1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Për Kosovën - Status neutral

I ngarkuri i BE-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Volfgang Ischinger, deklaroi në SHBA se treshja ndërmjetësuese po përgatitet të paraqesë një propozim të ri për Kosovën të quajtur "status neutral".

Skender Hyseni, Veton Surroi dhe Lutfi Haziri në Vjenë 21 shkurt 2007

Skender Hyseni, Veton Surroi dhe Lutfi Haziri në Vjenë 21 shkurt 2007

Udhëheqësit politik kosovarë të angazhuar në procesin negociator, thonë se nuk janë të gatshëm të pranojnë për Kosovën asgjë më pak se pavarësia. Ky qëndrim u shpreh në Prishtinë, pas një deklarate të dhënë nga ndërmjetësuesi i BE-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës Volfgang Ischinger. Sipas Ischingerit treshja ndërmjetësuese po përgatitet t'u paraqesë palëve një propozim të ri për Kosovën të quajtur "status neutral".

Çfarë është "statusi neutral"?

Ky status neutral synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Volfgang Ischinger, tha se propozimi i ri mund të çonte në një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, mirëpo në propozim nuk do të thuhej asnjë fjalë e vetme për statusin.

Reagimi nga Prishtina

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës, thonë se Prishtina është e gatshme të diskutojë dhe të japë mendime lidhur me çfarëdo propozimi, që mund të dalë në tavolinën e bisedimeve, por është e vendosur që mos të lëvizë nga qëndimi për pavarësinë e Kosovës. Skender Hyseni, është zëdhënës i grupit negociator thotë se: “Si qëndrim krejt parimor, Ekipi i Unitetit është i gatshëm dhe i përgatitur të përgjigjet në çfarëdo propozimesh apo idesh që dalin në tavolinë. Por, kjo assesi nuk do të thotë që udhëheqësit kosovarë janë të gatshëm të pranojnë ndonjë gjë tjetër nën pavarësi”, thotë Skender Hyseni.

Propozimi i ri për 20 nëntor

Propozimin për një status neutral të Kosovës, treshja ndërmjetësuese do taa paraqesë në takimin e radhës ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe të Beogradit, që do të zhvillohet me 20 nëntor në Bruksel.

Tre muaj më parë, kur treshja e përbërë nga përfaqësuesi i BE-së ai i SHBA-së dhe Rusisë, u ngarkua për negociatat shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, u tha se ata nuk do të kenë mandat të bëjnë propozime për zgjidhjen e statusit, por do të mundohen vetëm të përafronjë qëndrimet e palëve. Mirëpo, në dy takimet e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, treshja ndërmjetësuese paraqiti një dokument 14 pikësh më të cilin sipas tyre synohej rregullimi i marrëdhënieve Prishtinë-Bograd.

Propozimet nuk duhet të shtyjnë afatet

Për Prishtinën zyrtare, ky dokument nuk ishte propozim për zgjidhjen finale të statusit, por vetëm një dokument pune. Pala kosovare thotë, se edhe idetë e tjera që mund të paraqiten nga treshja do të diskutohen, mirëpo ata dëshirojnë të besojnë se këto ide nuk do të ndikojnë për një shtyrje tjetër të zgjidhjes së statusit pas datës 10 dhjetor. “ Unë mendojë se tashmë ka një bindje edhe në gjithë bashkësinë ndërkombëtare, se zvarritjet e mëtejme për zgjidhjen e statusit janë të papranueshme. Nga ana jonë, ne e kemi bërë shumë të qartë, se Kosova nuk është e gatshme të angazhohet në çfarëdo procesi që mund të zvarritet përtej datës 10 dhjetor, kur përfundon mandati i treshes ndërmjetësuese,” thotë Skender Hyseni.

Për Prishtinën vazhdon të vlejë Plani i Ahrisaarit

Sidoqoftë, udhëheqësit politik kosovarë nuk besojnë se treshja ndëmjetësuese në bisedat shtesë do të ndërrojë rolin, nga pozicioni ndërmjetësues të kalojnë në pozicionin që të bëjë propozime. Kjo për faktin se ekziston një propozim për statusin, i bërë më parë nga Marti Ahtisari dhe i pranuar nga Prishtina. Ata presin që pas datës 10 dhjetor, në mungësë të një marrëveshje Prishtinë-Beograd, bashkësia ndërkombëtare të veprojë dhe të njohë planin e Marti Ahtisarit.

  • Data 14.11.2007
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CDji
  • Data 14.11.2007
  • Autor Bekim Shehu
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CDji