1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Për mua punojnë 68 skllevër

A mbajë unë skllevër? Një test në portalin e internetit slaveryfootprint.org arrin në përfundim se një dyzinë skllevërish mundohen në botë për mua. Nëse është kështu, çfarë mund të bëj unë për këtë?

Stilolapsat, xheli i flokëve dhe pelenat për fëmijën tim: para së gjithash këto produkte ndikuan që rezultatet e mia të testit të ngjiten lart shumë shpejt, më sqaron faqja e internetit slaveryfootprint.org. Lëndët e para të ndryshme të fshehura në këto produkte, si për shembull qymyrguri, pambuku dhe metale të caktuara prodhohen në kushte çnjerëzore në mbarë botën. Pra sipas testit skllevërit e mi ndodhen kryesisht në Kinë, por nuk mungojnë as në Amerikën e Jugut, Ukrainë, Rusi, Indonezi dhe Indi.

Pas këtij portali të internetit qëndron një organizatë jofitimprurëse që ka selinë e saj në Kaliforni. Justin Dillon, themeluesi i saj, beson se 27 milionë njerëz në mbarë botën janë të detyruar të punojnë pa pagesë. Në vend të skllavërisë këtu njeriu mund të flasë për punë të papaguar me detyrim.

Pamje simbolike

Pamje simbolike / slaveryfootprint.org

Dillon ka kërkuar rreth 400 produkte që përdoren në jetën e përditshme, nga telefonat e mençur (Smartphone) tek bluzat e deri tek kafeja ose unazat që mbajmë në gisht. Nga këto produkte ai ka llogaritur vlerat mesatare të cilat përfundimisht të çojnë në rezultatin e testit - në rastin tim janë 68 skllevër.Testi është përpiluar dhe dizajnuar në atë mënyrë që të rekomandohet sa më shpesh që të jetë e mundur në rrjetet sociale. Kjo për faktin se për organizatën është me rëndësi që kjo temë të bëhet sa më e njohur në mbarë botën.

Më shumë detaje, ju lutem

Sa i përket përmbajtjes ka disa kritika në adresë të slaveryfootprint.org. Sabine Ferenschild nga organizata joqeveritare "Südwind", e cila po ashtu merret me çështjet ekonomike ndërkombëtare, e sheh me sy kritik termin "skllavëri": "Është shumë e vështirë të përcaktohet se cilat janë kushtet e punës të ngjashme me skllavërinë dhe çfarë është më shumë punë kundrejt pagesave të ulëta e cila megjithatë do të thotë shfrytëzim ekstrem".

Në foto, Sabine Ferenschild

Në foto, Sabine Ferenschild

Edhe pse faqja e internetit në masë të madhe është transparente sa i përket burimeve të saj, megjithatë asaj i mungojnë informacione të detajuara mbi tema specifike, mendon Ferenschild në intervistë me DW. Ekspertja e tekstilit thotë se ideja është shumë e mirë por ajo nuk trajton gjërat deri në fund. "Nëse kjo faqe do të zgjerohej me disa tema: shpesh mungesën e standardeve minimale sociale, pagat dinjitoze që nuk paguhen pothuajse fare, atëherë ajo do të ishte udhërrëfyese."

Çfarë mund të bëj?

Me fjalë të tjera kjo do të thotë: edhe në qoftë se numri 68 nuk është i saktë prapëseprapë kjo faqe interneti do të arrijë të rrisë vetëdijësimin për problemin. Njerëzit në mbarë botën punojnë nën kushte degraduese vetëm për të mbajtur në nivel të lartë standardin tim të jetesës. Pasi portali carbonfootprint.com ka shpjeguar tashmë se sa të rënda janë pasojat e fluturimeve tona me avion për mjedisin, një tjetër problem tematizohet me portalin slaveryfootprint.org.

slaveryfootprint.org

slaveryfootprint.org

Zgjidhja që propozon Slaveryfootprint është: Përhapi më tej informacionet për skllavërinë moderne dhe dhuro më shumë para. Faqja nuk rekomandon shmangien e produkteve të caktuara. Produktet e përzgjedhura atje janë ushqime dhe mallra të ndryshme por jo të ndonjë marke të veçantë. Gjithsesi kjo nuk sjell rezultate të mëdha, shprehet e bindur Sabine Ferenschild nga organizata "Südwind": tema "konsumi i ndershëm" është një çështje shumë e komplikuar dhe merr shumë kohë.

Përpjeket e para

Shumë kompani nuk e dinë as vetë saktë se prej nga vijnë lëndët e tyre të para. Susanne Jordan beson po ashtu se kompanitë e mëdha nuk kanë asnjë interes që të ndryshojnë diçka në këto procese. Prandaj Jordan nga Bavaria, me profesion gjeografe, është përpjekur vetë për të zhvilluar një produkt korrekt: një mi kompjuteri. Vetëm atëherë ajo u bë me të vërtetë e vetëdijshme se sa kompleks është zinxhiri i prodhimit për një objekti të tillë kaq të thjeshtë.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

"Montimi, instalimi dhe prodhimi i trupit të miut, të gjitha këto bëhen tek ne në mënyrë të ndershme", shpjegon ajo në një intervistë me Deutsche Welle. Ndoshta dy të tretat e përbërësve janë prodhuar në kushte të ndershme por " pastaj vijnë disa pjesë më të vogla të paraprodhuara, pastaj edhe disa të tjera dhe më vonë lënda e parë." Për këto materiale ka shumë pak informata ose për shkak se kompanitë e përfshira nuk i publikojnë ato, ose sepse as ato nuk e dinë origjinën e tyre, pasi ato pjesë blihen përmes ndërmjetësuesve.