1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përparime në dialogun Kosovë – Serbi për çështjen e policisë

Bahri Cani5 Dhjetor 2013

Në Bruksel përfundoi takimi mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, i ndërmjetësuar nga baronesha Chaterine Ashton. Kryeministrat thanë se janë shënuar përparime.

https://p.dw.com/p/1ATvR
Fotografi: REUTERS

E ngarkuara e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Catherine Ashton, u shpreh e kënaqur pas takimit të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me „konstruktivitetin e treguar dhe përparimin e shënuar“. Në kumtesën e lëshuar pas takimit të radhës në Bruksel, Ashton tha se përparime janë shënuar në çështjen e policisë dhe çështjet e tjera.

Por kanë mbetur edhe çështje të hapura, për të cilat do të bisedohet javën që vjen, më 13 dhjetor. Ashton theksoi edhe një herë se „mbi bazën e përparimeve të shënuara do të paraqesë edhe raportin për përparimit të arritur para Këshillit Evropian më 17 dhjetor“. Mbi bazën e këtij raporti do të vendoset edhe për fillimin apo jo të negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Thaçi nënvizon rëndësinë e takimit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se „takimi ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm“ dhe se “janë përmbyllur të gjitha çështjet, për sa i përket integrimit të strukturave të policisë”. Kjo sipas tij do të thotë se „nuk ka më çështje të diskutueshme, apo të hapura. Të gjitha janë shumë të qarta, dhe që nga nesër do të mund të fillojë integrimi në polici, i të gjithë njerëzve që dëshirojnë të të integrohen”.

Thaçi tha se është bërë progres edhe në sistemin e drejtësisë. Ai beson se „brenda javës së ardhshme do të mbyllet dhe se sisemi i drejtësisë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës do të fillojë së shpejti të funksionojë edhe në pjesën veriore të vendit”.

Kryeministri i Kosovës u shpreh se paralelisht me implementimin e marrëveshjeve për sistemin e drejtësisë duhet të bëhet edhe shpërbërja e “Mbrojtjes Civile” që ekziston në veri.”

Nuk diskutohet unioni i komunave serbe

Kryeministri Thaçi pohon se gjatë këtij takimi nuk është diskutuar për unionin e komunave të banuara me shumicë serbe. Por është e qartë se ai do të krijohet. Përparimet në fushën e policisë i ka konfirmuar edhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq.

Ai tha se palët janë dakorduar për disa detaje të rëndësishme dhe tani presin që gjatë ditëve të ardhshme të „aplikojnë pjesëtarët tanë për të punuar në Policinë e Kosovës”. Daçiq u shpreh se të gjitha marrëveshejet e deritanishme janë „neutrale ndaj statusit“. Ai tha se pas zgjedhjeve lokale ka ardhur koha që të zbatohen marrëveshjet në fushën e drejtësisë dhe policisë. Por për çështjen e drejtësisë do të bisedohet edhe në takimin e radhës me 13 dhjetor.