1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Përgjimi i agjentëve të huaj në Gjermani - i vështirë

Qeveria gjermane reagoi ndaj rasteve të dyshuara të spiunazhit. Në të ardhmen kundërspiunazhi gjerman do të veprojë edhe ndaj shteteve mike. Por për këtë atij i mungojnë fondet.

Kush do të zgjerojë spiunazhin në Gjermani duhet të investojë shumë para dhe personel - për këtë janë të sigurtë ekspertët. Sigurisht që qeveria gjermane mund të zgjerojë mjetet financiare për Shërbimin Informativ Gjerman (BND) dhe Entin e Mbrojtjes Kushtetuese. Bundetagu nuk do të kishte për këtë probleme me mazhorancën aktuale të kristiandemokratëve-kristiansocialëve me socialdemokratët. Por ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble duhet të kërkojë fonde shtesë. Në buxhet nuk është planifikuar për këtë asgjë konkrete.

Deri më tani fokusi i kundërspiunazhit është fokusuar tek vende si Rusia, Kina poa Irani. Vendimi për ta orientuar vështrimin edhe nga Perëndimi, duket se është marrë në ujdi mes ministrit të kabinetit të kancelares, Peter Altmaier, ministrit të Brendshëm Thomas de Maiziere dhe ministrit të Jashtëm Frank-Walter Steinmeier.

Shërbimi Informativ Gjerman

Shërbimi Informativ Gjerman

Operacionet strikte - të pamundura

Edhe sikur institucionet përkatëse të mbulohen me para, ato nuk e kanë të qartë se si duhet realizuar përforcimi i kundërspiunazhit në detaj. Ministria e Brendshme e pyetur për këtë nuk jep informata. Kështu mbetet ende e paqartë nëse vërtet është marrë nje vendim politik për këtë në Gjermani. Por duket se planet ekzistojnë. Për zgjerimim e kundërspiunazhit në Gjermani është bërë fjalë edhe më parë, në fillim të viteve 90-të. Atëherë Bernd Schmidbauer koordinator i shërbimeve sekrete në zyrën e kancelarit të atëhershëm Helmut Kohl e kishte kërkuar këtë, por për shkak të frikës së prishjes së marrëdhënieve gjermano-amerikane, një vendim i tillë u la.

Ekspertë të shërbimeve sekrete si Eric Schmidt-Eenboomtërheqin vëmendjen se kundërspiunazhi ose mund të jetë thjesht teknik përmes transferimit të të dhënave ose mund të kryhet përmes mënyrës klasike të spiunazhit. Për ekspertin është iluzore realizimi i idesë së hedhur, se BND-ja vërtet mund të zbulojë në SHBA apo në Britaninë e Madhe, se ku dhe cilët spiunë janë aktivë në Gjermani. Tek BND ka shumë proamerikanë. "Shërbimi informativ i jashtëm i Gjermanisë nuk do të lejojë të rrezikohet bashkëpunimi me CIA-n në vende të tjera nga disa persona të kundërspiunazhit", thotë Eenboom. Sidomos në luftën kundër terrorizmit Gjermania është e varur nga Shtetet e Bashkuara.

Ajo që mbetet është kundërspiunazhi thjesht teknik. "Ky është relativisht i thjeshtë dhe mund të kryhet pa shumë kosto" thotë Eenboom. Madje ai funksionon shumë mirë edhe në këto kohë. Megjithatë si eksperti Erci Schmidt-Eenboom dhe shumë ekspertë nga qarqe sigurie janë të mendimit se kundërspiunazhi gjerman do të mbetet defensiv.