1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shqipëria 1990

Përkujtohet 2 korriku në Ambasadën gjermane në Tiranë

Ambasada Gjermane në Tiranë, Instituti Gëte dhe Radio Deutsche Welle organizuan dje pasdite në Tiranë një veprimtari në përkujtim të ngjarjeve të korrikut të vitit 1990.

Aktiviteti në kujtim të 20 vjetorit të vërshimit të më tepër se 3 mijë qytetarëve shqiptarë në territorin e ambasadës gjermane në Tiranë.

Vilma Filaj Ballvora duke folur për 20 vjetorin e vërshimit në territorin e ambasadës gjermane në Tiranë.

Aktiviteti në kujtim të 20 vjetorit të vërshimit të më tepër se 3 mijë qytetarëve shqiptarë në territorin e ambasadës gjermane në Tiranë, ishte konceptuar si një rindërtim hap pas hapi, një retro për ngjarjet më kryesore. Qysh kur Ylli Bodinaku shpërtheu me makinën e tij murin rrethues të ambasadës e deri tek udhëtimi gati biblik i refugjatëve, me autobuza, me traget, e më pas me tren nga Brindizi nëpër territorin e Gjermanisë.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt, për të krijuar edhë më shumë atmosferë hodhi një vështrim edhe më të hershëm, para 2 korrikut. Në atë që konsiderohej si acarim i diktaturës komuniste me njerëzit që tentonin të kalonin kufirin në mënyrë ilegale. Ndaj cilido që pikasej për aktin e arratisjes qëllohej edhe me armë nga patrullat kufitare për sprapsje, si një shenjë frikësimi deri dhe eleminimi fizik. Raste te tilla u regjistruan në Korçë, Sarandë etj.

Brigitta Grau Gynther, drejtuese e Qëndrës së Gjermanishtes në Tiranë.

Brigitta Grau Gynther, drejtuese e Qëndrës së Gjermanishtes në Tiranë.

Shqipëria e izoluara e para 20 viteve kishte një sërë problemesh të mprehta ekonomike e sociale, që e kishin rënduar së tepërmi jetën e qytetarëve, kishin shtrënguar lakun e mbijetesës së tyre. Ndaj dhe adresimi për në territoret e ambsadave të huaja shikohej si një mjet për ta kundërshtuar regjimin komunist, por dhe si një motiv sigurie për jetën dhe përpjekje për të shkuar diku ku jetohej e punohej më mirë.

Vilma Filaj Ballvora, e cila ka qënë vetë në mesin e grupit të refugjatëve që hynë në ambasadën gjermane në Tiranë, paraqiti dëshmi interesante dhe prekëse gjatë aktivitetit. Si përfaqësuese e Radios Gjermane Deutsche Welle, ajo prezantoi per te pranishmit dy performanca multimediale, si pjese e dosjes që po emetohet dhe nëpërmjet faqes së internetit të programit shqip të këtij radiostacioni.

Performanca e parë ishte një kolazh me përjetimet e protagonistëve në mesin e refugjatëve shqiptarë, si Ilir Demalia, Thoma Plasoti, Ervis Gega, Kliton Pleqi etj. Ndërkohë që materiali tjetër retrospektiv kishte një këndvështrim tjetër: nga tre aktivistët gjermanë të cilët shoqëruan grupin e refugjatëvë nga Brindizi i Italisë deri në destinacionet e pritjes në territorin e Gjermanisë. Të intervistuar ishin Waltraud Schröder, që drejtonte njësinë e gatishmërisë së Kryqit të Kuq për landin e Shlesvig-Holshtajn, Hilmar Mahron po nga nga Kryqi i Kuq gjerman dhe Adelheid Feilcke që kryente rolin e përkthimit.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Rruga 36 orëshe e trenit me një gjatësi të pazakontë rreth 536 metrash ishte plot detaje jetësore, me vështirësi e mundime nga më të paimagjinueshmet, por që për njerëzit që shikonin qartë “dritë në fund të tunelit” gjithshka minimizohej e kapërcehej me durim e solidaritet të pazakontë.

Brigitta Grau Gynther, drejtuese e Qëndrës së Gjermanishtes në Tiranë u shpreh se gjatë shfletimit të dëshmive e deklarimeve për ngjarjet e ambasadave ajo kishte mësuar shumë. Por sipas saj gjithësesi “ende mbeten mjaft momente e detaje nga ajo periudhë që duken jo të sqaruara mirë dhe që kërkojnë vëmendje. Ndaj dhe Gynther paralajmëroi se në kuadër të Tetorit Gjerman që do të mbahet vjeshtën e këtij viti në Tiranë do të mbahet dhe një forum diskutimi mes dëshmitarëve, por dhe të gjithë të interësuarve mbi këto çështje. “Me anë të këtij aktiviteti ne synojmë që të mbështesim Shqipërinë që ti kushtojë vëmendje kujtimit të së shkuarës, por njëkohësisht dhe për të sensiblizuar opinionin në Gjermani se çfarë ofron Shqipëria në këtë drejtim”.

Duke iu kthyer dy dekadave më parë ngjarjet e 2 korrikut shikohen pazgjidhshmerisht edhe me ndodhi të tjera të rëndësishme për shqiptarët. Fillimin e protestave demokratike të studentëve në Tiranë më 8 dhe 9 dhjetor, që në një kohë të shkurtër u zgjeruan në një valë proteste antiqeveritare në mbarë Shqipërinë. Për të nisur nga proceset e pakthyeshme të pluralizmit, si garanci për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të ndërtimit të ekonomisë së tregut të lirë, forcimit të institucioneve demokratike etj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama




  • Data 09.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OElw
  • Data 09.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OElw