1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Për Cameron Britania e Madhe më e rëndësishme se BE

Në kongresin e fundit të madh para zgjedhjeve për Dhomën e Ulët, kryeministri britanik nuk tregon zemër për BE. Evropa është për të çështje pragmatizmi.

David Cameron ia doli mbanë edhe një herë - për pak do të kishte hyrë në histori si kryeministri britanik nën të cilin u shpërbë Britania e Madhe. Por Skocia, të paktën një herë për një herë, është pjesë e Britanisë së Madhe. Në mënyrë të papritur shumica e skocezëve u shpreh kundër pavarësisë në referendumin në fund të shtatorit.

Do t'i thyhej zemra nëse Skocia do të shkëputej, pati deklaruar Cameron në një fjalim emocional pak para referendumit. A do t'i thyhej zemra edhe nëse Britania e Madhe do të braktiste BE-në, u pyet ai tani pak para fjalimit të tij në kongresin e partisë. Përgjigja e tij: Britania e Madhe është për të 1000 herë më e rëndësishme se BE.

BE: "Marrëveshja më e mirë" për Britaninë e Madhe

BE për të nuk është çështje zemre por pragmatizmi: fjala është të arrihet "marrëveshja më e mirë" për Britaninë e Madhe. Një kontrast me politikanët gjermanë, për të cilët BE si garant për paqen në kontinent është padyshim një çështje zemre.

Porträt - UKIP Mark Reckless

Mark Reckless - nga konservator në populist të djathtë

Për David Cameron BE është para së gjithash një kokëçarje e vazhdueshme. Pak para kongresit të partisë dy deputetë konservatorë në Dhomën e Ulët braktisën grupin e tyre për të kaluar tek UKIP, partinë konservatore të djathtë, e cila angazhohet për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Argumenti i Mark Reckless, njërit prej të larguarve: imigracioni i pandalur "i punëtorëve të pakualifikuar nga jugu dhe lindja e Evropës" drejt Britanisë së Madhe është "marrëzi" dhe do të ketë si rezultat që aplikantë të kualifikuar nga Commonwealth të lihen pas dore. Reckless kërkon të reduktojë numrin e imigrantëve në disa pak dhjetëra mijë në vit

Skaji i djathtë i partisë po shkërmoqet

Për t'i mbajtur nën kontroll armiqtë e BE-së në partinë e tij dhe për të penguar që skaji i djathtë i partisë të shkërmoqet më tej, Cameron kërkon nga Brukseli reforma. Ai kërkon të reduktojë burokracinë, të pengojë koezionin e ngushtë, të kufizojë lirinë e vendosjes në një vend. Për të mbrojtur idetë e tij ai ka themeluar iniciativën Fresh Start, e cila merret vesh me partnerë të tjerë në BE për propozime reformash. Pjesën tjetër të kryetarëve të qeverive ai e vën nën presion: vetëm kush pranon propozimet e tij për reforma angazhohet për qendrimin edhe më tej të BE-së në Union, kërcënon ai.

Por skepktikët në radhët e veta nuk arrin t'i bindë me këtë: rreth një e katërta e të gjithë deputetëve konservatorë në Dhomën e Ulët do të dëshëronin braktisjen e menjëhershme të BE, vlerëson Tony Travers, politolog në London School of Economics: "Çfarëdo të ndërmarrë Cameron, këta deputetë nuk do të binden kurrë, ata thjesht duan të dalin nga BE." Edhe në bazë janë të shumtë ata që e shohin me sy të keq BE-në. Travers pret që partia në të ardhmen të bëhet edhe më kritike ndaj BE-së.

Çfarë ndodhi me modernizuesin?

Edhe David Held, drejtor i institutit për Global Policy në Universitetin Durham e sheh Cameron - nën trysninë e UKIP dhe kundërshtarëve të BE-së në partinë e tij - të zhvendoset gjithnjë e më shumë djathtas: "Reformat ose dalja nga BE, këto janë alternativat e tij të vetme."

E pra David Cameron ishte paraqitur si ai që do të modernizonte partinë. Para nëntë vjetësh, kur politikani 39-vjeçar David Cameron kandidoi për kreun e Partisë Konservatore britanike, ai bindi me sharmin e tij anëtarët e partisë me moshë mesatare 60 vjeç. Në zgjedhjet e 2010 ai ia doli të fitonte me sloganin "Vote blue, get green", dhe largoi laburistët pas një mandati të gjatë.

Rezultatet në sondazhe - dukshëm prapa laburistëve

Por kohët kur Cameron angazhohej për mbrojtjen e klimës dhe kundër ngrohjes globale kanë marrë fund. Sot Partia Konservatore përpiqet para së gjithash të profilizohet në politikën ekonomike. Pas krizës financiare ekonomia britanike po e merr veten dhe vazhdimi i kësaj tendence është për David Cameron shansi më i mirë për një mandat të dytë, mendon politologu Tony Travers. Sepse sondazhet nuk janë pozitive për të për momentin: konservatorët gjenden gati 4 për qind prapa laburistëve dhe zgjedhjen e ardhshme për Dhomën e Ulët mbahen në pranverë.

Për David Held zgjedhjet e radhës për Dhomën e Ulët janë nga më të rëndësishmet në historinë britanike: "Fjala është për jo më pak se indentitetin tonë britanik. Fjala është për të vendosur nëse do të mbetemi në Evropë - do të vazhdojmë të jemi një vend i hapur dhe liberal apo do të mbyllemi në vetvete?"

2017: Referendum për BE në Mbretërinë e Bashkuar?

Në rast fitoreje në zgjedhje Dadid Cameron ka premtuar se do të lejojë popullin britanik të vendosë me votë në referendum për qendrimin ose jo në BE, edhe ky një lëshim për kritikët e BE-së brenda partisë. Në 2017, pra tre vjet pas referendumit për pavarësinë e Skocisë, do të mbahet një referendum për anëtarësinë në BE. Pasi David Cameron pati fat në çështjen e Skocisë do të shpresojë që të mos mbetet në histori i kryeministri që mban përgjegjësinë për daljen e Britanisë së Madhe nga BE.