1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Përballja e vështirë e Japonisë me të kaluarën

Në Japoni nuk ka një distancim të vendosur nga historia e luftës dhe paraluftës si në Gjermani. Arsyet për trajtimin e ndryshëm të së kaluarës janë komplekse.

Kapitullimi i Japonisë në anijen luftarake amerikane USS Missouri, 2 shtator 1945

Kapitullimi i Japonisë në anijen luftarake amerikane USS Missouri, 2 shtator 1945

Kancelarja Merkel përmendi në mars 2015 në vizitën e saj në Japoni se Gjermania e ka pranuar fajin e luftës dhe Franca ka qenë e gatshme t'ia zgjasë dorën. "Përballja me të kaluarën është pjesë e kushteve, që mundësojnë pajtimin", tha Merkel duke i kujtuar indirekt nikoqirëve nevojën për një rivlerësim më aktiv dhe vetëkritik të luftës japoneze.

Përgjigja ishte me edukatë japoneze dhe gjithashtu indirekte, por e qartë. Ministri i Jashtëm Fumio Kishida tha se Japonia dhe Gjermania nuk mund të krahasohen për të kaluarën e luftës. Ka dallime në atë çfarë ka ndodhur në dy vendet gjatë luftës. Pastaj Gjermania dhe Japonia janë të rrethuar nga fqinjë të ndryshëm, tha Kishida, pa hyrë në hollësi.

Porosia e Merkelit për ballafaqimin me të kaluarën shihet me skepticizëm në Japoni

Porosia e Merkelit për ballafaqimin me të kaluarën shihet me skepticizëm në Japoni

Tendenca të reja nacionaliste

A nuk ka mësuar Japonia ndryshe nga Gjermania asgjë nga humbja dhe vuajtjet e pafund? Me sa duket jo, kur ke parasysh rigjallërimin e nacionalizmit japonez dhe rishikimin e historisë, kur për shembull kundër një ish- gazetari të gazetës së majtë liberale Asahi ka patur një fushatë sulmesh kërcënuese, për shkak të artikujve kritikë, që ai i kishte shkruar para një çerek shekulli mbi temën e "grave ngushëlluese".

Edhe kryeministri Shinzo Abe të forcon këtë përshtypje. Ai është distancuar nga deklaratat e paraardhësve të tij, që janë shprehur ndër të tjera lidhur me përgjegjësinë e Japonisë për agresionin me dhjetëra miliona viktima dhe fatin e prostitutave të detyruara ("grave ngushëlluese"). Dhe ashtu si disa nga paraardhësit e tij, edhe ai vizitoi mauzoleun Yasukuni, ku përkujtohen të vdekurit japonezë të luftës, ndër to edhe ndonjë kriminel lufte.

Abe viziton vendin e shenjtë Yasukuni, ku nderohen edhe emrat e kriminelëve të luftës

Shinzo Abe viziton vendin e shenjtë Yasukuni, ku nderohen edhe emrat e kriminelëve të luftës

Nuk ka konsens si në Gjermani

Megjithatë nacionalizimi i Abes dhe i disa prej këshilltarëve dhe mbështetësve të tij nuk duhet të na bëjë të harrojmë realitetin kompleks të qëndrimit japonez ndaj së kaluarës së luftës. Këtu bën pjesë, siç thonë ekspertët, hendeku mes politikës zyrtare të kujtesës nga qeveria dhe diskutimit shoqëror. "I gjithë peisazhi i përkujtimit në Japoni është shumë i përçarë, me interesa dhe qëllime të ndryshme", thotë historiani Sebastian Conrad nga Universiteti i Lirë i Berlinit për DW. "Në Japoni situata është ndryshe nga ajo në Gjermani, ku mes pozicionit të qeverisë apo mënyrës se si diskutohet në Parlament, dhe diskutimit të përgjithshëm publik apo shkencor nuk ka dallime të mëdha, sepse në Japoni kjo temë është shumë e minuar."

Edhe japonologia Gesine Foljanty-Jost nga Universiteti Halle-Wittenberg konfirmon se në Japoni, ndryshe nga Gjermania, deri sot nuk ka "diskutim të qartë", se si të vlerësohet lufta dhe krimet e bëra nga japonezët. Ekspertja foli një radion Deutschlandradio në prag të vizitës së Merkelit. Ndërsa në Gjermaninë e sotme vullneti i Hitlerit për luftë është i pakontestueshëm si shkaku kryesor i ngjarjeve në Evropë, në Japoni shtrohet pyetja: "Çfarë ishte lufta, ishte një agresion, apo kjo ishte vetëm një rrugë tjetër drejt një sfere të mirëqënies në Lindje nën udhëheqjen e Japonisë?" Dihet se me këtë koncept qeveria e atëhershme japoneze justifikoi planet e saj për ekspansionin e Japonisë në Kinë dhe Azi.

Gjenerali amerikan në Japoninë e pushtuar, Douglas MacArthur, vendosi ta falë Perandorin Hirohito, tetor 1945. Espertët mendojnë se paprekshmëria e perandorit ka penguar për zbardhjen e së kaluarës në Japoni

Gjenerali amerikan në Japoninë e pushtuar, Douglas MacArthur, vendosi ta falë Perandorin Hirohito, tetor 1945. Espertët mendojnë se paprekshmëria e perandorit ka penguar për zbardhjen e së kaluarës në Japoni

"Vullneti për pajtim duhet të vijë nga të dyja palët"

Qeveritë japoneze të pasluftës kishin dhe kanë sot e kësaj dite pikëpamjen se Japonia përmes skemave të dëmshpërblimit apo edhe ndihmës ekonomike e ka hequr nga vetja përgjegjësinë për krime lufte dhe plaçkitje. Iniciativa për të nxitur mirëkuptimin mes popujve ka patur në fakt vazhdimisht, për shembull për tekstet shkollore të përbashkëta me Korenë e Jugut: "Por ata nuk vijnë nga sfera politike", thotë Gesine Foljanty.

Njohësi i Azisë, Ian Buruma thotë në intervistë për DW se edhe në Japoni ka pasur iniciativa të tilla, si shkëmbime studentësh dhe binjakëzim qytetesh me fqinjët, megjithëse në një shkallë më të vogël se në Evropë. "Por suksesi i iniciativave të tilla gjithmonë kërkon përfshirjen e të dy palëve. Kinezët dhe koreanët duhet të tregohen të hapur, gjë që nuk ekzistuar gjithmonë", thotë Buruma. Dhe nuk është gjithmonë e lehtë të kesh dialog të hapur me Kinën, ku formimi i mendimit, për historinë apo politikën, është shumë i kontrolluar. "Japonia ndoshta duhet të bëjë më shumë për pajtimin, por Japonia nuk mund ta bëjë këtë në mënyrë të njëanshme." Një komentator në FAZ e ka shprehur këtë me pak fjalë në një artikull në vitin 2005. "Dëgjon ankesa se Japonia nuk ka patur kurrë një Adenauer të politikës së pajtimit. Ndoshta, por e sigurtë është, se në Kore dhe Kinë nuk ka patur as Ben Gurion dhe as de Gaulle."

Fjalimi i presidentit gjerman Weizsäcker në 1985 u ndoq me kujdes në Japoni.

Fjalimi i presidentit gjerman Weizsäcker në 1985 u ndoq me kujdes në Japoni.

Fjalimi i Weizsäcker-it i mirëpritur edhe në Japoni

Që në miratimin e kushtetutës në 1949 politikani i FDP-së Theodor Heuss, më vonë president i Gjermanisë, deklaroi se gjermanët më 8 maj 1945 "janë çliruar dhe shkatërruar njëherësh." Ky vështrim i dyfishtë i humbjes ushtarake ka qenë i pranishëm në Gjermani shumë kohë para fjalimit shumë të cituar të Richard von Weizsäcker-it në vitin 1985, edhe pse jo aq i përhapur. Weizsäcker e cilësoi 8 majin 1945 si "ditën e çlirimit".

Fjalimi i tij pati edhe në Japoni një rezonancë të madhe, siç thotë njohësi i Japonisë Conrad: "Ai është sjellë në versione të ndryshme, është përkthyer dhe botuar, dhe në dy vitet e para ka patur një tirazh të lartë dhe është përdorur vazhdimisht nga aktivistët për të drejtat civile dhe intelektualët, për të motivuar qeverinë për gjeste më të mëdha". Megjithatë një vizion i tillë i dyfishtë për të kaluarën e luftës, si humbje dhe si çlirim, nuk mund të pritej në Japoni, sepse siç thotë Ian Buruma: "Nuk ka patur Hitler japonez dhe as parti nacionalsocialiste japoneze. Përceptimi i tyre është se Perandoria Japoneze bënte luftë kundër superfuqive perëndimore në Azi."

Fiksimi i Japonisë në SHBA

Pas gjykimit të udhëheqësve kryesorë politikë dhe ushtarakë në procesin ndërkombëtar për krime lufte në Tokio, për amerikanët si fuqi pushtuese mori fund zbardhja e së kaluarës japoneze të luftës. Dhe ashtu si në rastin e Gjermanisë pas gjyqit të Nurembergut, SHBA ishte e interesuar kryesisht për aleat të besueshëm në Luftën e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik dhe RP të Kinës.

Në politikën e jashtme Japonia është e fiksuar te SHBA, marrëdhëniet me fqinjët (këtu Abe me Obama dhe presidenten e Koresë së Jugut Park Gyun-hye) janë sekondare

Në politikën e jashtme Japonia është e fiksuar te SHBA, marrëdhëniet me fqinjët (këtu Abe me Obama dhe presidenten e Koresë së Jugut Park Geun-hye) janë sekondare

Por këtu ka një dallim mes Japonisë dhe Gjermanisë, që shpjegon pjesërisht qëndrimin e ndryshëm ndaj të kaluarës së luftës, thotë historiani Conrad: "Edhe Japonia u përfshi në sistemin e aleancës perëndimore, por pothuajse i gjithë orientimi i politikës japoneze së pasluftës ishte një dimensional drejt SHBA-së, dhe kjo në rastin e Japonisë çon në një shkëputje nga kontekstet rajonale. "Krejt ndryshe Gjermania, e cila që në fillim u përfshi në "projektin evropian" të miqësisë me Francën. Ai ishte motori. Në Japoni nuk luajti rol "ndjenja e përgjegjësisë apo të qënit adresat i kritikës në kontekstin aziatik", thotë Conrad. Vetëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, prej viteve 90-të filluan të përceptoheshin zërat kritikë nga Kina, Koreja, Tajvani.

Sipas historianit Conrad vitet e fundit situata në Japoni ka ndryshuar, grupe nacionaliste në parlament, dhe në vitet e fundit mjaft qartë edhe në qeveri, e kanë uzurpuar përsëri fuqinë e interpretimit. Qëndrimi i fortë i Kinës në mosmarrëveshjen territoriale për Detin e Kinës Lindore, si dhe në grindjet e tjera të ngjashme me fqinjët e saj i ka dhënë hov këtyre rrymave nacionaliste në Japoni.