1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Përfaqësimi i grave në bordet mbikqyrëse

BE shton trysninë ndaj kompanive për pjesëmarrje më të lartë të grave në pozicione drejtuese. Një projekt-direktivë e Komisionit parashikon një pjesëmarrje prej 40% të grave në bordet mbikqyrëse deri në 2020.

Komisionerja Viviane Reding prej kohësh po kryen shumë punë lobuese për të nxitur pjesëmarrjen e grave në pozicione drejtuese në kompani të mëdha. Por durimit të saj duket se po vjen fundi, pasi shumë vende të BE-së, në veçanti Gjermania, nuk kanë bërë sa duhet për përmirësimin e pabarazisë gjinore në vendin e punës.

Në foto, Viviane Reding

Në foto, Viviane Reding

Të hënën zyra e komisioneres Reding i prezantoi departamenteve të tjera të Komisionit një projekt -direktivë të BE-së me synimin e kalimit të saj këtë vjeshtë, tha për Deutsche Welle-n një zëdhënës i Komisionit. Nëse kalon, direktiva do t'i detyrojë të 27 vendet anëtare të BE-së të fusin ligje për një kuotë obliguese të grave në kompani të kuotuara në bursë deri në 1 janar 2020.

Të paktën dy nga pesë

Hollësi nga projekt-direktiva u publikuan në numrin e së dielës të gazetës "Welt" dhe në faqen online të gazetës "Süddeutsche Zeitung". Sipas projektit deri në vitin 2020 duhet të jetë arritur që 40 për qind e të gjithë anëtarëve të bordeve mbikqyrëse të jenë femra. Një kandidati mashkull nuk do t'i jepet vendi i punës në rast se në listën e aplikantëve është një grua me të njëjtin kualifikim. "Është e rëndësishme të theksohet se ajo që planifikojmë nuk është një diskriminim pozitiv", tha për DW zëdhënësi i Komisionit. Gratë do të favorizohen kundrejt aplikantëve meshkuj, për vendin përkatës të punës, vetëm nëse kanë të njëjtin kualifikim dhe të njëjtin nivel kompetence dhe performance profesionale.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Rregulli nuk do të aplikohet ende për bordet drejtuese. Edhe bizneset e vogla dhe të mesme mund të vazhdojnë si deri tani, edhe në rast se janë të kuotuara në bursë.

Kompanitë e tjera të cilat duhet ta zbatojnë rregullin dhe nuk e bëjnë, do të përballen me gjoba ose do t'u reduktohen subvencionet. Sidoqoftë do të jenë vendet anëtare që do të vendosin se çfarë sanksionesh do të aplikohen dhe kur. Projekt-direktiva duhet të miratohet më parë nga Parlamenti Evropian dhe një shumicë kualifikuese e vendeve anëtare në Këshillin Evropian.

Gjermania rast problematik

Gjermania në veçanti është mjaft mbrapa sa i takon të mundësive të barabarta. Komisionerja Viviane Reding në disa raste ka shprehur pakënaqësi me situatën problematike të barazisë gjinore në botën profesionale në Gjermani. Sipas statistikave të publikuara në maj nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), diferenca mes rrogave të burrave dhe grave në Gjermani mbetet më e larta.

Kristina Schröder, Ursula von der Leyen dhe Angela Merkel

Kristina Schröder, Ursula von der Leyen dhe Angela Merkel

Gratë që punojnë me kohë të plotë fitojnë mesatarisht 1/5 më pak se kolegët meshkuj. Shifrat e OECD-së tregojnë gjithashtu se Gjermania është në një vend të ulët sa i takon pjesëmarrjes së grave në borde drejtuese. Bordet drejtuese gjermane kanë thuajse ekskluzivisht anëtarë meshkuj, me një përfaqësim prej vetëm 3% të grave. Pjesëmarrja është pak më e lartë në bordet mbikqyrëse, por me 15% niveli është ende shumë larg objektivit prej 40% të synuar nga Komisioni.

Pjesa më e madhe e 30 kompanive të mëdha gjermane të kuotuara në bursë duhet të punojë shumë për arritjen e objektivit shtatë vitet e ardhshme. Deutsche Bank është e vetmja kompani që e ka përmbushur objektivin e propozuar nga Brukseli.

Megjithë masa të ndryshme të ndërmarra në kompani gjermane për mbështetjen e grave në arritjen e pozicioneve drejtuese, duket se është e nevojshme ndërhyrja e shtetit për një shpërndarje më të drejtë të këtyre posteve. Franca vendosi një kuotë gjinore në vitin 2011 dhe menjëherë pas kësaj pjesëmarrja e grave në pozicione drejtuese u rrit me 10 për qind.