1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përpëlitjet e fundit të Çausheskut dhe Honeckerit për ruajtjen e socializmit

10 Tetor 2009

7 tetor 1989. Në Berlinin lindor festohet 40 vjetori i themelimit të RDGJ-së. Ndërkohë krerët e atëhershëm të RDGj-së dhe Rumanisë, përpiqeshin të ruanin sistemin socialist.

https://p.dw.com/p/K3Vr
Erich Honecker dhe Erich Mielke, ende i mbrojnë pozicionet e mëparshmeFotografi: picture-alliance/ dpa

Dy ditë përpara kësaj ngjarjeje, shefi i Shtazit Erich Mielke i dërgon të gjitha njësive të shërbimit të Ministrisë për Sigurinë Shtetërore një telegram me masat për sigurimin e aktiviteteve festive. Në shkresë kërkohet shprehimisht nga përgjegjësit e Shtazit që, "gjatë kohës së aksionit, duke përdorur të gjitha mundësitë", të "pengohen me të gjitha mjetet, në mënyrë konsekuente" të gjitha veprimet "provokative dhe demonstrative" të personave, dhe të ndalohet "udhëtimi i tyre për në Berlin". Urdhëri i Mielke-s përfundon me një thirrje për vigjilencë maksimale: "të mos lejohet asnjë e papritur! Kundërshtarit të mos i jepet asnjë mundësi. Të bëhemi aktivë aty ku ai nuk mendon se jemi të pranishëm!"

Protestuesit nuk respektojnë urdhërat

Megjithë këtë apel, qindra opozitarë ia dalin që më 7 tetor të marrin pjesë në qendër të kryeqytetit të RDGJ-së në një miting spontan. Në miting ata thërrisnin vazhdimisht me zë të lartë emrin e Gorbaçovit. Dhjetëra demonstrues arrestohen nga policia popullore dhe punonjësit e Shtazit.

Në të njëjtën kohë kryetari i SED-it (Partisë Socialiste të Unitetit), Erich Honecker, mbante një fjalim përpara të ftuarve të lartë, të cilët kishin ardhur nga të gjitha vendet socialiste dhe paradite kishin ndjekur nga tribuna zyrtare parakalimin e "punëtorëve". Na fjalimin e tij Honecker bën thirrje me ngulm për ruajtjen e "unitetit në kampin socialist", i cili tashmë ka shfaqur çarjet e para të dukshme.

40 Jahre DDR - Honecker und Gorbatschow
Erich Honecker dhe Mikail Gorbaçov më 07.10.1989 u takuan në një bisedë kokë me kokëFotografi: picture-alliance/ dpa

"Miqtë tanë në të gjithë botën të jenë të sigurtë se socializmi në truallin gjerman, në atdheun e Marksit dhe Engelsit, qëndron mbi themele të patundura", thoshte Honecker.

Bukureshti dhe Berlini lindor kundër Gorbaçovit

Politika reformatore e Gorbaçovit ndesh veçanërisht në Bukuresht dhe Berlinin lindor në refuzim të fortë. Kryetari i shtetit rumun, njëkohësisht kryetar i partisë komuniste, Nikolae Çaushesku dhe homologu i tij gjermano-lindor, Honecker, e shihnin Gorbaçovin dhe perestrojkën e tij, si sulm mbi pushtetin e tyre. Honecker i kundërvihej me të gjitha forcat çdo të reje dhe përsëriste përfytyrime të vjetëruara, të cilat i formulonte në parrulla të thjeshta luftarake: "pëpara gjithnmonë, prapa kurrë!"

Gorbaçov, i cili kishte mbërritur një ditë përpara festimeve në Berlinin lindor, e shfrytëzoi vizitën e tij, për t'u përzier me njerëzit. Me këtë rast tha dhe fjalinë e paharrueshme. "Unë mendoj se rreziqet presin ata që nuk reagojnë ndaj jetës", pohonte ai.

Tranformimi i Bashkimit Sovjetik

Freundschaftsbesuch einer rumänischen Delegation in der DDR u. a. mit N. Ceausescu, 24 29 April 1957
Nikolae Çaushesku në RDGJFotografi: Fototeca online a comunismului românesc

Në raportet e shtypit fjalia e liderit të Bashkimit Sovjetik u transformua dhe u përcoll me shprehjen: "Atë që vonohet e ndëshkon jeta". Më 7 tetor 1989 u zhvillua dhe takimi i fundit Çaushkesku-Honecker, i cilësuar nga mediet gjermano-lindore si "miqësor". Një bashkëpunëtor i tyre shpjegonte se "të dy politikanët theksuan të drejtën e çdo vendi socialist për të ndjekur rrugën e vet drejt socializimit. Të dy palët theksuan nevojën për të kundërshtuar me vendosmëri ndërhyrjen imperialiste në punët e brendshme të vendeve socialiste."

Por megjithë përpjeket e tyre të dëshpëruara as Honekeri dhe as Çaushesku nuk mundën të ndalonin rrjedhën e historisë. Dhjetë ditë pas festimeve, Honekeri u detyrua të largohej nga posti. Shoku i tij i luftës Çausheski në dhjetor u rrëzua nga pushteti dhe u ekzekutua.

Autor: William Totok/Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani