1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përfaqësuesit e komuniteteve fetare takohen me zyrtarët e BE

Takimi vjetor i përfaqësuesve të bashkësive të mëdha fetare në Evropë dhe krerëve të BE u zhvillua (30.5.) nën hijen e ndryshimeve në botën arabe. Në takim u diskutua dhe për arrestimin e ish-gjeneralit serb Mladić.

Nga takimi përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Bruksel

Nga takimi përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Bruksel

Me traktatin e Lisbonës të vitit 2009 garantohet dialogu i rregullt i institucioneve të BE me përfaqësues të feve kryesore. Por kryetari i parlamentit Jerzy Buzek e quan këtë bashkëpunim edhe dëshirë zemre. „Ne kemi një ndarje ndërmjet kishave, apo bashkësive fetare dhe shtetit. Kjo është e qartë dhe shumë e rëndësishme. Por ajo duhet të jetë një ndarje si të thuash miqësore. Sepse kishat dhe bashkësitë fetare mund të na ndihmojnë në shumë gjëra dhe të mbështesin vlerat më të larta të dinjitetit të njeriut dhe të drejtat e njeriut."

Takimi i kushtoi veçanërisht vemendje ndryshimeve në botën arabe

Kardinali gjerman Reinhard Marx.

Kardinali gjerman Reinhard Marx.

Presidenti i Këshillit të BE Herman Van Rompuy vlerësoi faktin se përmbysjet në Tunizi dhe Egjipt, ndryshe nga ç'mendohej, nuk kanë patur motive islamiste: „Këto revolucione janë kryer nga të rinj të të gjitha feve, të cilët kanë bashkëpunuar dhe nuk kanë qenë të ndikuar nga ndonjë lloj ekstremizmi."

Megjithatë edhe pas përmbysjeve në Egjipt, ka patur përsëri sulme ndaj koptëve të krishterë. Përfaqësuesit e BE i kanë dënuar herë pas here këto sulme. Por këto sulme vënë në pikëpyetje edhe rendin e ri shtetëror, mendon kardinali gjerman Reinhard Marx, që mori pjesë në takimin e Brukselit. „Ne kemi theksuar, se një demokraci mund të funksionojë në kuptimin tonë vetëm, në qoftë se ajo respekton lirinë fetare, jo vetëm kur e lejon, por kur e di se pa liri fetare nuk mund të jetë demokraci. Dhe e dyta është se ne kemi shprehur natyrisht edhe një herë shqetësimet e pakicave në botën arabe kemi theksuar edhe një herë, se këto pakica kanë sigurisht shqetësime, se çfarë zhvillimesh do të ketë. Do të hyjmë me të vërtetë në një botë demokratike, apo do të ketë zhvillime të tjera, që kërcënojnë pakicat fetare? Këtë shqetësim kanë pakicat e krishtera dhe këtë ne e kemi shprehur."

Arrestimi i Mladićit riktheu në kujtesë masakrën e Srebrenicës

Kryemyftiu i Bosnjës, Mustafa Cerić.

Kryemyftiu i Bosnjës, Mustafa Ceric.

Por qe edhe një ngjarje aktuale, arrestimi i gjeneralit serbo-boshnjak Ratko Mladić, që mbizotëroi konferencën e shtypit. Kryemyftiu i Bosnjës, Mustafa Cerić, kujtoi masakrën ndaj myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në 1995. „Ne si bashkësi myslimane kemi vuajtur nga fundi i shekullit të kaluar nga një gjenocid. Unë jam shumë i lumtur, që Ratko Mladić është arrestuar tani dhe e vlerësoj shumë faktin, që Parlamenti Evropian në vitin 2008 vendosi që të kujtojë me një ditë përkujtimore në të gjithë Evropën gjenocidin në Srebrenicë. Ne si bashkësi myslimane vëmë shpresat tek Europa.“

Direkt pranë Cerićit rrinte metropoliti ortodoks Emmanuel i Francës. Ai është njëkohësisht përfaqësues i patriarkatit ekumenik në BE. Një gazetar akuzoi kishën ortodokse serbe si bashkëfajtore në luftën ballkanike. Emmanuel e pranoi këtë indirekt, por nuk deshi të ndërhynte në rastin e Mladićit.

„Lufta e Ballkanit nuk kishte të bënte me fenë. Feja për fat të keq është keqpërdorur për qëllime politike. Dhe përsa i përket dënimit ndaj personit, që ju keni permendur (Mladić), kjo do të bëhet në përputhje me normat demokratike të tribunalit të Hagës. Kjo nuk ka të bëjë aspak me ne, kjo është çështje e drejtësisë."

Përfaqësues të fesë hebraike dhe myslimane lëshuan një deklaratë të përbashkët në kuadër të takimit. Në të ato shprehën shqetësimin për "shtimin e shenjave të islamofobisë dhe antisemitizmit." në Evropë. Të dy grupet fetare kanë vendosur të punojnë së bashku, për të kundërshtuar siç u tha "përpjekjet, ose për të demonizuar, ose për të margjinalizuar komunitetet tona."

Autor: Christoph Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM