1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Për trajtim më dinjitoz të komunitetit rom - Portret i Meleqe Rrënjës

Mes kandidatëve të partive ndodhet edhe Meleqe Rrënja. Si aktiviste me përvojë në rradhët e komunitetit rom, Meleqja është zgjedhur kandidate për deputete nga Partia Demokristiane.

Meleqe Rrënja

Meleqe Rrënja, garon dhe si grua dhe si përfaqësuese e komunitetit rom.

Meleqe Rrënja ka më pak se dy javë që ka dalë në pension. Ka punuar rreth 40 vjet si mësuese e lëndës së muzikës dhe e gjuhës rome, në Fier, Berat dhe në Tiranë. Por për 61 vjeçaren nuk ka përfunduar aktiviteti i saj si veprimtare për të drejtat e komunitetit rom. Ajo është e përfshirë në dy projekte të mëdha të trajnimit të mësuesve në gjuhën rome që zbatohet në dy rrethe, në Gjirokastër e Korçë. Meleqja është dhe sekretare e forumit të gruas në Partinë Demokristiane. Nga ky angazhim politik, por dhe nga sfondi i aktivitetit profesional e njerëzor në karrierën e saj ajo është përfshirë në listën e kandidatëve të demokristianëve, parti anëtare e koalicionit të djathtë të Polit të Lirisë.

Përfshirja në politikë, sipas saj, është një shumëfishim i mbështetjes që ajo kërkon ti japë çështjes së një trajtimi më dinjitoz në Shqipëri të komunitetit rom, por dhe komuniteteve dhe shtresave të nënvlerësuara. Vërtet ekziston një strategji kombëtare për integrimin dhe përmirësimin e kushteve të romëve, por ajo është vetëm në letra. Pak, shumë pak ka lëvizur në realitet, pasi komuniteti po përballet po me vështirësi të jashtëzakonshme. "Më tipikja është arsimimi. Por, nuk mund të ketë arsimim po nuk pati strehim për këta fëmijë. Edhe po nuk punoi prindi, atëherë kjo krijon problem. Një nxënës nuk mund të vazhdojë shkollën duke u dridhur apo me bark bosh. Ka shumë papunësi në rradhët e romëve. Ata jetojnë duke punuar në të zezë dhe për këtë nuk mbështeten nga askush. Edhe kujdesi shëndetësor është i mangët. Në zonat ku jetojnë ata nuk ka mjek e ambulancë. Vaksinimet që janë të detyrueshme për popullatën nuk bëhen në rastin e komunitetit rom".

Neglizhenca dhe indiferentizmi i autoriteteve, thotë Meleqe Rrënja për DW, fillon që nga trajtimi i fëmijëve romë. Ata po mbeten te paarsimuar, duke përbërë një gjeneratë të pasigurtë. Pak ndjekin arësimin 9 vjeçar, shumë më pak të mesmen dhe në të gjithë vendin janë më pak se 10 studentë që ndjekin shkollën. Një tablo tjetër ajo ka parë në Maqedoninë fqinje kur është angazhuar me një projekt me UNICEF-in. "Po të shikosh në Maqedoni, sot atje janë rreth 230 studentë në Universitete. Ne duhet të nxitemi nga shembulli pozitiv".

Meleqja ka nisur të zhvillojë takime me elektoratin, duke prezantuar dhe problemet që kërkojnë zgjidhje. Ajo është e bindur se votat nuk do t`i marrë vetëm nga rradhët e komunitetit rom, por dhe nga shtresa të tjera të shoqërisë. "Do ti drejtohem dhe grave e vajzave si një mbështetje për shqetësimet e tyre, për ta shndërruar barazinë gjinore nga një ligj në letër dhe që lexohet në konferenca e seminare, në një realitet të prekshëm në shoqërisë shqiptare".

Meleqe Rrënja e shikon këtë fushatë elektorale si një sfidë të dyfishtë. Garon dhe si grua dhe si përfaqësuese e komunitetit rom. Më shumë se rezultati i votave në 28 qershor ajo e ndjen veten mirë, që është bërë pjesë e ndryshimit të mentalitetit dhe tabuve në politikën shqiptare. Dhe siç shprehet ajo, për këtë ka përpara një rrugë të gjatë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama



  • Data 14.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hpkn
  • Data 14.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hpkn