1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përgjegjësia e Hungarisë dhe roli i saj në shtypjen e Pranverës së Pragës

Edhe pse historianët i kanë vënë më fort në fokus ngjarjet e 40 vjetëve më parë, hungarezët vazhdojnë të kenë pak njohuri për historinë e këtyre ngjarjeve.

Në përpjekjen për t'i dhënë fund socializmit me fytyrë njerëzore në Çekosllovaki, morën pjesë edhe trupat hungareze

Në përpjekjen për t'i dhënë fund "socializmit me fytyrë njerëzore" në Çekosllovaki, morën pjesë edhe trupat hungareze

Natën e 20 gushtit, duke gdhirë 21 gushti 1968, në Pragë u futën tanket e Traktatit të Varshavës. Me këtë mori fund një periudhë ripërtëritjeje, të cilën e nisën në Çekosllovaki Aleksandër Dubçeku dhe socialistët reformatorë të tij. Nuk ishte hera e parë që një model socializmi, që shmangej nga ai i Moskës, shtypej me dhunë prej saj. Vetëm 12 vjet më parë në Hungari qe shtypur kryengritja popullore. Megjithatë në përpjekjen për t'i dhënë fund "socializmit me fytyrë njerëzore" në Çekosllovaki, morën pjesë edhe trupa hungareze. Pikërisht meqenëse udhëheqja hungareze e 68-ës rreth Janosh Kadarit konsiderohej si reformatore, vendimi për të marrë pjesë në shtypjen e dhunshme të lëvizjes në Çekosllovaki shkaktoi zemërim në Hungari. Këto ngjarje janë sqaruar ndërkohë nga historianët, megjithëse në publik ato diskutohen pak.

Besnikëri ndaj socializmit

Vetëm sa për një lajm të shkurtër ia vlejti në Radion Hungareze marshimi i trupave të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki, më 21 gusht 1968. Edhe zëvendëskryeministri hungarez Lajos Feher u përpoq vetëm disa ditë më vonë ta justifikonte pjesëmarrjen e ushtrisë hungareze:

"Trupat tona marshuan, sepse ndoqën thirrjen e udhëheqësve politikë që i kanë qëndruar besnikë socializmit. Ne donim të pengonim një kthim pas të zhvillimeve në Çekosllovaki. Synimi ynë ishte që t'u ndihmonim komunistëve dhe punëtorëve çekosllovakë, për t'i mbajtur pozicionet e socializmit."

Shumica e hungarezëve ishin të shqetësuar për pjesëmarrjen me trupa ushtarake në ngjarjet e Pragës. Sepse vetëm 12 vjet më parë, e patën shtypur tanket sovjetike kryengritjen popullore hungareze. Veç kësaj, në Hungari po kryheshin reforma ekonomike, dhe fillimisht udhëheqja hungareze i kishte ndjekur me simpati të qartë përpjekjet çekosllovake.

Një "jo" mund të kishte pasur shumë pasoja negative për Hungarinë

Pse ra dakord udhëheqja hungareze të merrte pjesë me trupa në shtypjen e Pranverës së Pragës? Sepse ajo mendonte se mund të kishte përfitime politike, thotë historiani Ferenc Fisher: "Po të kishin thënë jo, kjo mund të kishte pasur shumë pasoja negative për Hungarinë. Njëherë, shefi i partisë dhe i shtetit të RDGJ, Ulbriht tha se ajo që do të pasojë do të jetë Hungaria. Ky ishte një sinjal, në bazë të të cilit Hungaria mund të llogariste se me një Jo kategorike të kthehej pas i gjithë procesi reformator në Hungari. Në këtë gjendje të acaruar shpresohej se liria relative në politikën e brendshme hungareze do të ruhej, nëse Hungaria vinte trupa në dispozicion për Çekosllovakinë. Megjithatë, për ne qe tragjike, që Hungaria qe e detyruar të merrte pjesë."

Tragjikën e ngjarjeve radiostacionet e huaja e njohën që atëherë. Programi në gjuhën hungareze i BBC-së informoi më 21 gusht:

"Invazioni është pranim i faktit që komunizmi dhe liria janë të papajtueshëm me njëri-tjetrin. Ai kryhet nga frika, se edhe vende të tjera komuniste do të bëjnë të vetin idealin e lirisë. Por lirinë nuk mund ta ndalësh me tanke dhe topa. Pushtetmbajtësit politikë në Hungari dhe Poloni, me pjesëmarrjen e tyre në marshimin e trupave duan të forcojnë pozitat në vendin e tyre. Por kjo është një lojë e rrezikshme, e cila mund të kthehet edhe në bumerang."

Edhe pse historianët hungarezë i kanë vënë më fort në fokus ngjarjet e vitit 1968, hungarezët vazhdojnë të kenë pak njohuri për historinë gjatë periudhës së komunizimit

Edhe pse historianët hungarezë i kanë vënë më fort në fokus ngjarjet e vitit 1968, hungarezët vazhdojnë të kenë pak njohuri për historinë gjatë periudhës së komunizimit

Pendim pak para kthesës politike në vitin 1989

21 vjet të tjera ju desh të prisnin për lirinë njerëzve në vendet socialiste. Për pjesëmarrjen e trupave hungareze në shtypjen e Pranverës së Pragës, parlamenti hungarez u kërkoi falje çekëve dhe sllovakëve, pak para kthesës politike në vitin 1989.

Vërtet që prej atëherë, historianët i kanë vënë më fort në fokus ngjarjet e 40 vjetëve më parë, por hungarezët vazhdojnë të kenë pak njohuri për historinë. Përgjegjësia e Hungarisë atëherë dhe roli i saj në shtypjen e Pranverës së Pragës thuajse nuk diskutohen. Prej dekadash, hungarezët përkujtojnë më 20 gusht themelimin e shtetit të tyre. Krahas kësaj feste, përkujtimi i gushtit të vitit 1968 mund të kalojë disi në plan të dytë. Dhe kështu, edhe këtë vit, në Budapest në kalendar ishte vetëm një aktivitet, i cili i kushtohej shtypjes së Pranverës së Pragës me pjesëmarrjen e ushtrisë hungareze.

  • Data 18.08.2008
  • Autor Christian Erdei
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F07M
  • Data 18.08.2008
  • Autor Christian Erdei
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F07M