1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Përkujtohet 66 vjetori i sulmit bërthamor në Hiroshimë

Ishte një aktivitet i veçantë me më shumë pjesëmarrës se zakonisht. Kryebashkiaku i Hiroshimës përkujtoi viktimat e shumta dhe njerëzit që ende vuajnë nga pasojat e radioaktivitetit atomik.

Pamje nga Hiroshima

Pamje nga Hiroshima

Organizimi në Hiroshima ishte i njëjtë si gjithmonë, por në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe njerëz që vinin nga zona e centralit bërthamor të dëmtuar në Fukushima. Kryetari i Bashkisë së Hiroshimës, Kazumi Matsui bëri thirrje të shtunën (6.8.) jo vetëm për shkatërrimin e të gjitha armëve bërthamore në botë por edhe për një ndryshim në politikën e energjisë.

Pamje nga Hiroshima

Pamje nga Hiroshima

"Katastrofa në centralin bërthamor të Tepcos në Fukushima 1 dhe rreziku i vazhdueshëm nga rrezatimi radiaoktiv ka shkaktuar një frikë të madhe në mesin e njerëzve në zonat e prekura dhe gjetkë. Besimi që kishin japonezët tek centralet bërthamore është lëkundur rëndë. Duke u nisur nga paralajmërimi që energjia bërthamore dhe njerëzimi nuk mund të bashkëekzistojnë disa kërkojnë që të hiqet dorë plotësisht nga energjia bërthamore, të tjerë kërkojnë kontrolle të ashpra të centraleve bërthamore dhe një përdorim më të madh të energjisë së ripërtëritshme. Qeveria japoneze duhet me përulje të pranojë këtë realitet dhe të ripërpunojë shpejt politikën energjitike dhe të ndërmarrë veprime për të rifituar besimin e popullatës."

Kjo është hera e parë që në një nga fjalimet e Hiroshimës vihet në pikëpyetje edhe përdorimi i energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan, përsëriti deklaratën e tij se do të ndryshojë politikën e energjisë.

Kryeministri japonez Naoto Kan

Kryeministri japonez Naoto Kan

"Ne kemi filluar të mendojmë nga e para për politikën energjetike të vendit tonë. Sa i përket energjisë bërthamore, ne duhet të braktisim besimin tradicional që centralet bërthamore janë të sigurta. Ne duhet të shqyrtojmë me kujdes shkaqet e fatkeqësisë dhe të ndërmarrim të gjitha masat e mundshme të sigurisë. Por ne gjithashtu duhet të zvogëlojmë varësinë nga energjia bërthamore."

Pothuajse 70 për qind e të mbijetuarëve të sulmit amerikan me bombë atomike janë për mbylljen e shpejtë të të gjitha centraleve bërthamore në Japoni. Shuntaro Hida ende e kujton mirë rrugën e tij nëpër qytetin e shkatërruar disa minuta pas shpërthimit me 6 gusht të vitit 1945. Atëherë si pasojë e sulmit menjëherë jetën patën humbur mbi 70 mijë njerëz dhe poaq të tjerë patën vdekur gjatë muajve të ardhshëm.

"Atëherë me shpejtësi kam udhëtuar përmes rrugës kryesore në qendër të Hiroshimës. Unë u trondita kur takova njeriun e parë. Nuk isha i sigurtë se a bëhej fjalë për një qenie të gjallë. Ishte shumë e vështirë të identifikoje formën e tij. Ishte shumë e vështirë ta kuptoje që është njeri", sqaron Shuntaro Hida i cili punonte atë kohë si mjek në Hiroshimë. Tani ai ka mbushur 94 vjeç. Pak kohë pas sulmit ai së bashku me disa kolegë kishte ngritur në periferi të qytetit një qendër mjekësore. Që nga ajo kohë ai kujdeset për viktimat e rrezatimit dhe është ndër ekspertët e paktë në Japoni që ka kritikuar vlerat e rrezatimit të katastrofës aktuale në Fukushima.

Autor: Peter Kujath / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama