1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Për sa kohë ushtria do t'i qëndrojë besnike gjeneralit Musharaf?

Në përmbledhjen e shtypit ndërkombëtar javor, presidenti pakistanez, Musharaf shihet në dy mënyra

default

Presidenti Pervez Musharraf duke drejtuar konferencën e ushtrisë në në Rawalpindi.

Kriza politike në Pakistan u trajtua gjerësisht në shtypin ndërkombëtar të kësaj jave.

Në humbjen e pushtetit prej presidentit Musharraf vjenezja KURIER sheh rrezik në rritje edhe për botën perëndimore:

'Është e paqartë për sa kohë ushtria 1,4 milionëshe e kthyer në perandori ekonomike do të qëndrojë besnike ndaj gjeneralit. Në fund të fundit biznesmenët duan qëndrueshmëri dhe sjellje të llogaritshme, jo kaós dhe shenja shpërbërjeje. Megjithatë zhvillimi nuk është i rrezikshëm vetëm për një sundimtar autokratik në Azi, por për mbarë botën. Pakistani nuk është vetëm aleati më i rëndësishëm i SHBA në 'Luftën Anti-Terror', por me kohë edhe parajsë për terroristë edhe nga Gjermania, Anglia, Spanja. Pikërisht për këtë arsye nga Perëndimi Musharrafit i drejtohen vetëm lutje të matura dhe aspak ajo trysni që përjeton jo-fuqia bërthamore Irani.'

TAGESANZEIGER e Zyrihut e gjykon gjendjen ndryshe:

'Me gjithë indinjatën për sjelljen autokratike të Pervez Musharrafit. Parë esëll, në Pakistan aktualisht nuk ka alternativë ndaj pushtetmbajtësit që ende paraqitet herë me kostum presidenti herë me uniformën e komandantit të ushtrisë. Kjo mund të shpjegojë përse pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme demonstratat kundër regjimit të tij ishin deri tani çuditërisht të pakta. Me siguri kjo shpjegon edhe përse aleatët e huaj, para së gjithash Shtetet e Bashkuara, në fakt u përpoqën ta bindin, por në të njëjtën kohë edhe e mbështetën. Musharrafi është aq jopullor sa kurrë më parë dhe sulmohet nga të gjitha anët, por ushtrinë, të plotfuqishmen, duket se e ka tërësisht nën kontroll dhe bashkë me të arsenalin bërthamor të Pakistanit.'

Ngjashëm e gjykon gjendjen britanikja THE TIMES:

'Nga zhvillimi në Pakistan, që nuk është gjë tjetër veçse puç, Britania e Madhe dhe SHBA u turpëruan. Asnjëri nuk është në gjendje të prishet me komandantin e ushtrisë pakistaneze, Musharrafin. Gjenerali luajti rol vendimtar në luftën kundër ekstremistëve islamistë, në dhënien fund grindjes së pakuptimtë midis Indisë dhe Pakistanit dhe në aksionin e ashpër kundërkampeve të terroristëve. Në të vërtetë as nuk ka alternativë të vërtetë kundrejt Musharrafit e as nuk është e mundur pa të të stabilizohet kufiri me Afganistanin.'

Gazeta franceze PARIS-NORMANDIE sheh mbi të gjitha politikën e jashtme amerikane të zënë ngushtë:

'Kjo është një shuplakë e tmerrshme për qeverinë amerikane. Por edhe një rrezik i madh për krejt rajonin. Pakistani është zemra e 'paxamericana'-s që kërkon të vendosë George Bush-i. Pa një aleat besnik në jug të Afganistanit lufta atje do të ishte tashmë e humbur. Edhe vetëm asnjëanësia e Pakistanit mund të mjaftonte që talibanët të arrinin fitoren. Si vend sunit Pakistani u ofron strehim luftëtarëve talibanë ashtu si edhe veprimtarëve të El Kaida-s, gjë që e zemëron qeverinë aktuale. Në rast se këta do t'ia dilnin ta destabilizonin vendin, kjo do të çonte drejt e në katastrofë.'

Në të përditshmen spanjolle EL PAIS mund të lexosh:

'Musharrafi të kujton figurën viktoriane të romanit të krijuar nga Robert Louise Stevenson, atë të Dr. Henry Jekyll-it. Shkencëtari i tërhequr i shoqërisë së mirë që shndërrohej natën në kriminelin Mr. Hyde. Për të folur me gjuhën e Stevensonit edhe Musharrafi është një rast i çuditshëm, i ngjashëm. Nga njëra anë ai ëshë njëri prej aleatëve kryesorë të Perëndimit kundër islamistëve më rajonin e krizës dhe kundër rrezikut të terrorit që prodhojnë ata. Nga ana tjetër shefi i shtabit të përgjithshëm nuk e merr seriozisht ndarjen e pushteteve, njërën prej arritjeve më të mëdha të botës së lirë. Arsyetimi i Musharrafit për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën opozita e cilëson saktë si ligj lufte, është se me përzierjen e tyre të vazhdueshme gjykatësit kishin dobësuar qeverinë e tij. Tani Musharrafi i bën thirrje Perëndimit, t'i lërë më shumë kohë: Kohë për padrejtësi? (…) Nëse Perëndimi do të mbetet i besueshëm, duhet t'i thotë mikut Pervez Musharraf, se sjellja e tij nuk shkon me një bashkësi botërore në rrugën drejt shekullit të lirisë (fjalë të Bushit këto). Ky duhet të jetë mesazhi i qartë i Evropës dhe i SHBA-ës.'

  • Data 11.11.2007
  • Autor Reinhard Kleber
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CA6b
  • Data 11.11.2007
  • Autor Reinhard Kleber
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CA6b