1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përfaqësues të serbëve të Kosovës vizitojnë Tiranën

Për herë të parë një delegacion me përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë ka vizituar këto ditë Tiranën. Tirana ka konfirmuar se do të kontribuojë me një fond prej 400 mijë eurosh për komunën e Graçanicës.

Përfaqësues të serbëve të Kosovës vizitojnë Tiranën: Ne foto: Sllobodan Petroviç

Përfaqësues të serbëve të Kosovës vizitojnë Tiranën: Ne foto: Sllobodan Petroviç

Mundësi binjakëzimi mes komunave kosovare serbe dhe atyre të Shqipërisë

Sllobodan Petroviç, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i partisë liberale serbë po në Kosovë është shumë i kënaqur nga vizita në Tiranë. Vizitën, duke folur për DW, ai e përshkruan si një vizitë edhe zyrtare e miqësore.

“Mund të them se mikpritja ka qënë në nivelin më të lartë, duke u takuar me kryeministrin Berisha, zëvëndëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm Meta, me kryetaren e parlamentit e anëtarë të tjerë të qeverisë. Kjo u shërben urave të komunikimit mes popujve, bashkëjetesës paqesore dhe integrimit rajonal dhe më gjerë”.

Sllobodan Petroviç, i cili kryesoi delegacionin e përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës në Tiranë, ka vlerësuar si mjaft pozitiv kontributin e qeverisë shqiptare për komunën e Graçanicës me 400 mijë euro. Sipas tij ky fond është simbolik dhe i kuptueshëm në një moment të krizës globale, por i nevojshëm për procesin e suportit të komunave të reja në Kosovë.

“Mesazhi më i fortë politik që jepet në këtë rast është dhe për shtete të tjera përreth në rajon, si dhe për komunitetin ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar mendoj dhe besoj se do ta vlerësojë shumë këtë gjest inicues të Shqipërisë. Konkretisht fondi i akorduar nga qeveria e Shqipërisë do të përcaktohet nga administrata e re e komunës së Graçanicës se ku do të përdoret. Qoftë për nevojat kulturore, shëndetësore, arsimore etj”.

Gjatë takimeve që kanë zhvilluar në Tiranë me autoritetet e larta zyrtare, përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës kanë folur dhe për idenë e binjakëzimit mes komunave kosovare dhe atyre të Shqipërisë. Kjo sipas tyre do të ishte një mënyrë efikase për shkëmbimin e përvojave, por dhe të ndihmës së ndërsjelltë.

Petroviçi e quan këtë një ide shumë pozitive. “Duhen pritur konstituimet e organeve të zgjedhura, duhet normalizuar funksionimi i pushtetit vendor dhe më pas besoj se gjithshka është e mundur për bashkëpunim në këtë formë. Pas Graçanicës edhe të tjerat do të ndjekin këtë rrugë”.

Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, kur Partia Liberale Serbe në Kosovë fitoi katër komuna, Sllobodan Petroviçi thotë për DW se kjo lidhet me karakteristikën e forcës politike që drejton.

Rëndësi ka stabiliteti politik në vend

“Tek ne pak flitet dhe shumë punohet. Aktiviteti ynë i dendur në dy vitet e fundit në qeverisje, në parlament e në mesin e komunitetit ka qënë shumë i dukshëm nga ana e qytetarëve. Kjo ka ndikuar dhe që një pjesë e tyre të dalin në zgjedhje. Sepse ne për dy vite kemi bërë më shumë se sa kanë bërë më parë kolegët tanë për dhjetë vite bashkë. Kjo është formula për qytetarin. Që të shkojë për andej, ku e ndjen veten më mirë”.

Petroviçi përsërit disa herë gjatë prononcimeve për DW, se për Partinë Liberale Serbe të Kosovës ka rëndësi të dorës së parë stabiliteti politik në vend.

“Ne kemi luajtur dhe luajmë një rol bashkëpunues duke u orientuar nga nevojat e qytetarëve dhe nga stabiliteti në Kosovë. Përderisa sa kjo është në interes të qytetarëve, atëhere kjo përbën dhe prioritet për ne”.

Përgatitje për një vizitë të Boris Tadiçit në Tiranë

Gjatë kontakteve me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë, autoritetet zyrtare të Shqipërisë kanë folur për marrëdhënie të mira mes Tiranës dhe Beogradit. Ndërkohë që kryeministri Sali Berisha e konkretizoi këtë duke treguar publikisht se po bëheshin përgatitjet për një vizitë kryetarit të shtetit serb në Shqipëri.

“Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t'ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti Tadiç e ka mirëpritur shumë ftesën për të vizituar Shqipërinë,” tha kryeministri Sali Berisha.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 26.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LDuU
  • Data 26.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LDuU