1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Për të ndalur kopenë e ujqve" - BE shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Një ombrellë të pashembullt mbrojtëse do të hapë BE mbi vendet e dëmtuara të eurozonës, me qëllim që t'i japë fund spekulimeve në tregun financiar.

Në mes të ujqve?

Në mes të ujqve?

Paketa prej 750 miliardë eurosh është e pashoqe në historinë e euros dhe të BE-së, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel të hënën (10.5). Kancelarja Angela Merkel flet hapur për një situatë të jashtëzakonshme emergjence në BE. Ministri i Jashtëm i Suedisë Anders Borg e sheh Unionin Monetar brenda natës të rrethuar prej ujqve.

"Ne shohim instinktet e një kopejeje, që u vijnë rrotull tregjeve financiare, por janë në fakt kope ujqish. Nqs ne nuk i ndalojmë këto kope ujqish, ato do t'i shqyejnë disa vende, edhe pse ato janë vetë fajtore për këtë dobësi të tyre. Prandaj ka shumë rëndësi që të ndërmarrin tani hapa për konsolidimin jo vetëm afatgjatë, por edhe afatshkurtër të buxheteve. Ne na nevojitet një përgjigje për problemet urgjente."

Ministri suedez i financave, Anders Borg

Ministri suedez i financave, Anders Borg

Unioni Monetar ndryshon në mënyrë radikale

Përgjigja, që gjetën të 16 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Euro-Zonës dhe ministrat e tyre të Fianancave në fundjavë, është: Unioni Monetar, sipas marrëveshjes së Maastricht të vitit 1992 dhe asaj të Lisbonës 2009, i përket historisë. Me vendimin për të ndihmuar shtetet e dobëta me deri 500 miliardë euro Bashkimi Europian heq dorë nga parimet e tij të forta. Deri tani një vend nuk lejohej të hynte garant për borxhet e një vendi tjetër. Kjo thuhet qartë në marrëveshjen e Lisbonës. Se si duhet evituar kjo klauzolë e shpjegoi Komisari i BE-së për çështjet financiare Olli Rehn pas takimit në Bruksel

"Ky është fare qartë një sulm ndaj Euro-Zonës, që rrezikon të gjithë sistemin. Ky nuk është sulm ndaj një shteti të vetëm, por ndaj stabilitetit të të gjithë Euro-Zonës dhe BE. Prandaj është e justifikueshme të zbatojmë nenin 122, i cili ka të bëjë me zhvillime të jashtëzakonshme jashtë kontrollit të një shteti anëtar."

Neni për rastet e mbrojtjes nga katastrofat

Neni 122 i marrëveshjes së Lisbonës ishte menduar në fakt për katastrofa natyrore dhe për zhvillime të ngjashme. Tani Bashkimi Europian përdor këtë dispozitë ligjore për të menaxhuar situatën emergjente financiare. Kjo situatë emergjente përmban 60 miliardë eurot, që komisioni i BE ua shpërndan shteteve në nevojë, nga buxheti i përbashkët i BE. Për shumën më të madhe për 440 miliardë kredi nga buxhetet e shteteve anëtare, vendet e euros kanë arritur një marrëveshje të re jashtë unionit të deritanishëm monetar, thotë Oli Rehn:

Komisioneri i BE për çështje ekonomike Olli Rehn dhe ministrja spanjolle e Financave Elena Salgado

Komisioneri i BE për çështje ekonomike Olli Rehn dhe ministrja spanjolle e Financave Elena Salgado

"Baza ligjore për 440 miliardë euro është një marrëveshje ndërmjet shteteve anëtare."

Kjo marrëveshje ndërmjet qeverive bëhet jashtë marrëveshjes së Lisbonës. Baza e deritanishme e BE-së anullohet.

Të gjithë për njërin, dhe njëri për të gjithë

Kryeekonomisti i bankës Commerzbank, Jërg Krämer, kritikoi në Frankfurt/Main faktin se Unioni Monetar me këto veprime po kthehet në një union transferi. Vendet e forta marrin përsipër borxhet e më të dobëtave. Stabiliteti i Euros rrezikohet në këtë mënyrë, sepse një union transferi duhej të drejtohej në fakt nga një qeveri unike, që kontrollon kushtet e rrepta për kreditë. Në unionin e deritanishëm monetar secili vend ka vendosur i pavarur për politikën e tij buxhetore. Politikani liberal për çështjet financiare Franz Schäffler sheh një transformim nga Unioni Monetar në një bashkësi për përgjigjet për njëri-tjetrin. Në radhë të parë Gjermania bëhet mjeshtre e të paguarit.

Banka Qëndrore Evropiane nën presionin e qeverive

Pavarësia e Bankës Qëndrore Europiane, e cila duhet të garantojë stabilitetin e çmimeve në Eurozonë është dëmtuar. Me presionin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive ajo do të blejë tani obligacionet shtetërore të shteteve të eurozonës. Një gjë të këtillë e kishte përjashtuar shefi i BQE Jean Claude Trichet deri të enjten e kaluar. Blerja e obligacioneve shtetërore do të thotë të ndezësh rrezikun e inflacionit. Për këtë ekspertët janë të një mendimi. Jean Claude Trichet në fjalën e tij të fundit të enjten në Lisbonë qe shprehur:

Jean-Claude Trichet, Presidenti i BQE është i detyruar të blejë obligacionet e disa shteteve të Eurozonës

Jean-Claude Trichet, Presidenti i BQE është i detyruar të blejë obligacionet e disa shteteve të Eurozonës

"Ne jemi të lidhur fort me stabilitetin e çmimit. Ky është qëllimi ynë kryesor, përgjegjësia jonë ndaj njerëzve në Evropë. Dhe për këtë ne ofrojmë kredibilitet."

Ky kredibilitet ka pësuar dëmtim nga ndërrimi i menjëhershëm i kursit të BQE. Në njoftimin për shtyp pas seancës së posaçme të BQE natën duke u gdhirë e hëna BQE premtoi vagullt, se do t'i luftojë me masa adequate rreziqet e inflacionit, për ta kufizuar përsëri sasinë e parave.

Komisioni i BE do të paraqesë propozimet

Komisioni i BE do t'i administrojë në rast nevoje 500 miliardë eurot e ndihmës emergjente. Ai bëhet një bankë e fuqishme krahas Bankës Qëndrore Evropiane. Ajo biles mund të marrë dhe të japë kredi të vetat. Edhe ky hap ka qenë deri para pak kohe i paimagjinueshëm dhe lëkund strukturat administrative të BE dhe të Unionit Monetar.

Të mërkurën Komisioni Europian do të paraqesë propozimet për një reformë të Unionit Monetar dhe të paktit të stabilitetit për borxhin shtetëror, që lidhet me reformën. Të njëjtën ditë ministrat e Financave të BE do të shqyrtojnë propozimet në një seancë tjetër të posaçme.

Autor: Bernd Riegert / Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM