1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përfundon fushata elektorale në Kosovë

Të dielën zhvillohet procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale. Mbi një milionë e 500 mijë qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote. Zgjedhjet lokale në Kosovë kësaj radhe organizohen për herë të parë tërësisht nga kosovarët

Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen me 15 nëntor këtë të diel, për herë të parë do të votohet drejpërdrejt për kryetarë komunash. Zgjedhje do të zhvillohen në 36 komuna të Kosovës, përfshirë këtu edhe tri komunat e reja më shumicë serbe të krijuara në bazë të planit të decentralizimit. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njoftojnë se të regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhje janë gjithsej 76 subjekte politike. Këtu përfshihen 37 parti politike, 15 kandidatë të pavarur 18 iniciativa qytetare dhe dy koalicione. Nga ky numër 34 subjekte janë nga komuniteti shqiptar, 21 nga komuniteti serb, 2 malazezë, 3 nga ai turk, 1 rom, 2 ashkalinj, 1 egjiptian, 1 goran dhe 7 subjekte politike boshnjake. Të drejtë vote kanë mbi një milion e pesëqindëmijë qytetar të Kosovës.

Janë afro 750 qendra votimi me mbi 2 mijë vendvotime. Vendvotimet ditën e diel do të hapen në ora shtatë të mëngjesit dhe pritet të mbyllen zyrtarisht në orën 19 të mbrëmjes. Sipas zyrtarëve të KQZ-së, nëse radhët e njerëzve janë të gjata, atëherë qendrat e votimit mund të qëndrojnë të hapuara edhe pas orës 19-të. Zgjedhjet lokale do të përcillen nga mbi 20 mijë vëzhgues, ndërsa, vëzhguesit kryesorë janë një rrjet i organizatave joqeveritare ndërkombëtare, ENEMO. Për të përcjellë zgjedhjet lokale të ditës së diel, në Kosovë do të qëndrojë edhe një delegacion i Parlamentit Evropian.

Policia e Kosovës nga ana e saj thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat që procesi i votmit gjatë ditës së diel të zhvillohet në një atmosferë të qetë pa telashe. Baki Kelani, është zdhënës i policisë.

Policia ka përgatitur të gjitha planet operacionale për ecurinë e fushatës parazgjedhore dhe gjithashtu ka përgatitur planin për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve. Është i angazhuar numër i mjaftueshëm i policëve në të gjitha drejtoritë rajonale, përfshirë këtu edhe ato në vendbanimet serbe”, thotë zëdhënësi Baki Kelani.

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it, thonë se nuk kanë plane të veçanta operative për ditën e zgjedhjeve. Sipas komandantit të KFOR-it, gjeneralit Gjerman Markus Bentler, nuk ka indikacione për përkeqësim të mundshëm të situatës së sigurisë.

Z gjedhjet e para, të organizuara në mënyrë të pavarur nga institucionet e Kosovës, kanë vëmendjen tonë kryesore. Ne, së bashku me të gjithë partnerët tanë, veçanërisht me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, do të sigurojmë një ambient të qetë dhe të sigurtë. Ne do të jemi aty për njerëzit e Kosovës, do të jemi të gatshëm të reagojmë shumë shpejt nëse paraqitet nevoja”, thotë gjenerali Bentler.

Në zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Kosovë në vitin 2007, numri pjesëmarrësve në zgjedhje ishte pak më shumë se 40 përqind. Kjo shifër nuk ishte e kënaqshme për autoritetet e këtushme dhe as komunitetin ndërkombëtar, mirëpo, zgjedhjet u shpallën të vlefshme, sepse nuk kishte të përcaktuar ndonjë prag të përqindjes së daljes në zgjedhje. Edhe kësaj radhe do të veprohet në mënyrë të njëjtë, sepse as Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh ndonjë prag të përqindjes së pjesëmarrjes në zgjedhje, për t'i shpallur ato të vlefshme apo të pavlefshme.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 13.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KWRi
  • Data 13.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KWRi