1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundojnë zgjedhjet në Veri të Kosovës

Auron Dodi (afp, rtr)17 Nëntor 2013

Votimi në tri qendrat e votimit përfundoi pa incidente. Rezultatet e para priten pas orës 22.

https://p.dw.com/p/1AJC4
Zgjedhjet në Kosovë
Zgjedhjet në KosovëFotografi: SASA DJORDJEVIC/AFP/Getty Images

Zgjedhjet në veri të Kosovës përfunduan të dielën (17.11.) pa incidente. Zgjedhjet për kryetar bashkie dhe këshilltarë u përsëritën në tri qendra votimi në Mitrovicën e Veriut, pasi ekstremistë të maskuar shkatërruan kutitë e votimit në raundin e mëparshëm të votimit në 3 nëntor.

Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19 dhe rezultatet e para paraprake priten pas orës 22.

Sipas të dhënave të para, në vendvotime kanë dalur 5231 votues, ose 22,38 %, bëri të ditur kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka. Pë shkak të problemeve të ndryshme teknike, me kusht kanë votuar 997 persona. Një pjesëmarrje mbi 22 % të votuesve e ka konfirmuar edhe kandidati për kryetar bashkie i Listës Srpska, Krstimir Pantiq. Ai shprehu kënaqësinë për daljen e qytetarëve në votime. Që pasi dha votën, kandidati për kryetar bashkie i mbështetur nga Beogradi, Pantiq pati shprehur shpresën se “çdo gjë do të vazhdojë qetë deri në fund të votimit”.

Masa të rrepta sigurie
Masa të rrepta sigurieFotografi: SASA DJORDJEVIC/AFP/Getty Images

Votimi në orët e para të mëngjesit, pas hapjes së kutive të votimit në orën 7, vazhdoi shumë ngadalë. Deri në orën 9 të mëngjesit, tri orë pasi qenë hapur qendrat e votimit, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 3,4 përqind, bëri të ditur Komisioni Zgjedhor.

Pas votimit, me sugjerim kërkesë të OSBE-së, të gjitha kutitë e votimit u dërguan në Prishtinë, ku do të bëhet numërimi i votave. Aty kanë shkuar edhe përfaqësues të OSBE-së.

Zgjedhjet në veri të Mitrovicës u zhvilluan nën masa të rrepta sigurie. Policia dhe paqeruajtësit e KFOR-it qenë të pranishëm në numër të madh dhe me automjete të rënda në afërsi të stacioneve policore. Një njësi e KFOR-it, e përbërë nga automjete të blinduara dhe me armë të kalibrit të lehtë, si dhe me pesë kamionë dhe shumë automjete transporti për terren të vështirë kishte zënë vend në hyrjen veriore të Mitrovicës. KFOR-i dhe misioni i BE, Eulex patën thënë se do të ndërmarrin “masa energjike sigurie, në mënyrë që të garantojnë që procesi të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të rregullt.”

Përsëritja e votimit të dielën dhe mbarëvajtja e votimeve u shpresua si nga qeveria e Kosovës, ashtu edhe nga ajo e Serbisë. Zgjedhjet paqësore pritet të mbështesin përpjekjet e të dyja vendeve për të forcuar lidhjet me BE.

Në Kosovë jetojnë rreth 120.000 serbë, 40.000 prej tyre në Veri të Kosovës.