1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përdorimi i energjisë atomike dhe kriza në Honduras - tema kryesore të shtypit gjerman

16 Korrik 2009

Gazetat gjermane fokusohen sot tek debati që është ndezur në vend në lidhje me përdorimin e energjisë atomike dhe tek kriza ende e pazgjidhur në Honduras.

https://p.dw.com/p/IqiY
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta HANDELSBLATT që del në Dyseldorf trajton debatin për përdorimin e energjisë atomike në Gjermani:

"Sipas një sondazhi aktual të institutit demoskopik Forsa, një pjesë e madhe e popullit shprehet pro mbylljes së reaktorëve më të vjetër atomikë në Gjermani. Deri këtu duket sikur ministri i ambjentit, luftëtari i fushatave elektorale Gabriel, i ka bërë si duhet punët e tij. Por që tani ai po nxitohet. Në fund, ministri do të paguajë çmim për teprimin. Vërtet që ai tingëllon i besueshëm kur kritikon centralet bërthamore; por njëkohësisht ministri socialdemokrat është mjaft pragmatik dhe me mirëkuptim për interesat e ekonomisë. Ai i njeh nga afër hallet e konsumatorëve të mëdhenj të energjisë elektrike, nga zona e tij elektorale. Po t'i duhet edhe njëherë Partisë Socialdemokrate Gjermane të zhvillojë bisedime koalicioni me partitë unioniste, Gabrieli nuk do t'i bllokonte zgjidhje të arsyeshme për politikën energjitike. Dhe ato me siguri që nuk do të kishin të bënin me kursin e fortë konfrontues në çështjet e energjisë bërthamore. Me kursin e tij të protestave të rrëmujshme, Gabrieli shpie në fund ujë në mullirin e partisë ekologjiste."

Ja edhe FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG e cila ndalet në krizën në Honduras:

"Edhe 14 ditë pas shkarkimit me forcë nga posti të presidentit të Hondurasit, Zelaya, një zgjidhje e krizës kushtetuese nuk duket në horizont. Megjithëse nuk ka diskutim që Zelaya nuk do të kthehet në post, për shkaqe sipërfaqësore ligjore ai gëzon ende mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe amerikanët dhe evropianët. Do të ishte megjithatë ngatërrim i shkakut me pasojat, sikur rrëzimi i Zelayas të shihet si rast precedent për rrezikimin e demokracive jo stabile të Amerikës Latine. Zelaya vetë punoi në vitin e kaluar për një përmbysje..."

Autor: dpa/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani