1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shpërbërja e Jugosllavisë

Përfshirja e Ballkanit perëndimor në BE mund të zgjasë më shumë se një dekadë

Pasojat e luftës që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë e ngadalësuan shumë procesin e integrimit evropian të rajonit. Shtetet që dikur ishin republika të Jugosllavisë, ndodhen në nivele të ndryshme afrimi me BE-në.

Integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor kanë shkuar shumë prapa.

Integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor kanë shkuar shumë prapa.

Ish-Jugosllavia është konsideruar si një nga shtetet e para të Evropës Lindore që i ka pasur mundësitë për t' i plotësuar kushtet për antarësim në Bashkimin Evropian. Ndonëse e ka pasur modelin e vet politik, të cilin shumë njerëz e kanë kritikuar për shkak të mungesës së demokracisë, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë mbante marrëdhënie të mira kulturore, ekonomike dhe politike me Perëndimin. Mirëpo, zhvillimet që e shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë ishin shkatërrimtare për rajonin. Si rrjedhojë integrimet evropiane të rajonit jo vetëm u ndërprenë, por ato pësuan një goditje të fortë prapaktheu.

Analisti i Qendrës për studimet politike në Bruksel, Vasilil Maragars thotë: „Lufta dhe tmerret e luftës janë shkaku për atë që ka ndodhur - për vonesën në integrim. Tek disa njerëz është krijuar bindja se Ballkani Perëndimor nuk ka asgjë të përbashkët me pjesën tjetër të Evropës, pikërisht për shkak të asaj që ka ndodhur gjatë luftës."

Maqedonia dhe BE

Maqedonia dhe BE

Në procesin e integrimeve evropiane shtetet e dala nga ish - Jugosllavia janë prapa vendeve të Baltikut dhe disa vendeve të tjera të Evropës si Malta, Qiproja, apo edhe Bullgaria e Rumania.

Kroacia më afër antarësimit në BE

Përveç Sllovenisë, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2004, ish-republikat jugosllave ndodhet sot në nivele të ndryshme të procesit drejt pranimit në BE. Kroacia është aktualisht më pranë antarësimit dhe ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave për pranim. Ish-republika jugosllave e Maqedonisë ka marrë statusin e vendit kandidatit për pranim qysh në vitin 2005, por ka ende problemin me Greqinë fqinjë për emërtimin zyrtar të vendit. Përparimi i Serbisë kushtëzohet me përfundimin e bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës për kime lufte, ndërsa Bosnje-Hercegovina mbetet e përçarë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme midis dy entiteteve (Federatës së BeH dhe Republikës Serbe) dhe tre nacionaliteteve (serbëve, kroatëve dhe bosnjakëve). Mali i Zi nuk ka çështje të hapura me vendet e rajonit dhe vlerësohet se mund ta ketë më të lehtë rrugën drejt antarësimit, ndryshe nga Kosova, e cila nuk është njohur si shtet nga pesë vende anëtare të BE-së.

Kroacia, Sllovenia dhe BE

Kroacia, Sllovenia dhe BE

Raportuesja e Parlamentit Evropian për BeH, Doris Pack pohon: "Vendi i vetëm që mund të hyjë në BE në këtë moment, pasi i plotëson të gjitha kushtet, mund të jetë ndoshta Kroacia në vitin 2012. Kjo është e tëra. Të gjitha vendet e tjera janë në nivele të ndryshme të procesit të pranimit në BE. Këtyre vendev eu duhet ta përshkojnë të gjithë rrugën."

A ekziston paketa për ex- Yu ?

Njëherazi dëgjohen edhe mendime të ndryshme se çfarë pamje do të duhej të kishte zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që në disa skenare mund të përmendet fjala "paketa", sipas rastit të pranimit të përbashkët të 10 vendeve të reja anëtare në vitin 2004, shumica angazhohet që çdo republikë e ish-Jugosllavisë të pranohet në BE në momentin kur të vlerësohet se është e gatshme për ta bërë këtë hap.

Serbia dhe BE

Serbia dhe BE

Raportuesi i posaçëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, shpjegon: "Nëse do të ketë një paketë dhe sa e madhe do të jetë ajo, këtë e vendosin kryesisht vendet kandidate duke përcaktuar dinamikën dhe thellësinë e reformave që duhen kryer. Vendet që janë më të shpejta me siguri se mund ta bëjnë këtë edhe pa paketën, kurse ato që janë të ngadalshme, mund të gjenden së bashku në një paketë. Në fund të fundit, askujt nuk mund t`i dhurohet asgjë".

Rrumbullakësimi i Evropës së bashkuar

Megjithëse, perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është konfirmuar disa herë nga Brukseli, pritet që pas pranimit të Kroacisë në BE, të kalojë një kohë e caktuar para realizimit të këtij objektivi nga ndonjë vend tjetër i ish-Jugosllavisë. Edhe pse të gjitha këto vende e tregojnë që janë të përkushtuara në rrugën e tyre evropiane, se punojnë dhe përparojnë në këtë rrugë, ende duhet kohë derisa të plotësohen të gjitha kushtet e anëtarësimit në BE. Në bazë të përvojës së nxjerrë nga zgjerimet e mëparshme, kësaj here BE-ja inisiton që anëtarët e rinj të jenë plotësisht të gatshëm për t'i përvetësuar mekanizmat evropianë dhe për t' i përshtatur standardet dhe ligjet e veta me ato evropiane. Megjithëse shpesh mund të dëgjohet se në BE ekziston e ashuquajtura "lodhja nga zgjerimi", shumë të tjerë theksojnë se fjala është për më shumë kujdes, por edhe se mirëqënia e procesit të zgjerimit është e dyanshme. Nga njëra anë, vendet e ish-Jugosllavisë duhet të kalojnë procesin e reformave të nevojshme, kurse nga ana tjetër, BE-ja me pranimin e këtyre vendeve, do ta rrumbullakësonte zonën e stabilitetit dhe të sigurisë praktikisht në mbarë kontinentin evropian.

Kosova dhe BE

Kosova dhe BE

Edvard Kukan, shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, BeH, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën konkludon: "Pa Evropën Juglindore, ose nëse dëshironi pa Ballkanin Perëndimor, nuk mund të flasim për Evropën e bashkuar, gjë që është edhe qëllimi përfundimtar i Evropës së bashkuar".

Tani për tani, askush nuk dëshiron të flasë për afatet kohore se kur të gjitha vendet e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë, do të mund të gjenden në shtëpinë e përbashkët, kësaj here në atë evropiane. Shumica nuk flet për vite, por për dekada.

Autor: Marina Maksimoviq/ Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj Ballvora

  • Data 20.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Onmb
  • Data 20.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Onmb