, një grup i armatosur ka pasur për qëllim që të organizojë sulme të armatosura ndaj institucioneve të ndryshme shtetërore. Grupi ka hyrë në Maqedoni nga një shtet fqinj dhe nëpërmjet mbështetësve të tyre është strehuar dhe është përgatitur që të veprojë për sulme terroriste. Ky grup është i armatosur mirë dhe i trajnuar për luftë në kushte të tilla ka theksuar zënëdhësi Kotevski: "Në aksionin e sotëm nga ora 5 e mëngjesit, policia ka filluar operacionin, ndërsa ka hasur në rrezistencë të ashpër, ku është shtënë me armë kallashnikov, armë më të rënda, snajperë dhe bomba. Bëhet fjalë për një vend me rrugë të ngushta dhe policia duhet të bëjë kontrolle nëpër të gjitha shtëpitë me qëllim që deri në fund ta shkatërrojë këtë grup”,ka deklaruar Kotevski, i cili ka apeluar që qytetarët të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur. Policia tha se për shkak të situatës tepër të ndjeshme nuk do të raportohen informacione më të detajuara as për numrin e të plagosurve as të të lënduarve. Jo zyrtarisht flitet se ka persona të vdekur si nga ana e civilëve poashtu edhe nga pjesëtarët e policisë. Në Klinikën Universitare të Shkupit në orët e paraditës (09.05) janë transportuar me helikopter pjestarë të lënduar të forcave policore.

Partitë politike apelojnë për qetësi dhe maturi

Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të thellë po ndjek zhvillimet në Kumanovë dhe në vazhdimësi ka apeluar tek qytetarët për përmbajtje, rruajtje të gjakftohtësisë. BDI gjykon që zhvillimet në Kumanovë, janë veprime që janë në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Luginën e Preshevës. Jemi të bindur që vetëm një Maqedoni stabile dhe e sigurtë ndihmon rajonin dhe asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon. Shqiptarët në Maqedoni kanë agjendë të paracaktuar dhe në bashkëveprim me SHBA, BE dhe NATO duan ta shohin këtë vend me barazi të plotë, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në paqë e stabilitet si dhe të anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut verior dhe të integruar në Bashkimin Evropian, sipas BDI.

Opozita maqedonase LSDM fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e skenarëve të errët për nxitjen e konfliktit dhe destabilizimin e Maqedonisë.
Lideri Zoran Zaev i bëri thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski që menjëherë të dalë para qytetarëve dhe të japë sqarime, kush, pse, me çfarë qëllimi po e destabilizon Maqedoninë? Pse grupe kriminale nga territoret e vendeve tjera fqinje hyjnë në Maqedoni? Kush i organizon dhe për çfarë qëllimi? Të njëjtën duhet gjë ta bëjë edhe Ali Ahmeti.Viktima janë qytetarët si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët, edhe policët edhe popullata civile., ka thënë lideri i opozitës maqedonase Zoran zaev

Partia Demokratike Shqiptare konform pozicionit momental politik që ka si opozitë, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme si dhe institucionet e tjera qeveritare të involvuara në këtë situatë, që me veprimet e tyre në asnjë mënyrë të mos cënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve. PDSH ka potencialin dhe aftësinë politike që pakënaqësitë e akumuluara t‘i artikulojë me metoda politike dhe t‘i mbrojë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë si dhe apelon që shqiptarët të mos bëhen pjesë e skenarëve të individëve dhe grupeve të ndryshme me agjendë dhe qëllime, të cilat nuk përkojnë me metodat me të cilat shqiptarët do të donin të zgjidheshin problemet e tyre, sipas PDSH.

Aksionet e armatosura në zonat shqiptare në Maqedoni nuk shkojnë në favor të çështjes shqiptare të Maqedonisë dhe nuk i kontribuojnë as çështjes shqiptare në Ballkan, thonë nga Lëvizja BESA. Policia të ndalë aksionin në Kumanovë dhe të tërhiqet, sepse vrasja e civilëve të pafajshëm nuk e amneston asnjë aksion të policisë. Për Lëvizjen BESA ky aksion është inskenuar që krizën politike në vend ta shndërrojë në krizë ndëretnike.

Tirana dhe Prishtina të shqetësuara për situatën në Maqedoni

Minsitria e Jashtme e Shqipërisë është duke ndjekur me vëmendje situatën e orëve të fundit në Maqedoni dhe shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar, me pasoja të rënda në jetë njerëzish, dëmtime të pronës dhe rendit publik. Dënojmë aktet e dhunës dhe bëjmë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe për mos përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, e cila nuk i shërben stabilitetit demokratik dhe prosperitetit të Maqedonisë. Gjuha e urjejtes dhe veprimet ekstreme duhet t‘ia lënë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë dhe shtetit ligjor, thuhet në reagimin e MPJ të Shqipërisë.

Ministria e Jashtme e Kosovës po përcjell me shqetësim të thellë lajmet në Maqedoni për incidentet e dhunshme në disa lokalitete, me njoftime për viktima. Republika e Kosovës dënon ashpër cënimin e rendit dhe sigurisë nga çfarëdo individi apo grupi me qëllime destabilizuese në Maqedoni.

MPJ e Kosovës njëkohësisht apelon tek të gjitha palët që të përmbahen nga dhuna dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut politik, në kuadër të institucioneve të vendit dhe Marrëveshjes së Ohrit, që garanton integritetin e Maqedonisë dhe përmbushjen e të drejtave të komuniteteve, thuhet në reagimin e MPJ-së së Kosovës

SHBA dhe BE : Të shmanget shkallëzimi i tensioneve

Shprehim keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të njerëzve në aksionin policor në Kumanovë, dhe u shprehim ngushëllimet tona familjeve të policeve dhe civilëve të vrarë dhe të plagosur. Po e përcjellim situatën dhe jemi në kontakt te vazhdueshëm me autoritetet dhe liderët politikë. Bëjmë thirrje tek qytetaret të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë të zbardhen faktet.

Delegacioni i Bashkimit Evropian është duke ndjekur me kujdes të dhënat dhe raportet lidhur me aksionin policor që po ndodh në Kumanovë dhe rrethinë, prej nga u raportua edhe për shkëmbim të gjuajtjeve me armë. “Jemi në kontakt me autoritet dhe me partitë politike. Fuqishëm apelojmë deri tek të gjithë qytetarët dhe faktorët politikë që të qëndrojnë të qetë dhe të presin që qeveritarët relevant të tregojnë faktet dhe të sqarojnë atë që po ndodh. Shpresojmë që do të shmanget shkallëzimi i tensioneve”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.