1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Për paqen dhe çarmatimin - 50 vjet marshimet e Pashkëve në Gjermani

Këtë fundjavë u zhvilluan për të 50-ën herë marshimet e Pashkëve për paqe dhe çarmatim. Kjo formë proteste u shkaktua nga vendimi i qeverisë Adenauer në fund të viteve '50 për armatimin atomik të ushtrisë gjermane.

Pjesëmarrësit në një marshim të Pashkëve kërkojnë tërheqjen e ushtrisë gjermane nga Afganistani, Shtutgart më 03.04.2010

Pjesëmarrësit në një marshim të Pashkëve kërkojnë tërheqjen e ushtrisë gjermane nga Afganistani, Shtutgart më 03.04.2010

Në një konferencë shtypi në prill 1957, kancelari gjerman Konrad Adenauer, CDU (Partia Kristiandekomrate Gjermane) , u shpreh për armatosjen e Bundesverit, ushtrisë gjermane me armë taktike atomike. Adenaueri deklaroi se armët taktike atomike në thelb nuk ishin gjë tjetër veçse një zhvillim i mëtejshëm i artilerisë. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Franz Josef Strauss, CSU, deklaroi para Bundestagut gjerman: "Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për faktin se rreziku i një sulmi nga ana e Bashkimit Sovjetik vazhdon të ekzistojë... Ushtria e Kuqe ka epërsi të konsiderueshme armësh konvencionale. Ajo posedon mjete luftarake atomike të të gjitha llojeve. Nëse forcave të armatosura në Evropë do t'u refuzohet një pajisje dhe armatim të paktën i njëvlefshëm, kjo do të ishte thuajse një nxitje për një agresion. Asnjë qeveri federale nuk do të arrijë, as qeveria e ardhshme, që të nxisë stacionimin e mëtejshëm të forcave të armatosura amerikane të mbrojtjes në tokën tonë, nëse kjo do të thotë që të mbështesin një ushtri, e cila përsa i përket armatimit është jashtëzakonisht më inferiore se Ushtria e Kuqe."

Konrad Adenauer ka qenë kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë nga viti 1949 deri në vitin 1963

Konrad Adenauer ka qenë kancelar i Republikës Federale të Gjermanisë nga viti 1949 deri në vitin 1963

"Luftë kundër vrasjes" - Fushata e socialdemokratëve

Kundër këtyre planeve atomare të armatimit, me ndihëm e Partisë Socialdemokrate në opozitë dhe të sindikatave u krijua fillimisht fushata "Luftë kundër vrasjes". Por edhe fushata e mbështetur nga kisha dhe pjesë të gjera të popullit nuk mundi të pengonte, që Bundestagu të miratonte në 25 mars 1958 planet e qeverisë Adenauer. U vendos armatosja e njësive të Bundesverit me armë atomike taktike të SHBA.

Në debatin para këtij vendimi, ambiciet atomike të qeverisë Adenauer i kritikoi veçanërisht ashpër deputeti socialdemokrat dhe presidenti i mëvonshëm federal, Gustav Heinemann: "E dini, armët atomike unë i quaj mjete për asgjësimin e gjallesave të dëmshme, me ndryshimin që këtë herë gjallesat do të jenë njerëzit. Të ashtuquajturat armët e reja janë shpallja praktikisht e pavlefshme e çdo ligji lufte, janë fundi i arritjeve të kulturës sonë oksidentale."

Pas miratimit të Bundestagut për planet e armatimit, Partia Socialdemokrate dhe sindikatat u tërhoqën nga fushata "Luftë vdekjes atomike." Persona të pavarur nga partitë dhe grupeve kishtare të paqes e vazhduan megjithatë protestën kundër armëve atomike. Në vitin 1960 ato zhvilluan për herë të parë një marshim paqeje për Pashkët. Si model shërbeu "Fushata për Çarmatimin Atomik" në Britani të Madhe, e cila pati organizuar për Pashkët e vitit 1958 një demonstratë me më shumë se 10 mijë pjesëmarrës nga Londra për në qendrën e kërkimeve bërthamore Aldermaston.

Marshimi i parë për Pashkët në Gjermani përfundoi të hënën e Pashkëve më 1960, me një manifestim në fushën e stërvitjes së ushtrisë gjermane në Gjermaninë e Veriut, Bergen-Hohne. Mbi 1 mijë e 200 vetë demonstruan atje kundër manovrave të ushtrisë gjermane me raketat atomike Honest-John.

Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Bundestag, Helmut Schmidt (djathtas), uron shokun e partisë se tij Gustav Heinemann (majtas) për zgjedhjen president, Berlin më 05.03.1969

Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Bundestag, Helmut Schmidt (djathtas), uron shokun e partisë se tij Gustav Heinemann (majtas) për zgjedhjen president, Berlin më 05.03.1969

Gjithnjë e më shumë njerëz u bashkohen marshimeve të Pashkëve

Në vitin 1968 në të gjithë Gjermaninë morën pjesë më shumë se 300 mijë vetë, në më shumë se 100 qytete të Republikës Federale gjermanoperëndimore. Por në vitet '70, numri i pjesëmarrësve në marshimet e Pashkëve ra në mënyrë të vazhdueshme. Qeveria e kancelarit federal Vili Brandt, SPD, ndoqi një politikë shtensionimi dhe marrëveshjeje përballë Bashkimit Sovjetik, Polonisë dhe RDGJ. Të dyja shtetet gjermane u bënë anëtare të OKB-së. Uashingtoni dhe Moska ranë dakord për herë të parë për një marrëveshje për kufizimin e arsenaleve të armëve atomike. Të gjitha këto bënë që shqetësimet për paqen te shumë njerëz të kalonin në plan të dytë.

Në fund të viteve '70 megjithatë atmosfera ndryshoi. Qeveritë e Republikës Federale Gjermane dhe shtete të tjera evropianoperëndimore të NATO-s panë një kërcënim në rritje nga armatimi i BS me raketat e reja SS-20, siç deklaroi kancelari federal Helmut Schmidt në fillim të nëntorit 1979 para kongresit të partisë në Berlin: "Çdo javë shtohet një raketë e re SS - 20 me tri koka shpërthyese. 50 në vit. 30 bombardues Backfire në vit i shoqërojnë. Shumë më tepër se 100 koka shpërthyese bërthamore gjithsej."

Një javë pas fjalimit të Schmidt-it, shtetet e NATO-s vendosën pozicionimin e raketave moderne Pershing II dhe Cruise Missles në Gjermani dhe në katër shtete të tjera. Ky raund i ri i armatimit atomik çoi në vitet '80 në lëvizjen më të madhe të paqes në historinë e Gjermanisë dhe në rigjallërimin e marshimeve për Pashkët. Në vitin 1990 u krye një marshim i përbashkët për Pashkët përgjatë kufirit gjermano-gjerman. Pas rënies së numrit të pjesëmarrësve në marshime pas fundit të konfrontimit me Lindjen, tani numri i tyre është shtuar sërish. Shkak është pjesëmarrja e Gjermanisë në luftën në Afganistan.

Autor: Andreas Zumach / Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 04.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mn8f
  • Data 04.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mn8f