1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përplasjet në Prishtinë - lëndohen policë dhe qytetarë

Bekim Shehu13 Tetor 2015

Pas arrestimit të deputetit Albin Kurti pati përleshje mes policisë dhe aktivistëve të VV në Prishtinë. Prokuroria: hetime ndaj deputetëve, që dyshohen për vepra penale duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

https://p.dw.com/p/1GnDo
Albin Kurti
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Xhemaj

Të paktën 20 vetë të lënduar - policë e qytetarë - disa vetura zyrtare të djegura dhe dëme të tjera materiale në stacionin qendor të policisë në Prishtinë si dhe në dyqanet përreth, ky është bilanci i përleshjeve mbrëmjen e së hënës (12.10)mes aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe policisë. Përleshja ndodhi pasi policia pak para mesnate arrestoi për disa orë deputetin Albin Kurti pas zhvillimeve të javës së kaluar në Parlamentin e Kosovës, kur deputeti Kurti hodhi gaz lotsjellës për të penguar seancën plenare. E gjithë kjo në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e aktivistëve të Vetëvendosjes, që ishte mbledhur para rajonit të policisë ku mbahej Albin Kurti. Disa makinave u është vënë zjarri, ndërsa kontejnerë mbeturinash u përdorën nga protestuesit si barrikada kundër policisë. Edhe përfaqësuesit e partive opozitare iu bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët akuzuan policinë për siç thuhet, rrëmbimin e zotit Kurti. Deputeti Albin Kurti u arrestua në rrugën Ferizaj Prishtinë, kur po kthehej nga Shkupi. Kurti ishte i shoqëruar edhe nga shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, jep detaje për trazirave të mbrëmshme. "15 policë janë të lënduar si pasojë e dhunës së protestuesve, prej tyre 3 rëndë dhe po ashtu një qytetar i lënduar nga dhuna e protestuesve. 8 persona të tjerë janë shoqëruar në stacionin policor. Janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në objekte policore, shoqërore dhe private. Një djegie e veturës pranë Prokurorisë dhe disa të tjera të dëmtuara", njofton Baki Kelani.

Ndërkohë, prokuroria e Shtetit në një njoftim të saj, ka bërë me dije se departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Përdorimi i armës, nga neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës."Në kuadër të këtij hetimi ka qenë i planifikuar edhe intervistimi i deputetëve të dyshuar, për të cilën arsye sipas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë është ndaluar deputeti Albin Kurti. Deputeti Kurti është intervistuar në polici në prezencë të avokatit mbrojtës dhe menjëherë pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt", thuhet në njoftimin e Prokurorisë së shtetit.

Kosovo Tränengas im Parlament
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Prenaj

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur siç thotë keqardhje për atë çfarë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, pas arrestimit të Albin Kurtit. Isa Mustafa, ndodhet në Bruksel, ku të martën (13.10) së bashku me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka një drekë pune të ftuar që të dy nga shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini.

"Si kryeministër i Republikës së Kosovës, jam i vendosur të respektoj plotësisht ndarjen e pushteteve. Nuk më takon mua dhe asnjë politikani tjetër të ndërhyjë në punën e autoriteteve të rendit dhe atyre të drejtësisë. Përpara ligjit, të gjithë jemi qytetarë të barabartë. Kështu kemi vendosur kur kemi votuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë", thotë kryeministri Mustafa. Sipas tij dhuna është e papranueshme si mjet politik.

"Dua të besoj se organet e rendit dhe të drejtësisë veprojnë në përputhje me Ligjet e Kushtetutën dhe me maturinë që kërkon situata në të cilën ndodhet vendi ynë. Në të njëjtën mënyrë, dua të besoj që kështu duhet të reagojnë edhe ata që nuk pajtohen me vendimet e organeve të rendit dhe të drejtësisë", thotë kryeministri Mustafa.

Sidoqoftë, situata sot pas përleshjeve të mbrëmshme ndërmjet Vetëvendosjes dhe policisë, paraqitet e qetë. E partitë politike opozitare, kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni dhe Ministrit të Brendshëm, Skënder Hyseni. Sipas tyre ata janë përgjegjës për zhvillimet e një nate më parë. Tri partitë politike opozitare thonë se "opozita tashmë është edhe më e vendosur në kërkesat e saj të ligjshme, për pezullimin dhe korrigjimin e marrëveshjeve për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe".