1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Për Mosulin nuk flet më askush

Para një viti luftëtarët e IS pushtuan Mosulin. Që atëherë vazhdojnë të ngrenë shtetin e tyre. Korrespondentja e DW Birgit Svensson ka analizuar regjistrimet audio të betejës, që tregojnë dështimin e trupave irakiane.

16 qershor 2014 - Demonstrues parakalojnë me flamuj të IS nëpër Mosulin e pushtuar.

16 qershor 2014 - Demonstrues parakalojnë me flamuj të IS nëpër Mosulin e pushtuar.

"Djalli ta marrë, ku janë avionët?", ulëret një toger në telefon, "ka më shumë se një orë që presim!" Adnani është nervoz dhe kërkon nga komandanti një përgjigje. Mahdi al-Gharavi mund t'i përgjigjet vetëm se i është premtuar mbështetje nga ajri, e cila mund të mbërrijë çdo minutë. Por avionët nuk vijnë. Kur togeri i tefefonon përsëri komandantit, ky e ngushëllon. Gharavi do të flasë një herë me kryeministrin dhe pastaj do ta marrë përsëri. Ndërkohë beteja për Mosulin vazhdon. Pak nga pak luftëtarët e të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) vendosin nën kontroll qytetin dy milionësh. Është 10 qershor 2014.

Krijohet një situatë kaotike e paqartë. Kryekomandanti i operacionit Nineva, operacionit për mbrojtjen e Mosulit dhe të gjithë provincës në veriperëndim të Irakut, i thërret njëri-pas tjetrit oficerët e tij dhe i pyet lidhur me pozicionet dhe gjendjen e ushtarëve. Tani është Gharavi, që ulëret në telefon: "Do të urdhëroj t'i vrasin të gjithë ato, që dezertojnë." Situata bëhet gjithnjë e më e keqe. Permes telefonit celular gjeneralil i brigadës jep urdhër, që të grumbullojë në sheshin Yarmuk të gjitha forcat, që kanë mbetur. Kur i thërret pak më vonë oficerët e tij, askush nuk i përgjigjet në celular, ose i kanë fikur telefonët. Mosuli është në duart e IS. Vetëm katër ditë rresht ushtria irakiane mundi të mbrojë qytetin e dytë të madh të vendit kundër milicëve terroristë, të cilët deri atëherë nuk i kishte marrë askush seriozisht, por që po i futin tmerrin gjithë rajonit.

27 qershor 2014 - IS shkatërroi të gjitha xhamitë e rëndësishme në Mosul.

27 qershor 2014 - IS shkatërroi të gjitha xhamitë e rëndësishme në Mosul.

45 incizime nga telefoni celular i komandantit, të cilat i janë paraqitur autores, mund ta rindërtojnë në mënyrë dramatike atë, që ka ndodhur një vit më parë në Mosul. Urdhërat e Gharavit janë të pakoordinuara, të pastrukturuara dhe joprofesionale. Ai u jep vartësve të tij emra të paqartë vendesh. Nuk dallohet një strategji mbrojtjeje. Ndaj ankesave të vartësve të tij, se ata nuk kanë ngrënë dhe nuk kanë pirë për dy ditë, nuk vjen asnjë përgjigje. Ai qendron i heshtur, edhe kur lejtnant Mohsin i raporton se armët e montuara mbi tanket nuk funksiononin dhe sistemet e monitorimit mungonin.

Në pushtimin e Mosulit jo vetëm që kanë dezertuar qindra ushtarë, por kanë rënë në duart e IS edhe armë të shumta dhe automjete nga ushtria irakiane. "Ne kemi humbur shumë armë", njoftoi kohët e fundit në televizionin shtetëror kryeministri irakian Haider al-Abadi. Përveç kësaj në duart e ekstremistëve kanë rënë 2300 automjete të blinduara të tipit Humvee. Gjenerali i brigadës Gharavi u shkarkua nga posti i tij dhe u akuzua. Ai e sheh veten të akuzuar pa të drejtë. Duhet të ketë regjistrime telefonike, në të cilat kryeministri i atëhershëm Nuri al-Maliki si kreu i ushtrisë dha personalisht urdhërin për tërheqjen nga Mosuli. Një komitet hetimor duhet të paraqiste raportin në ditën e përvjetorin. Por takimi u shty.

Një luftëtar i IS në Mosul - IS ka marrë këtu shumë armë.

Një luftëtar i IS në Mosul - IS ka marrë këtu shumë armë.

