1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Përfaqësues diplomatikë në Tiranë negociojnë për krizën

Diplomatët në Tiranë negociojnë. Mazhoranca vazhdon ta quajë të paligjshëm urdhërarrestin për gardistët

Përkujtim i të vrarëve në protesta

Përkujtim i të vrarëve në protesta

Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë ka organizuar të dielën në mesditë një tryezë konsultimi me ambasadorë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të akredituar në Shqipëri. Qëllimi ka qënë diskutimi mbi situatën e tensionuar në Shqipëri gjatë dhe pas demonstratës së ditës së premte dhe gjetja e një zgjidhjeje kompromisi për të evituar përshkallëzimin e dhunës dhe konfliktit në vend.

Fillimi i bisedimeve dhe gjetje e një zgjidhje kompromisi

Pas konsultës që është zhvilluar me dyer të mbyllura, një delegacion i diplomatëve evropianë, ku përfshihen dhe ambasadori amerikan dhe shefi i përfaqësisë së OSBE-së ka zhvilluar të dielën pasdite një takim me kryeministrin Sali Berisha. Diplomatët nuk bënë komente pas takimeve, por pritet që të zhvillojnë kontakte dhe me aktorë të tjerë të politikës. Kjo është një përpjekje e unifikuar e ndërkombëtarëve për të përcjellë ato mesazhe që janë artikuluar gjatë kësaj fundjave: të evitohet dhuna dhe gjuha konfliktuale, të fillojnë bisedimet dhe të gjehet një zgjidhje kompromisi.

Në një komunikatë të shkurtër pas takimit selia e qeverisë njoftoi se kryeministri i ka njohur diplomatët përendimorë me hollësi për të gjitha zhvillimet e fundit. "Kryeministri Berisha i risiguroi ambasadorët për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend", thuhej në komunikatë.

Thirrje për çtensionim të situatës kanë bërë të dielën pasdite dhe një grup shoqatash të njohura joqeveritare shqiptare. "Ne i bëjmë thirrje kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës që të ulen urgjentisht në një tryezë, nga e cila duhet të dalin me zgjidhje konkrete të situatës. Ne besojmë se është koha për një dialog serioz për gjetjen e një konsensusi të ri politik për Shqipërinë", thuhej mes të tjerave në apel. Aktivistët e shoqërisë civile kërkuan "hetim të shpejtë dhe profesional të vrasjes së tre civilëve të paarmatosur, si dhe për dhunën e tepruar të ushtruar nga ana e forcave të policisë dhe gardës në drejtim të demonstruesve".

Urdhërarresti - i kundraligjshëm?

Një urdhër arresti lëshuar paraditen e së shtunës nga Prokuroria për gjashtë efektiva të Gardës së Republikës që do të hetohen për vrasjen e tre demonstruesve dhe plagosjen e disa të tjerëve ende nuk është zbatuar nga policia. Dy deputetë të mazhorancës kanë kritikuar të dielën prokurorinë për urdhër arrestin, duke e quajtur atë si të kundraligjshëm. Sipas Mesila Dodës dhe Eduard Halimit, deputetë nga PD, demonstrata e 21 dhjetorit ishte një grusht shteti dhe punonjësit e gardës ishin heronj të institucioneve. Por opozita po këmbëngul se policia e shtetit duhet të zbatojë vendimin e prokurorisë për arrestimin e gardistëve. Ajo i fajëson ata direkt për vrasjen me armë zjarri të tre demonstruesve dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Ditën e mërkurë mazhoranca ka paralajmëruar zhvillimin e një metingu paqësor kundër dhunës në Tiranë. Dy ditë më pas, më 28 janar opozita ka planifikuar që të zhvillojë një demonstratn antiqeveritare të radhës në bulevardin qendror të kryeqytetit.

Këtë të premte nga përplasjet mes policisë dhe demonstruesve mbetën të vrarë tre demostrues. Një anëtar i forcave të rendit dhe një demonstrues janë në gjendje kritike, ndërkohë që të plagosur me armë zjarri ose me sende të forta janë dhjetra demonstrues dhe efektiva të rendit.

Autor: Arben Muka/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 23.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/101Hr
  • Data 23.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/101Hr