1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përfundoi misioni i Bundeswehrit në Bosnjë-Hercegovinë

Misioni më i gjatë i ushtarëve gjermanë jashtë vendit mori fund. Nga Sarajeva u tërhoqën edhe dy ushtarët e fundit gjermanë.

default

Misioni më i gjatë i ushtarëve gjermanë jashtë vendit mori fund.

Pas më shumë se 17 vjet prezence në Bosnjë - Hercegovinë, nga atje u larguan (25.10.) edhe tre ushtarët e fundit gjermanë. Në këtë mision, më të gjatin pas Luftës së Dytë Botërore, morën pjesë gjithësejt mbi 63.500 ushtarë gjermanë. 19 prej tyre kanë humbur jetën gjatë misionit paqësor në Bonjë-Hercegovinë. 17 vjet pas përfundimit të luftës, ky vend është sot ushtarakisht stabil por jo edhe politikisht.

Misioni gjerman në Bosnjë-Hercegovinë ka filluar në vitin 1996, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës më të përgjakshme në hapsirat e ish - Jugosllavisë dhe në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Deri tani janë identifikuar mbi 100.000 të vdekur. Ka pasur dhe qindra mijëra të plagosur, qindra mijëra të zhvendosur dhe shkatërrime që kapin shumën prej disa miliarda eurosh.

Pas përfundimit të luftës atje është dërguar misioni ndërkombëtar ushtarak Ifor, i cili më vonë ndërroi emrin në Sfor. Nëntë vjet më vonë misioni u mor nga Bashkimi Evropian (nën titullin Eufor).

Ushtarët gjermanë janë tërhequr nga Bosnjë-Hercegovina me shpjegimin se gjendja e sigurisë është përmirësuar. Parlamenti gjerman ka vazhduar për herë të fundit misionin në Bosnjë-Hercegovinë në dhjetor të vitit 2011. Vendimi parashikonte dërgimin atje në rast nevoje të 800 ushtarëve gjermanë. Por trupat gjermane janë reduktuar dukshëm atje. Tre ushtarët e fundit gjermanë ishin të vendosur në kampin Butmir, afër Sarajevës. Pikërëndesa e angazhimit të trupave gjermane në këtë vend ishte stërvitja dhe përgatitja e forcave të sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë.

Shancet për një ardhmëri më të mirë

Sekretari i përgjithshëm i kristiandemokratëve (CDU), Hermann Gröhe falënderoi ushtarët gjermanë për angazhimin e tyre për vendosjen e paqës në këtë vend. "Ata kanë kontribuar që Bosnjë-Hercegovina të këndellet nga pasojat e tmerrshme të luftës qytetare dhe të hapet rruga për një ardhmëri më të mirë", theksoi ai.

Në Bosnjë-Hercegovinë janë shkatërruar armët e kalibrit të madh të palëve në konflikt. Trupat e tyre janë çarmatosur dhe demobilizuar, forcat vendore të sigurisë janë stërvitur sipas parimeve demokratike. Këto argumente janë përmendur si shkak për tërheqjen e trupave gjermane nga Bosnjë-Hercegovina.

Por gjendja politike në Bosnjë-Hercegovinë edhe më tej mbetet shumë e rëndë. Megjithë investimet e mëdha nga perëndimi, ky vend edhe më tej mbetet i ndarë dhe i përçarë. Humnera e mospajtimeve mes krerëve të Federatës Boshnjako-Kroate dhe Republikës Serpska, rreth ardhmërisë së vendit, është shumë e thellë. Serbët e atjeshëm ende nuk kanë hequr dorë nga ideja për ndarje nga Bosnjë-Hercergovina dhe bashkimi me Serbinë, pohojnë mediat gjermane.