1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Përgatitje për Lojërat Olimpike Dimërore

Krahas gëzimit në prag të Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi shtohet edhe kritika. "Lojëra Olimpike nga epruveta", kritikojnë disa.

Në sportet dimërore, pajisjet e duhura janë kryesorja: xhup me pupla, doreza, kapuç leshi. Por në Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi mund të jetë çdo gjë ndryshe. Këtu nevojiten pantofla plazhi dhe rrroba banje. Klima në Soçi është subtropikale, qyteti në jugperëndimin e skajshëm të Rusisë shtrihet direkt në Detin e Zi, në "rivierën ruse". Ky plazh i preferuar ndodhet në të njëjtën paralele, si Nica në Cote d'Azur, në Jug të Francës. Organizatorët rusë ëndërrojnë tashmë për "Lojërat Dimërore nën palma”.

"Për mua këto janë Lojëra Olimpike nga epruveta"

Por lojërat, që janë planifikuar të fillojnë më 7 shkurt, janë akoma vetëm një ëndërr. Qyteti i Soçit i ngjan një kantieri gjigand ndërtimi. Dhe nga të gjitha anët vijnë kritika: se lojërat janë shumë të shtrenjta, dhe për shkak të ndërtimit masiv të objekteve sportive, shkatërrohet mjedisi. "Për mua, këto janë Lojëra Olimpike nga epruveta", kritikon patinatorja gjermane pesë herë kampione bote Jenny Wolf në bisedë për DW. Dhe pastaj edhe diskutimi mbi situatën e të drejtave të njeriut në vend, për shkak të së cilës edhe Presidenti gjerman Joachim Gauck hoqi dorë nga një udhëtim në Soçi. A janë të kështu lojërat normale?


"Përse duhet të fluturojë flaka olimpike nëpër hapësirë?"

Tanimë është e qartë se ato do të jenë lojërat më të shtrenjta të bëra ndonjëherë. Në gati 40 milionë euro arrijnë shpenzimet e përgjithshme, shumë më tepër nga sa i kishin vlerësuar përgjëgjësit në vitin 2007, kur caktuan vendin e organizimit të tyre.


"Përse duhet që flaka olimpike të fluturojë nëpër hapësirë?" Shtron pyetjen skermistja gjermane Imke Duplitzer. Kampionia e Evropës kritikon në intervistë për DW sidomos pompozitetin e lojërave. "Kjo është një ngjarje sportive", thotë Duplitzer, e cila si sportiste e lojërave verore do ta shohë olimpiadën në televizion. Ajo thotë se për presidentin rus Putin Lojërat Olimpike janë në radhë të parë një demonstrim i forcës.

Protesta nga aktivistë të të drejtave të njeriut dhe ambientalistët

Përveç pompozitetit objekt diskutimi është edhe gjendja e të drejtave të njeriut në Rusi, sidomos diskriminimi i homoseksualëve. Sipas organizatorëve gjatë lojërave do të ketë zona të veçanta për demonstrata. Kështu presidenti rus Putin i përgjigjet deri diku Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) me këtë hap. Fillimisht Putin i pati ndaluar me dekret mitingjet në vendin e organizimit të Lojërave Olimpike. Presidenti i IOC, Thomas Bach, e mirëpriti këtë iniciativë, "sepse tani, secili ka mundësinë për të shprehur protestën e tij."

Protesta ka edhe nga ambientalistët. Kritika e tyre është se rezervateve natyrore u është hequr statusi, me qëllim që të shfrytëzohen për Lojërat Olimpike. Kështu ndërkohë janë krijuar deponi plehrash në male dhe lumenj të tërë janë ndotur nga punimet e ndërtimeve.

Nivel rekord i kontrolleve të dopingut

Edhe çështjes së dopingut do t'i kushtohet përsëri një rëndësi e veçantë gjatë Lojërave. Në nëntor Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) pati pezulluar përkohësisht një laborator kontrolli në Moskë për mungesë cilësie. Pastaj shefi WADA David Howman tha se nuk ka nevojë për shqetësim.

Presidenti i IOC Thomas Bach deklaroi: "Ne do të jemi më të mençur dhe më këmbëngulës se çdo herë tjetër në luftën kundër dopingut.” Sidomos në prag të lojërave atletët duhet të kontrollohen më shpesh", tha Bach. Numri i kontrolleve është ngjitur në një nivel rekord prej 2453. Në lojërat e fundit në Vankuver ka pasur 2149 teste.

"Ndijesi e çuditshme"

Olympia Sotchi Deutsches Team wird eingekleidet

Veshjet e ekipit gjerman për Olimpiadën Dimërore 2014

Sa i përket sportit, gjermanët i kanë venë vetes qëllime ambicioze, për të fituar nga 27 deri në 42 medalje. "Edhe nëse konkurrenca ndërkombëtare është e fortë, ne duam së paku t'i mbajmë dhe t'i përmirësojmë rezultatet tona", tha drejtori i përgjithshëm i Konfederatës gjermane të Sporteve Olimpike (DOSB), Michael Vesper. Në Lojërat e fundit Dimërore në Vankuver, gjermanët zunë vendin e dytë në rang nacionesh me 30 medalje pas Kanadasë.

Patinatorja Jenny Wolf thotë në një intervistë për DW, se ajo shkon me një "ndijesi të çuditshme" në Soçi. Ajo ka përjetuar se si forcat e sigurisë në Rusi janë mjaft të ashpra. "Ne kemi pasur një Kampionat Botëror atje dhe unë nuk jam ndjerë aq e mirëpritur si në vende të tjera të Lojërave Olimpike", thotë Wolf. "Kjo nuk është gjë aq e bukur, siç mund të imagjinohet, kur nisesh për në Lojërat Olimpike. Por ndoshta edhe mund të ketë surpriza të këndshme." Mbetet të shpresojmë se atletët dhe tifozët me të vërtetë do të kenë befasime të këndshme. Pavarësisht nga palmat dhe klima subtropikale në Soçi ata duhet t'i marrin masat paraprake dhe të vishen ngrohtë.