1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike Shqipëri - Gjermani

Shoqata gjermane e Industrise dhe Tregtisë në Shqipëri ofron mbështetje për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe mbështetur investitorët nga të dyja vendet.

Andrea Gebekenn, drejtore Ekzekutive e aeroportit Nënë Tereza dhe kryetare e shoqatës gjermane të Tregtisë dhe Industrisë.

Andrea Gebekenn, drejtore Ekzekutive e aeroportit " Nënë Tereza" dhe kryetare e shoqatës gjermane të Tregtisë dhe Industrisë.

Kompanitë gjermane, që duan të investojnë në Shqipëri apo ato shqiptare që synojnë tregun gjerman, kanë edhe një mundësi më shumë për të marrë mbështetjen dhe informacionin e dëshiruar. Që prej një muaji në Tiranë funksionon Shoqata gjermane e Tregtisë dhe Industrisë. Ajo ka atributet e një Dhome, me zyrat e saj të hapura në Tiranë, në fillim të këtij muaji, por sipas ligjislacionit shqiptar do të quhet e tillë sapo numri i anëtarëve të arrijë në 100.

Andrea Gebekken, drejtore Ekzekutive e aeroportit " Nënë Tereza" dhe njëherazi kryetare e shoqatës thotë, se hapja e saj erdhi si një domosdoshmëri e diktuar nga marrëdhëniet ekonomik gjermano-shqiptare në rritje. "Marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Shqipërisë kanë qenë përhere të pranishme, por tani janë duke u rritur shumë. Shohim shumë kompani gjermane që vijnë në Shqipëri, që dëshërojnë të investojnë dhe të përcaktojnë potencialet e tregut shqiptar. Ndërkohë edhe shumë kompani shqiptare po shkojnë në Gjermani për të krijuar kontakte me kompani gjermane dhe ndërtuar marrdhënie me to. Prandaj themelimi i shoqatës ishte një domosdoshmëri e diktuar nga rritja e marrdhënieve reciproke ekonomike, dhe një mundësi për të përfaqësuar interesin që kompanitë nga të dyja vendet kanë ndaj partnerëve të vendit tjetër," shpjegon Andrea Gebekenn.

Shtimi i anëtarëve brenda një muaji nga 9 në 20 është një tregues i qartë për mbështetjen që ata gjejnë, në Shoqatën gjermane të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri. Një argument tjetër është ndryshimi në kah pozitiv i imazhit të Shqipërisë dhe përfshirja e saj në vendet që ofrojnë siguri për investitorët. "Reputacioni i Shqipërisë është përmirësuar mjaft jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë. Ndryshimet janë shumë të dukshme. Antarësimi në NATO, aplikimi për antarësim në BE, të gjitha këto çojnë drejt faktit që imazhi i Shqipërisë është ai i një vendi me potenciale për të investuar. Për këtë evropianët janë tani shumë më të ndërgjegjshëm nga sa kanë qenë më parë," thotë Andrea Gebekenn .

Domethënës është fakti i pjesëmarrjes në Bordin e kësaj shoqate të emrave të mëdhenj, të pranishme tanimë në Shqipëri si Mercedes, Volksvagen, Hochtief, Dermafarma apo e më të rejave si Sprint, kompani gjermane konsultimi për marketing dhe menaxhim. Anduena Stefan është anëtare e Bordit dhe drejtore ekzekutive e kompanisë Sprint. Autore e një studimi te thelluar mbi ecurinë e marrëdhenieve ekonomike gjermano shqiptare ajo thotë, se volumi i shkëmbimeve tregëtare mes dy vendeve arrin në rreth 400 milionë euro në vit. Bordi i shoqatës do të synojë t`i përgjigjet interesit që të dyja palët po dëshmojnë për ta shtuar këtë volum. "Bordi i Shoqatës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri ka një rol tepër të përcaktuar. Në kompozimin e vet ai është përbërë nga anëtarë, që vijnë nga biznesi aktiv shqiptar por me lidhje të drejtpërdrejta me Gjermaninë. Ai përforcohet nga prania e institucioneve që merren drejtpërsëdrejti me bashkëpunimin ekonomik Gjermani - Shqipëri, si ambasada gjermane, sektori ekonomik i saj, përfaqësuesi i Dhomës Qendrore Gjermane të Industrisë dhe përfaqësuesi i Dhomës Tregtare gjermano- shqiptare, me seli në Berlin. Rritja e shoqatës që nga themelimimi i saj me 20 anëtarë është reflektimi më i pastër dhe më drejtëpërdrejtë i interesit që ekziston dhe i perspektivës konkrete për të shkëmbyer mendime, ide dhe çuar përpara bashkëpunimin," thotë Anduena Stefan.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 20.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HtrT
  • Data 20.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HtrT