1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papst Bilanz

26 Shtator 2011

Gjeni forcë tek besimi dhe tek uniteti në kishë - Ky ishte mesazhi i Papës gjatë vizitës në Gjermani. Skeptikët, kritikët dhe protestantët nuk mund të ishin të kënaqur me këtë. Komenti nga Klaus Krämer

https://p.dw.com/p/12gFR
Fotografi: dapd

Atje qëndron veshur në të bardhë ndriçuese, me buzëqeshje miqësore, duke përshëndetur me dorë, duke predikuar e bekuar në bashin e komandës së "kryqëzorit" gjigant në emër të "kishës katolike". S'ka dyshim që Papa Benedikti i XVI si "kapiten" e mban timonin fort në duart e tij. Ai thote se ç'kurs ndjek kjo anije në detin e besimeve, feveve, etikës dhe politikës. E ai ka arritur shumë gjatë këtij udhëtimi në atdheun e tij gjerman. Prej vitesh në vend nuk është diskutuar më kaq shumë për çështjet e besimit.  84 vjeçari padyshim i ka vënë në mendime edhe njerëzit jashtë kishës. Pavarësisht nëse tani ata brohorasin, apo protestojnë.

Çështjet delikate të politikës ai i trajtoi gjatë fjalimit në Bundestag - si një profesor - duke shpalosur mendime filozofike mbi ndërgjegjen dhe etikën, të cilat shumica e dhomës së lartë ndoshta i kupton, por siç duket nuk është në gjendje t'i derdhë vetë në fjalë. Takimi me "kapitenët" e jetës politike dhe shoqërore, ashtu siç nuk mund të pritej ndryshe, u karakterizua prej fjalëve dhe gjesteve miqësore. E njëjta gjë vlen edhe për takimin me delegacionet e hebrejve dhe të myslimanëve. Përveç diplomacisë asgjë tjetër e veçantë nuk u pa në portin e mirëkuptimit.

Gjeste simbolike në Erfurt

Po e njëjta gjë vlen edhe për samitin ikumenik me kishat e reformacionit të mbingarkuar me shumë shpresa dhe pritje të ekzagjeruara. Sidoqoftë takimi me përfaqësuesit  e kishës evangjelike në manastirin e Augustinëve në Erfurt, vendi, ku nisi reformacioni në shekullin e 16-të me mendimet e  Martin Luther-it, është një simbol i fortë dhe ky ishte një vlerësim diskret i reformatorit Luther. Megjithatë kapiteni Benedikt mbetet i detyruar për një përcaktim të kursit kundrejt ikumenisë. Atij s'i zë goja asnjë fjalë qoftë edhe të zbehtë lidhur me perspektivën bashkuese të konfesioneve. Përqafimi me kryetarin e Këshillit të Kishës Evangjelike në Gjermani, Nikolaus Schneider, pasohet nga një "shuplakë" në formën e një deklarate dashurie në adresë të ortodoksëve.

Papa nuk iu referua ankesave të besimtarëve katolikë dhe protestantë lidhur me martesat nga konfesione të ndryshme. Ai nuk e shpreh dëshirën për dialogun e të gjithëve, gjë që është kërkuar me fjalë të qarta nga përfaqësuesit e kishës evangjelike dhe të politikës. Asnjë afrim pra, ndonëse forcat e bashkuara i rrisin shanset për sukses në arritjen e qëllimeve të njëjta. Në vend të kësaj: Kisha katolike është "kryqëzori", ndërsa ajo evangjelike në rastin më të mirë "anija e mallrave" në këto ujra lundrimi. Me interes priten reagimet e rreth 700 milionë protestantëve më mbarë botën.

Unitet në besnikëri ndaj Vatikanit

„Ruaj kursin“, kjo është me sa duket komanda e kapitenit Benedikt. Ruaj kursin edhe duke pasur parasysh pasagjerët në bordin e anijes së vet. Imazhet e besimtarëve, që brohorasin, dehen nga entuziazmi, luten, dëgjojnë me respekt nuk mund të fshehin atë, ç'ka zien nën kuvertën e anijes - së paku në kabinat e shumë katolikëve gjermanë. Shumë ithtarë të reformës, ndër ta edhe peshkopë, shpresojnë për një udhëzim orientues, se si duhet vepruar me çështjen e diskutueshme të celibatit, të diakonisë së gruas, por edhe për pjesëmarrjen më të fuqishme të laikëve në jetën e komunitetit. Nga burri në kabinën e kapitenit vijnë megjithatë në vend të ofertave për bisedime vetëm apele të vjetra, të njohura, për unitet me kishën botërore dhe besnikëri ndaj Vatikanit. Kisha në Gjermani do të vazhdojë të jetë një bekim për komunitetin mbarëbotëror katolik, nëse ajo do t'i qëndrojë besnike pasuesve të Pjetrit të shenjtë dhe Apostujve, nëse priftërinjtë, njerëzit e urdhërit dhe laikët do të bashkëpunojnë në unitet. E pra s'kemi përse të habitemi, kur në një sfond të tillë, gjithnjë e më shumë katolikë hipin në varkat e shpëtimit. Gati 182.000 syresh kanë dalë nga kisha katolike në vitin 2010.

Arsyeja kryesore për këto largime masive nga kisha ka të bëjë me zbulimin e skandaleve të abuzimeve seksuale të klerikëve katolikë. Një temë, që Benedikti i XVI nuk e foli hapur gjatë katër ditëve të vizitës në Gjermani, ndonëse atë e ka tronditur thellë ky krim. Fakti që ai takoi fshehurazi pesë viktima të abuzimeve seksuale, është padyshim një shenjë për këtë. Por deklarimet e qarta do të bënin që të mos ngjallej dyshimi, sikur synohet që kjo çështje të mbahet e heshtur dhe të mbulohet. Sepse pikërisht këtë akuzë ngrenë tani viktimat e abuzimit. Ndaj nuk është për t' u habitur, që katolikët refomatorë gjermanë ende para largimit të "kapitenit" të tyre të zhgënjyer bënë thirje për protestë të hapur. Besimtarët në të ardhmen duhet të pyesin ndërgjegjen e tyre. Nga ky Papë nuk priten impulse të mëtejshme.

E pra: Kryqëzori i "Kishës Katolike" i përmbahet kursit. Mbetet e hapur çështja, nëse qëllimi i përcaktuar i misionit të tij arrin t'i përçojë globit dhe njerëzve Zotin, ose së paku një etikë kristiane. Atyre u nevojitet kjo.

Auto: Klaus Krämer

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora