1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Përballja e Gjermanisë me nazizmin: Turpi nuk e zëvendëson dënimin

94 vjeçari Reinhold Hanning u dënua me pesë vjet arrest. Vendimi është i drejtë. Ish-ushtari SS mban faj. Dënimi i tij bëhet për Gjermaninë dhe për viktimat. Askush nuk mund të lajë duart e të thotë: ishte urdhër.

Reinhold Hanning früherer Auschwitz-Wachmann

Roja i Aushvicit, Reinhold Hanning

Reinhold Hanning ka marrë pjesë në krimin më të madh, që ka nisur ndonjëherë nga toka gjermane. Ai kishte dijeni dhe ishte doras me të tjerë. Ai ishte pjesë e asgjësimit industrial të njerëzve dhe njëkohësisht një dëshmi e gjallë se edhe në kohën e nazizmit, punën nuk e bënin makinat, por njerëzit.

Kur Hanningu thotë se i vjen turp, këtu kemi të bëjmë me një ndjenjë njerëzore. Por edhe ky pohim atë nuk mund ta shfajësojë. Ai mban juridikisht përgjegjësi që në Aushvic janë vrarë më shumë se 170.000 vetë. Ai nuk e mban i vetëm këtë përgjegjësi, por ai as mund të çlirohet prej saj. Me punën e tij si roje në kampin e përqendrimit, SS-i Hanning kontribuoi që Aushvici të kthehet në një vend tmerri të pakaparcyeshëm.

Askush nuk mund të lajë duart e të thotë: ishte urdhër

Me ndëshkimin e rojes Hanning, njësoj si me dënimin e Gröningut dhe të Demjanjukut më parë, Gjermania nxorri një mësim vendimtar nga epoka naziste: askush nuk mund të fshihet pas politikanëve, partive ose urdhërave. Shoah ishte një vepër e përbashkët e atyre që vranë dhe e atyre që e lanë të ndodhë vrasjen. Roja Reinhold Hanning deklaroi në procesin e tij: "Unë ndjeva erë djegieje. E dija që po digjnin kufoma."

Fabian von der Mark

Fabian von der Mark

Gjermanët për një kohë të gjatë nuk e rivlerësuan epokën naziste. As juridikisht. Kur 50 vjet më parë, prokurori i landit të Hessenit, Fritz Bauer donte të fiksonte juridikisht me anë të aktpadijeve të mëdha bashkëfajësinë e atyre që kishin dijeni, atë e frenuan gjykatat gjermane. Për dekada me radhë SS-ët, të cilëve nuk mund t'u dëshmoje një vrasje të caktuar shpëtuan pa u dënuar. Edhe në rastin e Hanningut, mbrojtësit argumentuan në këtë mënyrë dhe kërkuan pafajësinë. Por një vendim i tillë do të kishte qenë i gabuar dhe i padurueshëm për viktimat.

Sepse një gjë është e qartë: në dënimin e një 94 vjeçari nuk bëhet fjalë më që shoqëria të mbrohet nga një kriminel. Bëhet fjalë për pranimin e fajit dhe për drejtësi për viktimat. Procesi i Detmoldit ishte një nga rastet e fundit publike për këtë. Por edhe kur të ketë vdekur dorasi i fundit: kujtimi mbetet një paralajmërim për të ardhmen.