1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Për kultivimin e bimëve mjekësore në zhdukje

Gjermania mbetet vendi kryesor që importon bimë medicinale dhe aromatike nga Shqipëria, mbi 70%. Nga mbledhja e pakujdesshme dhe abuzive, disa bimë të të rralla rrezikojnë të zhduken.

default

Shqipëria ndodhet në krye të vendeve që eksportojnë bimë mjekësore në tregjet europiane dhe ato përtej Atlantikut. Ndër vendet e BE-së, Gjermania është importuesja më e madhe e bimëve mjekësore nga Shqipëria me 2 500 ton në vit, e ndjekur nga SHBA me 1 300 ton. Pas tyre vjen Italia, Franca dhe Turqia.

Dhimitër Doka, Profesor i Gjeografisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës, humboltian, i kualifikuar në Universitetet gjermane të Bamberg-ut dhe të Potsdam-it thotë për programin shqip të DW se roli lider i Shqipërisë në eksportin e bimëve mjekësore vjen nga pozicioni i saj gjeografik. “Shqipëria dallohet për natyrën e saj shumë të pasur dhe natyrën tepër te larmishme, Ndër pasuritë natyrore një vend shumë të rëndësishëm zë bota bimore. Janë një numër i madh bimësh me vlera mjekësore. Në total Shqipëria eksporton 80 ton bimë medicinale dhe aromatike me një vlerë prej 50 milion eurosh në vit, shifër kjo e konsiderueshme në volumin e përgjithshëm të eksporteve. Ekzistojnë 320 bimë të tilla që përdoren në farmaceutikë, kozmetikë, industrinë e pijeve etj. Mes tyre janë 30 bimë endemike, që do të thotë se ato rriten vetëm në Shqipëri. Ndër këto bimë veçojmë “Gentiana lutea” dhe “Primulën”për të cilat kampanitë gjermane janë shumë të interesuara dhe i importojnë ato nga Shqipëria,” thotë Prof. Dr Dhimitër Doka.

Tauschbörse für Pflanzensamen in Griechenland

Varfëria dhe rreziku i zhdukjes së bimëve medicinale endemike

Vetitë e jashtëzakonshme kuruese të “Gentiana luteas” u zbuluan në shekullin e dytë p.e.s. nga Genti, mbreti i fundit ilir, që i dha bimës çudibërëse emrin “Gentiana”, emër me të cilin ajo njihet sot në të gjithë botën. Vështirë që mbreti ilir Gent, të ketë përfytyruar në ato kohë të largta se zbulimi i tij do të bëhej një burim i mire të ardhurash për banorët e sotëm të trevave ku shtrihej dikur mbretëria e tij.

Shitja e bimëve mjekësore u siguron banorëve të zonave të thella malore në verilindje të Shqipërisë, ku banojnë edhe shtresat më të varfëra, rreth 60% të totalit të të ardhurave vjetore. Mungesa e burimeve të tjera për të jetuar, etja për të shitur sa më shumë dhe dalë sa më shpejt nga varfëria ekstreme kanë sjellë edhe keqtrajtime dhe dëmtime të bimëve mjekësore dhe aromatike natyrore. “Në shumë raste vërehet keqtrajtim i tyre, mbledhje jo në kohën e duhur, shkulje me rrënjë gjë që e sjell rrezikun e zhdukjes. Gentiana Lutea është një prej bimëve mjekësore që rrezikon të zhduket” thotë Z. Doka.

Projekti gjerman – kultivim dhe jo mbledhje e bimëve

Bashkë me Gentiana Lutea-n po rrezikon të zhduket edhe Primula, një bimë tjetër e rrallë medicinale që rriten në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit. Por një projekt gjerman, i financuar nga GIZ, ish GTZ, po kontribuon që kjo të mos ndodhë.

Albanien Deutschland GTZ

Ismail Beka

Ismail Beka, zv/ drejtor i zyrës së GIZ në Tiranë dhe menaxher programesh thotë për programin shqip të DW se projekti siguron partneritet mes kompanive gjermane dhe fermerëve shqiptarë. “Kompanitë gjermane kanë arritur që, në bashkëpunim me fermerë shqiptarë, të ndërtojnë një bazë gjenetike për të prodhuar farën dhe fidanët e këtyre bimëve në rrezik përt t'u zhdukur. Përveç kësaj kanë arritur marrëveshje me fermerë në zona të ndryshme të Shqipërisë, që ata të pranojnë kultivimin e këtyre bimëve. Mes dy palëve janë nënshkruar kontrata afatgjata, ku kompanitë gjermane garantojnë blerjen e bimëve mjekësore të kultivuara. Kjo është realizuar në tri zona, me fermerë e Thethit, të Slovës në Dibër dhe të Stëblevës, në Librazhd,” thotë Ismail Beka

Projekti në fjalë është mbështetur financiarisht nga qeveria gjermane, përmes GIZ, duke mbuluar për kompanitë gjermane 50 % të kostos. Rezultati i projektit është i dyanshëm: nga njëra anë fermerët gjejnë në Gjermani tregun e garantuar dhe afatgjatë që u ka munguar, nga ana tjetër ruhen nga rreziku i zhdukjes bimët e rralla medicinale që rriten në natyrë.

Flash-Galerie Grüne Gentechnik

Gjermania kryeson vendet që marrin bimë nga Shqipëria


Kultivim i bimëve bazë zhvillimi për zonat e thella malore

Kultivimi i bimëve mjekësore sjell edhe rritjen e prodhimit të tyre rreth 6 herë në krahasim me sasitë që ndodhen në natyrë. Rritja e prodhimit sjell si pasojë bazën për zhvillimin e industrisë së këtyre bimëve dhe rritjen e eksportit. Si në një reaksion zinxhir shtimi i prodhimit sjell rritjen e të punësuare, shtimin e të ardhurave dhe mundësi reale për zhvillimin ekonomik të zonave të thella malore. Sipas vlerësimit të Ministrisë së Punës, në sektorin e mbledhjes së bimëve medicinale janë punësuar rreth 100 mijë vetë. Kjo varet edhe nga interesi i kompanive gjermane për ta shtrirë modelin e kultivimit të bimëve mjekësore, të krijuar nga GIZ, nga tre zona, edhe në zona të tjera. “Interesi i kompanive gjermane është në rritje” thotë Ismail Beka.

Ky interes pritet të shtrihet edhe në investime gjermane për përpunimin në Shqipëri, të bimëve medicinale dhe aromatike. Kjo do të kishte interes për të dyja palët: rrit të ardhurat e kompanive gjermane pasi krahu i punës është më i lire në Shqipëri, dhe nga ana tjeter mundëson zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për zonat e thella malore.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 07.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10pKe
  • Data 07.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10pKe