Anullohet operacioni për ripushtimin

Është shtyrë edhe ripushtimi i qytetit. Një herë Tikriti pasaj Mosuli është thënë për muaj të tërë si nga komanda ushtarake udhëheqëse në Bagdad, ashtu edhe nga anëtarët e aleancës ndërkombëtare nën udhëheqjen e SHBA-ve, të cilët që nga gushti i vitit të kaluar kryejnë sulme ajrore kundër IS në Irak. Ofensiva e madhe duhej të fillonte në prill ose maj, ushtria irakiane duhej të bashkëpunonte me trupat kurde. Një punonjës i komandës qendrore të ushtrisë amerikane tregoi detaje pikante para gazetarë të New York Times. Edhe forcat speciale amerikane duhet të vepronin në tokë për të koordinuarmë mirë sulmet ajrore. Ministria Amerikane e Mbrojtjes reagoi e zemëruar në lidhje me informacionin jashtëzakonisht të detajuar mbi një operacion ushtarak, që ende nuk kishte filluar. Shefi i Pentagonit Ashton Carter foli për një "zbulim të gabuar të sekreteve ushtarake". Operacioni u anullua.

Në vend të kësaj qeveria irakiane vendosi të ndryshojë strategjinë e saj: Objektiv i ripushtimit nuk do të ishte më qyteti i Mosulit, por krahina fqinje në perëndim të Bagdadit, Anbar. Forcat qeveritare duhej të çlironin së pari rafinerinë rëndësishëm në Baiji, për të kaluar pastaj në perëndim në Anbar. Por IS ishte më i shpejtë. Para se trupat mund të zhvendoseshin, xhihadistët sulmuan fort Ramadin, kryeqytetin e provincës, për të cilin luftohet prej disa muajsh duke e vendosur atë tërësisht nën kontrollin e tyre. Që prej dy javësh vazhdon një kundërofensivë e quajtur Hashid al-Shabi", e forcave të mobilizimit popullor, ku bashkëpunojnë ushtria irakiane, milicët shiitë dhe fiset e armatosura sunite. Deri tani pa sukses

25 maj 2015 - Trupat irakiane nisin kundërofensivën në Ramadi.

25 maj 2015 - Trupat irakiane nisin kundërofensivën në Ramadi.

"Anbarin nuk do ta rimarrin dot kurrë të tërin", profetizon deputeti i parlamentit irakian Mithal al-Alusi, i cili vjen vetë nga Anbari. Falluxha, qyteti më i madh i provincës me 310.000 banorë, kontrollohet nga IS që nga janari i vitit 2014. Ai ka qenë qyteti i parë në Irak, ku është ngritur flamuri i zi i xhihaditësve. Me vendimin e saj për të rimarrë të parin Anbarin, qeveria irakiane do të dështojë, profetizojnë vëzhguesit politikë në Bagdad. Ai ka qenë një vendim politik dhe jo ushtarak, thuhet nga komanda supreme e ushtrisë në kryeqyteti irakian. Ushtarakët nuk janë pyetur fare për këtë, ose jo në mënyrë të mjaftueshme. Politikanët irakianë i kanë dhënë prioritet më të lartë mbrojtjes së Bagdadit, se sa ripushtimit të Mosulit, thotë një anëtar i Këshillit Ushtarak, i cili nuk dëshiron ta thotë emrin. Anbar kufizohet direkt me Bagdatin.

Pastrim i madh në Mosul

Ndërkohë anëtarë të lartë të IS janë kthyer përsëri në Mosul, pasi ishin larguar në Siri nga kërcënimi i sulmit të aleancës ndërkombëtare. Ndërsa luftimet në Anbar vazhdojnë, në Mosul atyre u duket se janë të sigurtë. Siç njoftoi portali i lajmeve "Niqash", pastrimi është aktualisht në rend të ditës. Rrugët, sheshet dhe trotuaret janë fshirë e pastruar nga mbeturinat, rrugët e prishura riparohen, vendosen shenjat rrugore dhe dritat e trafikut. Mosuli është aq i pastër sa kurrë më parë në këto vite, tregojnë gazetarë irakianë nga Mosuli në mediat sociale. Edhe furnizimi me energji funksionon përsëri, pasi energjia elektrike ka munguar prej më shumë se pesë muajsh.

Përgjegjës për këtë "fitore", është një person me emrin Ebu Obaidah, 30 vjeçar që vjen nga provinca irakiane Dijala. Qëllimi i tij është të tregojë se IS mund të qeverisë qytetin më mirë se sa përgjegjësit e dikurshëm, që ndodhen tani në mërgim. Nëse milicët terroristë fitojnë kështu zemrat e banorëve të Mossulit dhe i bëjnë ato të harrojnë krimet, është një çështje tjetër. E sigurtë është se ata mendojnë të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Nga tregtarët në tregun e Mosulit IS mbledh aktualisht një gjobë vjetore prej 1.500 dollarësh amerikanë.