1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Përfundojnë në atmosferë të mirë bisedimet me Iranin për programin bërthamor

E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Ashton është optimiste pas bisedimeve të para me Iranin pas 15 muajsh në çëhtjen bërthamore.

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu (djathtas) dhe kryenegociatori iranian Said Xhalili.

Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu (djathtas) dhe kryenegociatori iranian Said Xhalili.

Në grindjen rreth programit bërthamor iranian Teherani dhe bashkësia ndërkombëtare e tejkaluan gjendjen e pamundësisë për të ecur përpara. Pas një raundi të parë bisedimesh në Stamboll të shtunën (pas 15 muajsh ndërprerje) e ngarkuara e Bashkimit Evropian me politikën e jashtme Catherine Ashton shprehu optimizëm të përmbajtur. Ajo i cilësoi bisedimet si të dobishme e konstruktive. Për 23 majin është rënë në ujdi për një takim tjetër në kryeqytetin irakian Bagdad, tha Ashton në Stamboll pas bisedimeve me udhëheqjen iraniane.

Objektivi është një marrëveshje me të drejta dhe detyrime të qarta

"Ne duam të mbërrijmë në një proces të qëndrueshëm dialogu serioz, ku mund të ndërmarrim hapa praktikë, urgjentë për ndërtimin e besimit dhe që shpie në pranimin nga ana e Iranit, me gjithë detyrimet ndërkombëtare, që sjell kjo me vete. Në përpjekjet tona për të arritur këtë ne do të udhëhiqemi nga parimi i qasjes hap-pas-hapi dhe ai i reciprocitetit. Ne presim që takimet pasuese do të çojnë në hapa konkretë drejt një zgjidhjeje të negociuar gjithëpërfshirëse, e cila rivendos besimin ndërkombëtar në një program bërthamor iranian vetëm të natyrës paqësore. Për këtë arsye ne do të takohemi përsëri së shpejti, më 23 maj në Bagdad. Pararendës i këtij takimi do të jetë një takim përgatitor i zëvendësve." u shpreh Ashton.

E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Ashton

E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Ashton

Irani këmbungul se programi i tij bërthamor është paqësor, mirëpo në një pjesë të madhe të bashkësisë ndërkombëtare dyshohet se ai po përpiqet të zotërojë një program armësh bërthamore. Kryenegociatori i Iranit Said Xhalili i cilësoi bisedimet shumë të suksesshme dhe të mbështetura në frymë bashkëpunimi. Baronesha Ashton nënvizoi se Irani ka të drejtën për të pasur një program bërthamor paqësor. Në bisedimet me Iranin marrin pjesë SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, Rusia dhe Gjermania.

Perëndimi e vlerëson takimin si hap në drejtimin e duhur

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle theksoi vullnetin për të arritur në një zgjidhje politike në konfliktin për çështjen bërthamore. Westerwelle i tha gazetës "Bild am Sonntag" se më e rëndësishmja është që ekziston marrëveshja për një takim pasues, si dhe vullneti për të hyrë në një proces substancial. Ministri i Jashtëm britanik William Hague tha se takimi është një hap i parë, por mbetet për t'u përshkuar një rrugë e gjatë. Kolegu i tij francez Alain Juppé kërkoi gjeste konkrete nga Teherani për krijimin e besimit. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi qëndrimin pozitiv të Iranit, duke thënë se takimi i së shtunës përbënte një hap të parë.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Ina Verbica