1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Përfundojnë bisedimet qeveritare gjermano-ruse. Nënshkruhen 15 marrëveshje.

Në Hanover përfunduan të enjten në mbrëmje (19.7.) konsultimet qeveritare gjermano-ruse dhe u nënshkruan 15 marrëveshje bilaterale. Kancelarja Angela Merkel tha se në Gjermani është shtuar interesi për gazin rus.

Konsultimet qeveritare gjermano-ruse 2011

Konsultimet qeveritare gjermano-ruse 2011

Tri ditë më parë thuhej: anulimi i vendimit që kryeministrit rus Putin t'i ndahet çmimi Quadriga do të luajë një rol të rëndësishëm në konsultimet qeveritare gjermano-ruse. Por në përfundim të konsultimeve situata dukej krejt ndryshe. Ndonëse, pa e pyetur askush, presidenti Dmitri Medvedev kritikoi pezullimin e vendimit që Putinit t'i ndahet ky çmim.

„Në qoftë se merret një vendim ai duhet edhe të zbatohet. Në të kundërtën mund të bëhet fjalë për mungesë konsekuence dhe burracakëri,“ tha Medvedev duke shtuar se "ky çmim tanimë ka vdekur për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare".

Përveç këtyre fjalëve të ashpra, atmosfera në Hanover ishte harmonike. Medvedevi tha se bisedimet me kancelaren Merkel u zhvilluan në një atmosferë mirëbesimi të plotë. Ndërsa Angela Merkel ishte e kënaqur për faktin se janë nënshkruar 15 marrëveshje të ndryshme, ndër to edhe për bashkëpunim në sektorin e energjisë. Merkel tha se Gjermania për shkak të heqjes dorë nga energjia atomike, në të ardhmen do të ketë nevojë për më shumë gaz. Por kjo nuk do të thotë që gazi patjetër duhet të vijë nga Rusia.

Angela Merkel dhe Dimitri Medvedev

Angela Merkel dhe Dimitri Medvedev

„Nëse do të kemi nevojë për burime të tjera energjie, pas vendimit për heqje më të përshpejtuar dorë nga energjia atomike, do të vendoset natyrisht në treg. Sa më i lirë që është gazi rus, aq më e madhe do të jetë mundësia që ta blejmë," tha kancelarja.

Sa i përket temave politike, Merkel dhe Medvedev duan të vazhdojnë dialogun. Ndaj Rusisë nuk do të bëhet presion që të pranojë një rezolutë në OKB kundër qeverisë siriane, por edhe këtu janë arritur disa linja të përbashkëta. Ndërkohë që për krizën në zonën e euros, kancelarja tha se nuk do të ketë ndonjë zgjidhje tepër të shpejtë dhe aksione spektakolare.

„Dua të them se është njerëzore të shpresosh diçka të tillë, me shpresë se kjo temë sërish do të zhduket nga rendi i ditës. Por qeveria dhe unë nuk jemi të mendimit se mund të ketë zgjidhje të shpejta. Ne nuk do të humbim durimin dhe të kërkojmë zgjidhje të përshpejtuara, sepse kjo nuk është mirë.“

Dialogu gjermano-rus ka treguar këtë vit se raportet mes Berlinit dhe Moskës janë aktualisht kaq stabile, saqë Gjermania mund të kritikojë edhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Rusi, pa rrezikuar dëmtimin e këtyre raporteve.

Autor: Hilke Janssen / Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj