1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Për një ligj të ri lustracioni

Ekspertë nga Gjermania dhe Shqipëria diskutuan në Tiranë mbi procesin e lustracionit. Përfaqësues të grupeve të interesit synojnë të mbledhin mendime në favor të hartimit të një projektligji për lustracionin.

default

Përfaqësues nga shoqatat e të përndjekurve politikë, aktivistë të të drejtave të njeriut, ekspertë të shërbimeve inteligjente, të arkivave, historianë, studentë, gazetarë etj., synojnë një projektligj për lustracionin

Dr. Anna Kaminsky është drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit Federal për studimin e diktaturës, një institucion që mbështetet nga parlamenti gjerman. Duke gjykuar mbi zvarritjet që i janë bërë në Shqipëri realizmit të procesit të lustracionit, Dr Kaminsky shprehet për DW se kjo shoqërohet me pasoja. Sipas pas saj këto pasoja janë në politikën e brendshme, por dhe që e mbajnë në padituri popullatën për ato që kanë ndodhur para disa dekadash. Nuk sqarohen mjaft çështje që lidhen me përgjegjesitë e njerëzve të caktuar në periudhën e diktaturës, sa dhe si ata kanë bashkëpunuar me organet e ish Sigurimit të Shtetit, sa janë përfshirë në krime dhe dëme të tjera sociale. Por dhe sa ata janë sot nën presion për shkak të kësaj të kaluare.

Dr. Anna Kaminsky Deutsche Expertin für Lustration Reinigung Waschen

Dr. Anna Kaminsky është drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit Federal për studimin e diktaturës

Dr Anna Kaminsky mendon se në këtë mënyrë klima politike e sociale do të mbetet e helmatisur. Por shtyrja pa mbarim e realizmit të procesit të lustracionit ka pasojë dhe në imazhin e Shqipërisë në planin ndërkombëtar, thotë ajo për DW. “Sepse Shqipëria është duke aspiruar integrimin në BE. Por ju e dini që nga ana tjetër BE ka qartësuar disa kritere për këtë proces integrimi. Njëri prej tyre është dhe ai për cilindo vend ish komunist që të pastrojë e qartësojë të shkuarën. Unë e vlerësoj shumë iniciativën që aktorë të shoqërisë civile të jenë aktivë në përgatitjen e një projektligji sa më objektiv për dosjet e kohës së diktaturës. Kjo do të mënjanonte në fazën përgatitore interferencat politike, ndikimin nga klasa politike për ti dhënë këtë apo atë kahje ligjit në fjalë. Që do të thotë me fjalë të tjera, përdorim nga ata të procesit të lustracionit”.

Ish nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, ka vite që punon për hartimin e një projektligji për dosjet e diktaturës në Shqipëri. Ai tregon hapur për DW-në kostot që shkakton moskryerja e procesit të lustracionit.

“Politika shqiptare nuk është shkëputur nga mentaliteti dhe psikologjia komuniste. Politika shqiptare nuk është pastruar nga përfaqësuesit e atij sistemi, qoftë ata që kanë qënë në rolin e persekutorëve, qoftë ata në rolin e bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit të Shtetit, gjë që ka penguar ecjen e demokracisë përpara, ka penguar ecurinë e reformave. Për të mos thënë pastaj që edhe kur kemi bërë ndonjë hap përpara jemi kthyer sërish në pikën zero.Në aspektin ndërkombëtar them se është një dëmtim i imazhit se vazhdojmë të tregohemi si shembull për mosakordimin me institucionet ndërmombëtare, pasi gjithë vendet ish komuniste e kanë realizuar lustracionin”.

Aleksander Biberaj Albanien albanischer Experte für lustration Reinigung Waschen

Aleksandër Biberaj, ka vite që punon për hartimin e një projektligji për dosjet e diktaturës në Shqipëri

Aleksandër Biberaj mendon se nga terri informativ për dokumentet e diktaturës mungon shpërblimi moral dhe financiar për ish të përndjekurit e asaj kohe, gjithashtu librat e historisë janë mjaft të deformuar dhe të përciptë në pasqyrimin dhe analizën e periudhës së rregjimit komunsit në Shqipëri. Ai thotë se ka shqyrtuar të gjitha modelet e lustracionit që janë aplikuar dhe veçon si efektiv modelin gjerman, që sipas tij është i zbatueshëm në Shqipëri.

“Merita e gjermanëve ishte se e bënë të parët, e bënë me ligj. Nuk pati asnjë lloj revanshi ose hakmarrje dhe në një farë mënyrë shoqëria gjermane u çlirua nga ajo e kaluar. Tek modeli gjerman elementi kryesor është transparenca. Ka dhe një element të rëndësishëm, pasi në ligjin gjerman u përfshi dhe bota akademike dhe mediatike. Pra, janë hapur dosjet veç politikanëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kryesore dhe të sistemit të drejtësisë dhe përfaqësuesve të botës akademike, mediatike dhe të komuniteteve fetare”

Dr. Anna Kaminsky vlerëson tek modeli gjerman faktin se në një kohë shumë të shpejtë u vendos për të hapur dokumentacionin që kishte lidhje me diktaturën. “Kishte një debat të madh, por njëkohëshisht dhe një interesim të madh në publik. Qëllimi ishte të tregonim mekanizmat e funksionimit të diktaturës, goditjet që i kishte dhënë publikut, vlerave njerëzore në tërësi. Kjo nuk mund të kuptohej në rast se nuk hapeshin arkivat, dosjet, metodikat, nuk bëheshin transparente procedurat mizore ndaj njerëzve. Nuk mund të gjykohet vetëm nga përshtypjet, kujtimet dhe perceptimet që kanë patur njerëz të caktuar. I rëndësishëm është publikimi dokumentar. Nuk them se është një gjë e thjeshtë, por në fund kupton se transparenca ka bërë më mirë se mbajtja e gjërave të mbyllura, ose fshehur për publikun”.

Dr. Anna Kaminsky shpreson se këto efekte do të ketë dhe në realitetin shqiptar, kur njerëzit do të qartësojnë mjaft çështje nga e kaluara. Ajo ishte pjesmarrëse në një tryezë të rrumbullakët që u zhvillua në Tiranë me pjesmarrjen dhe të ekspertëve të kësaj fushe nga Gjermania dhe Shqipëria, si Dr. Rainer Eppelmann, Heinz Eggert, Dr. Pandeli Pani, Elsa Ballauri, Genci Terpo, Olsi Baze etj.

Tryeza që u mbështet nga Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” dhe u organizua nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut në Tiranë kishte thirrur dhe përfaqësues nga grupet e interesit, nga shoqatat e të përndjekurve politikë, aktivistë të të drejtave të njeriut, ekspertë të shërbimeve, të arkivave, historianë, studentë, gazetarë etj. Pas konsultimeve me pjesmarrësit grupi i ekspertëve shqiptarë dhe të gjermanë po punon në përgatitjen e një projektligji të ri mbi lustracionin.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 27.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105xB
  • Data 27.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105xB