1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përgjigja e duhur e BE

Nëse sanksionet ekonomike kundër Rusisë do të japin rezultatet e dëshiruara, nuk e di askush. Por BE-ja duhet të provojë edhe këtë masë, mendon Bernd Riegert.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Më në fund edhe kjo ndodhi! Pas muaj të tërë zvarritjesh dhe hezitimesh, Bashkimi Evropian ka marrë vendim për sanksione ekonomike, që mund të japin rezultate. 28 vendet anëtare nuk e kanë pasur lehtë që të dakordohen për sanksione kundër, sepse secili i ka parasysh interesat e veta ekonomike. Por megjithatë u arrit marrëveshja. Kjo është pozitive. Nëse BE nuk do të vepronte, do të humbiste edhe besueshmërinë. Pas kaq shumë kërcënimeve dhe paralajmërimeve në adresë të Moskës, i domosdoshëm ka qenë edhe veprimi i qartë.

Presidenti i Rusisë po luan një lojë të rrezikshme dhe megjithë vdekjen tragjike të gati 300 udhëtarëve të pafajshëm të një avioni në Lindje të Ukrainës, ai nuk i ndali ushtarakët rebelë, të cilët vetë i ka lëshuar nga zingjiri. BE-së nuk i ka mbetur rrugë tjetër. Ajo e ka pranuar okupimin e Krimesë. Ka shikuar se si kryengritja e personave të armatosur në Lindje të Ukrainës po shndërrohet në një lloj lufte qytetare. Ka lejuar të poshtërohet nga Moska. Vladimir Putinit i ka bërë oferta të shumta. Por goditja dhe rrëzimi i avionit MH-17 ka sjellë deri te konkludimi: tani u bë boll.

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Nëse sanksionet ekonomike do të japin pasojat e dëshiruara dhe do të detyrojnë presidentin rus të ndryshojë politikë, askush nuk mund ta thotë me siguri. Por do të zgjatë shumë. Ekonomia ruse do të vuajë, do të ketë ndoshta edhe recesion, por Vladimir Putini mund të durojë më shumë se sa që Perëndimi do të dëshironte. Populli duket se qëndron pas tij. A thua do ta mbështesin edhe oligarkët, kur të shohin se pasuria e tyre po shkrihet? BE për fat të keq nuk u ka treguar me kohë qytetarëve të vet se sanksionet ndaj Rusisë do të kushtojnë. Në rastin më të keq, Putini mund të urdhërojë ndërprerjen e furznizimit të Evropës me gaz të Rusisë.

Çuditërisht presidentët dhe kryeminsitrat ua kanë lënë këtë vendim të rëndë ambasadorëve në Bruksel. Asnjë deklaratë publike para kamerave, asgjë. Për shumë gjëra në Bruksel mbahen samit të veçanta, por jo edhe për këtë hap drastik ndaj Moskës. Një katastrofë e prezantimit publik (PR). Një prezantim më i keq i politikës së BE nuk ka mundur të ndodhë.

Evropianët dhe SHBA janë sërish unikë në politikën e sanksioneve. BE-ja është afruar me kursin më të ashpër latent të Shtëpisë së Bardhë. Kjo është mirë, sepse vetëm bashkësia ndërkombëtare unike ndoshta mund të lë pështypje tek Putini. Por ai ka dhe opsione të tjera. Ai nuk është kaq i izoluar sa do të dëshironte BE- Kina dhevendet e tjera në zhvillim si Brazili, India dhe Afrika e Jugut (vendet e BRICS) janë afruar së fundi me sunduesin autokratik në Kremlin. Kjo u pa qartë para pak kohësh në samitin e BRICS në Brazil. Në shtigje afatgjata, Rusia ndoshta nuk do të ketë nevojë për eksportimin e energjisë në Evropë dhe mund të furnizohet me maqina nga Kina.

BE-ja e ka bërë hapin e parë në spiralen e sanksioneve. Hapi ishte i domosdoshëm. Tani urgjentisht duhet të këshillohet me shtetet e treta, për të evituar shkeljen e këtyre sanksioneve nga bankat në Azi apo Amerikën Latine. Qëllimi i BE duhet të mbetet që të ndërpriten pretendimet imperiale të Rusisë, që paqa të mbizotërojë në Ukrainë dhe që Evropa të ruaje rendin paqësorë. Sanksionet janë arma më e ashpër politike. Tani Rusia ka dy zgjidhje: shkallëzimin apo ndryshimin e kursit.