1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Për të qenë të qartë, as që mund të bëhet fjalë për zgjedhje

Ndër temat më të komentuara në shtypin e sotëm gjerman janë zgjedhjet në Rusi dhe konferenca ndërkombëtare për klimën në Bali.

default


Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Rusi gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: "Për të qenë të qartë, as që mund të bëhet fjalë për zgjedhje. Pushtetarët në Kremlin u kujdesën që më parë, që votuesit të mos kenë alternativë zgjedhjeje, veçse të jepnin rezultatin e dëshirueshëm. (...) Me kandidaturën e tij për partinë "Rusia e bashkuar" (...) presidenti Putin e shndërroi votën për parlementin në një plebishit për popullaritetin e vet, Partia e unitetit është tani në rrugën më të mirë, për t´u bërë parti shtet si ish-Partia komuniste e Bashkimit Sovjetik e shpërbërë prej Boris Jelcinit në vitin 1991. Funksionarët nuk u morrën aspak me programin. Gjithçka kish të bënte vetëm me Putinin. (...) Nga rezultati i zgjedhjeve presidenti dëshiron të sigurojë për vete "të drejtën morale" për një rol me influencë në politikën ruse, pasi të përfundojë mandati i dytë i tij."


"Süddeutsche Zeitung" komenton: "Putin është një punonjës profesionist sigurimi, ai preferon sulmin e befasishëm. Askush nuk duhet ta dijë përpara kohe, nëse ai dëshiron të jetë president i parlamentit, kryeministër, "udhëheqës kombëtar", apo nëse përmes ndryshimit të kushtetutës ai synon të jetë sërish president. Stabilitetin në Rusi mund ta garantojë vetëm Vladimir Putini, ka ngulitur propaganda në kokat e rusëve duke theksuar, se pa të vendi do të zhytet në kaos. Por është e dyshimtë nëse shefi i Kremlinit beson edhe vetë në këtë."


Nga komenti i "Tageszeitung" shkëpusim: "Ka shumë arësye përse kaq shumë njerëz, kryesisht të rinj, ia japin votën Putinit. Kjo, sepse presidenti ia ka arritur, që të prezantohet si e vetmi garant për stabilitetin kombëtar. Tek brezat më të vjetër vlen edhe fakti, që ata e konsiderojnë prej kohësh si një detyrim qytetar pjesëmarrjen në votime. Putini konsiderohet si njeriu, që e ka drejtuar Rusinë përsëri drejt madhështisë së vjetër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me kontrollin e mediave prej aparatit shtetëror. Kjo ka të bëjë edhe me zhvillimin ekonomik, që konsiston në rritjen e çmimeve të gazit dhe të lëndëve të para, të cilat i komandon klika e pushtetit përreth Putinit."


Lidhur me temën e dytë, konferencën ndërkombëtare për klimën që nis punimet të hënën (03.12) në Bali gazeta "Kölnische Rundschau" shkruan: "Ndërkohë mjegulla është shpërndarë dhe është e qartë: askush nuk mund të tërhiqet, të gjithë duhet të veprojnë dhe sa më shpejt. Për këtë 190 vendet e globit duhet të krijojnë një klimë besimi dhe angazhimi. Nëse samiti dështon, pra nëse nuk arrihet të konceptohet një program ambicioz për klimën duke përfshirë edhe SHBA dhe vendet e mëdha në fazën e industrializimit, atëherë ky nuk është dështim i plotë vetëm për politikën ndërkombëtare për klimën. Ky do të ishte edhe një sinjal për secilin, në mënyrë që të mos sillen si ata që mbajnë përgjegjësinë politike: të cilët pohojnë, se duhet të ndodhë diçka, por kjo mundësisht jo në shtëpinë time."


Në të përditshmen "Bayerische Rundschau" lexojmë: "Atmosfera e planetit tonë është një sistem i plogësht, që reagon me vonesë disa dhjetra vjeçare. Në mënyrë të ngjashme ndodh edhe me njeriun: Mes njohurive teorike dhe veprimeve praktike hendeku është një botë e tërë. Edhe më plogësht reagon sistemi, kur shtetet njohuritë duan t´i kthejnë në praktikë. Por të gjithë së bashku duhet ta kemi të qartë, se ne kemi vetëm një Tokë. Dhe në Bali duhet patjetër të gjendet së paku një mënyrë për të mbrojtur klimën. Kjo duhet arritur, pavarësisht, se konferenca me 10.000 pjesëmarrës është një sistem mjaft i plogësht."

  • Data 03.12.2007
  • Autor Filaj-Ballvora, Vilma
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CVq3
  • Data 03.12.2007
  • Autor Filaj-Ballvora, Vilma
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CVq3